Poezi nga Nehat Jahiu

Poezi nga Nehat Jahiu
 
 
DO TË VIJË NJË DITË…
 
Do të vijë ora kur trëndafilat do të gëzojnë
Në dorën tonë dhe mbi supe zogjtë do këndojnë
Dhe kopshti do të mbushet me flutura të bardha
Lulëkuqet do të na përshëndesin nëpër ara
 
Do të vijë një orë kur ta puthim këtë tokë
E nga gëzimi do të dehemi e do të derdhim lot
Do të vijë një ditë, një ditë krejt e bardhë
Kur në një sofër do të ulemi bashkë.
 
Më vjen rreth e rrotull vetes globi i botës
Do vijë ora e mbarë kur të nisemi përtej kohës
Në atdhe të çmallemi me vëllain dhe motrën
Të përulemi para dheut tonë e të puthim tokën.
 
 
 
MË NDËRROHET NATA ME DITËN
 
Jam lodhur në kurbet e jam mërzitur
Sa më ndërrohen nata me ditën…
Për besë vëlla, nuk mundem të rri
Do të kthehem të rroj bashkë me ty.
 
Sa do i gëzohesha asaj stine me diell
Kur vjen e bukur një ditë në pranverë
Ikën netët e mia këtu në fund të botës
Dua të hedh atje farën në ugaret e tokës.
Buza më dridhet, zemra shumë më djeg
Kur e shqiptoj këtë fjalën “kurbet”
Jam lodhur e aq shumë jam mërzitur
Sa më ndërrohet nata me ditën…
 
 
 
DALLËNDYSHE…
 
Dëshiroj të shkoj të prek gjithësinë
Ta shoh a është plakur e mira nënë.
 
Dëshiroj pranë vatrës të pushoj
Plagët e shpirtit atje t’i shëroj.
 
Dëshiroj përgjithmonë atje të pushoj
Gjersa dheu i tokës të më mbulojë.
 
Më merrni në krahë, dallëndyshe,
Ju, të urtat, që t’më ktheni në vendlindje.
 
 
 
MALLI…
 
Më merr malli për ditët e vitet që më kaluan
Për ujin e ftohtë në vendlindje që pinim në krua
Më ka marrë malli për të bukurën luleshqerrën
Për barin e njomë në livadh e për pranverën.
 
Më ka marrë malli për baltën e fshatit
Për tufën e deleve që kullotnin majë shpatit
Më ka marrë malli për atë, shtëpinë e lashtë
Të parët dikur kulmin ia mbulonin me kashtë.
 
Më ka marrë malli për livadhin e lulkuqeve
Që mbin nga dielli ngjyer me agun e rrezeve
Më ka marrë malli për perëndimin e përflakur
Për yjet që numëronim nën qiellin e ndezur.
 
 
 
PËR TY VATRA IME
 
Si gurrë në zemër më vlon dashuria
Para syve më rri bukuria
Në damarë gjaku gëzon për ty
Je vendi im plot hijeshi.
 
Në vatrën time do të mbledh fëmijët
Të lodrojnë e shkëlqejnë sytë e tyre
Për ty vendlindje më ka marrë malli
Ta ndez çdo natë një oxhak shqiptari.
 
Me zogjtë për ty kam kënduar
Çdo gjë tënden kam dashuruar
Përsëri do të nisem, do të vij tek ti
Dheun ta puth, ta shtrëngoj në gji.
 
 
 
ESHTRAT M’I DËRGONI NË ATDHE
 
Ma sillni trupin tim te pragu i nënës
Në varr t’më mbuloni me dheun e ugareve
Varrosmëni pranë babait që më dilte në ëndërr
Aty ku e kam vendlindjen e gjuhën e të parëve.
 
Aty dua që shpirti im të pushojë përgjithmonë
Aty tek toka që ka aromë djerse dhe gjaku
Aty ku bilbilat aq bukur këngës ia thonë
Aty mu në dasma valon i bukur bajraku.
 
Fusha e male me mall e dashuri t’i përqafoj
Atje ku shpirti gjen vetëm gëzim dhe prehje
Plagët që mora në kurbet në atdhe t’i shëroj
Atje ku lulet çelin me buzëqeshje.
 
Amanetin nuk dua kurrë t’ma harroni
Thuajani fëmijëve që ta kenë në jetë
Edhe të vdekur në atdhe dua t’më çoni
Hej, sa plagë më paska hapur ky kurbet.
 
Vite të tëra jam djegur, përvëluar i vetëm
Dhe kurrë nga mendja nuk të kam harruar
Eshtrat m’i dërgoni në atdheun e vjetër
Aty më ngroh rrezja dhe dielli i bekuar.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s