Kalendari poetik: Charles Bukowski (1920-1994) / Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

Charles Bukowski

Kalendari poetik: Charles Bukowski (1920-1994)

Sot, më 16 gusht, është 99 vjetori i lindjes sè Charles Bukowskit. Në vitin 1944 mbaroi studimet në L.A. City College për gazetari dhe letërsi; u përpoq t’i shmangej shërbimit ushtarak (pati filluar lufta II botërore) dhe ia arriti: komisioni mjeko-ligjor nuk e gjeti të aftë për shërbim ushtarak. Në rini ndoqi ca kohë grupe të së djathtës, më pas të së majtës, por gjithsesi politika nuk u bë kurrë hobby i tij. Mendonte: «Ndryshimi ndërmjet diktaturës dhe demokracisë qëndron në atë që në demokraci votohet një herë, pastaj marrim urdhërat, kurse në diktaturë nuk çojnë kohën dëm me votimet.» Në vitin 1944 shkroi tregimin e parë, gjatë jetës së tij shkroi 6 romane, qindra tregime dhe novela, mijra poezi dhe skenarë filmash. Ai pranonte ndikimin që patën në shkrimet e tij një sërë autorësh të njohur si p.sh.: John Fante, James Thurber, Louis-Ferdinand Céline, Anton Çehov, Franz Kafka, Knut Hamsun, Ernest Hemingway, Henry Miller, Robinson Jeffers, Fjodor Dostojevskij, David Herbert Lawrence, J. D. Salinger, Antonin Artaud dhe Edward Estlin Cummings. U shua më 9 mars 1994 nga një leuçemi agresive akute. Adhuronte macet dhe qentë, mbante një tufë mace dhe maçokë në shtëpi. Ka edhe poezi të tijat për kafshët.
Në shqip u botua fillimisht romani i tij “Femrat”, disa tregime, novela etj., por asnjë nuk arriti lartësinë e përkthimit të V. Muçit me romanin “Femrat”. Në vitin 2015 shtëpia botuese ENEAS botoi një përmbledhje me poezi të Bukowskit të përkthyera prej meje me titullin “Bukowski Poezi”.

 

GATI

Ka ditë
kur çdo gjë
shkon mbrapsh.

Në autostradë
në shtëpi
në super-
merkato
dhe kudo
tjetër.

Sulme
të vazhdueshëm
papushim
të egër
të rastësishëm
ndaj ç’ka mbetur
ende
prej drejtpeshimit
dhe ndjeshmërisë tënde.

Zotat më parë
luajnë me ty
dhe më pas
luajnë
kundër
teje.

Dhe nervat e tua
tendosen gati
të këputen.

Asnjë mbrojtje
filozofike
s’të bën punë
sado i mënçur qofsh
s’është e mjaftë.

Je zbuluar
pre e lehtë
e
të këqijve
dhe
të marrëve;
shkatërrimi
i terezisë
dhe arësyes
është
i plotë.

Pastaj
gjithmonë ndodh
-papritur-
një surrat i hareshëm
buzagaz
me një vështrim
prej trapi, ndonjë
gjysëm i panjohur
që të flet
me sa i ha gurmazi:
“e plako, ç’kemi,
si po ja kalon?”

Surrati i tij
gjithnjë e më afër,
mund t’i shohësh
çdo njollë dhe
pore
të lëkurës,
gojën
të hapur,
që ngjan si një pjeshkë
e shqyer
e kalbur.

E vetmja gjë
që të vjen ndër mend
është:
“a ta vras
mutin?”

Por pastaj
i thua:
“Mirë, ja
e shtyjmë.
ti si i ke punët?”

Dhe ecën
më tej
por surrat cjapi
gjysëm i panjohur
të vjen pas
dhe dielli
të vjen
përmes resh
të tharta.

Vazhdon
më tej
ndërsa zotat
qeshin
qeshin dhe
qeshin,
hedh një këmbë
pastaj tjetrën,
lëviz krahët
ndërsa këmbana
e ndryshkur
nuk bie
dhe brenda
kokës
gjaku
të bëhet
pelte.

Por
kjo ditë do të mbarojë
kjo jetë do të marrë fund
skifterët
do t’ia mbathin
më në fund.

Pash zotin
shpejt, shpejt
më shpejt.

 

PUNË E DREJTUAR

Lufta tokësore filloi sot
ndaj të gdhirë
në një shkretëtirë
shumë larg prej këtu.
Shumica e Trupave të SHBA përbëhej prej
Zezakësh, Meksikanësh dhe të bardhësh
të varfër,
shumica prej të cilëve patën hyrë
në ushtri
sepse qe e vetmja punë
që mundën të gjenin.

Lufta tokësore filloi sot
ndaj të gdhirë
në një shkretëtirë
larg prej këtu
zezakët, meksikanët
dhe të bardhët e varfër
u dërguan atje
për të luftuar dhe fituar
ndërsa në TV
dhe në radio
pronarët e dhjamosur, të bardhë e të pasur, të mediave
na e bënë të ditur
këtë
dhe më pas analistët
e dhjamosur të bardhë
na sqaruan
përsenë
përsëri
përsëri
dhe përsëri
pothuajse në çdo
TV dhe stacion radioje
pothuaj çdo minutë
ditë e natë
përse
zezakët, meksikanët
dhe të bardhët e varfër
u dërguan atje
për të luftuar dhe fituar
në atë shkretëtirë
shumë larg prej
këtu.

 

© shqipëroi Maksim Rakipaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s