RAFINIMET E NJË ANGAZHIMI VROJTUES TË VLADIMIR MUÇËS NË LIBRIN “UNË MENDOJ …”  ( Vëzhgime të një tanzicioni letrar ) / Nga: Xheladin A. Çitaku

RAFINIMET E NJË ANGAZHIMI VROJTUES TË VLADIMIR MUÇËS NË LIBRIN “UNË MENDOJ …” 

( Vëzhgime të një tanzicioni letrar )

– Detyra e kritikut konsiston në aftësinë e tij për të hetuar vlerën letrare-artistike në një vepër konkrete. Parimet vlerësuese akomodohen në konformitet me kontekstin shpërfaqës të shtjellimit letrar, në përmbajtësi dhe në specifika, sepse në vështrimet kritike nuk ekzistojnë shablone të gatshme e të përhershme. Si e tillë, kritika letrare pasqyron raportet në relacionin, vepra letrare – lexuesi, duke i ofruar këtij të fundit një zbërthim të hollësishëm të përmbledhjes letrare – artistike të një vepre, duke trasuar (për lexuesin) shtegun e depërtimit tek vlera, përmbajtja, ideja, mesazhi, etj. Përqasja vlerësuese kërkon njohuri e përqëndrim për t`u thelluar në strukturimet artistike, duke i pahëzuar ato të elementuara në aspekte përkatëse të zbërthimit të meteries së dhënë. Shqyrtimet e lëndës tërheqin një afinitet të veçantë të vështruesit, i cili do gjej shtigjet e interferimit në brendësinë e kësaj lënde, për ta vijëzuar imazhimin e veprës në sytë e mendjen e lexuesit, duke ofruar një tabloizim konkret të saj. Si i tillë, kritiku do bëjë ndërlidhësin mes emetuesit e receptorit, duke ofruar linjat e tij të transmisionit, si infrastrukturë e domosdoshme e efektizimit të krijimtarisë (veprës).
Vepra e Vladimir Muçës, “Unë Mendoj…” eksploron në një reliev të gjërë të krijimtarisë letrare, duke u preokupuar me një mori veprash letrare, në prozë e në poezi. Si e tillë ajo është pasqyrë analitike e këtyre veprave, ku reflektohen sistemet letrare të sintetizuara në semantika, stile, metodologji, formate, gjatësi e gjerësi intonative, por edhe përshkallëzime (nivelime) artistike. Autori i kësaj vepre kritike merrë në shqyrtim Romanin, Prozën e shkurtër (tregimin e novelën), Poezinë (vëllimet poetike), Dramën, të boturara në kohë të ndryshme e vende të ndryshme, por që përfaqësojnë trasenë e modernizmit në krijimtarinë tonë letrare. Prandaj titujt kornizohen në katër makrokontura evidente:

1.- “PËRQASJA E ROMANIT TË SOTËM SHQIPTAR DREJT RISIVE MODERNE” –

– Në këtë kapitull sheshohen një numër romanesh të botuar së fundi, të cilët i përqasen formave dhe metodave të reja strukturuese e kompozicionale, si dhe risimit përmbajtësor, stilistik e tematik, duke shpërfaqur involvimin e modernes në zhvillimet tona letrare. V. Muça kap këtë aspekt (por edhe aspekte tjera), e analizon, zbërthen, përimëton në detale, për t`ia ofruar lexuesit si një perceptim nga këndvështrimi i tij dhe si një format nga opusi i tij vlerësues. Mënyra e analizës tejkalon format e “standardizuara” dhe konvencat e ngulitura kohërisht e metodikisht. Realisht kjo (mënyrë) i përgjigjet shkallës së arritshmërisë letrare, preokupimeve tematike që shtjellohen, kërkesave të relatave brënda mikro dhe makro sistemeve letrare, ambicieve të kohës dhe aspiratave të lexuesit. Autori (në shqyrtim) shënjestrohet, gjithsesi, nga shigjetime shumëdimensionale, të cilat do ndriçojnë, gjithanshmërisht, konstruktin e tij letrar. Në këtë kontekst, V. Muça do ta shpalosë itinerarin e ri të romanit, arealin ku ai eksploron dhe derivatet e rafinimit modern romanesk. Këtu ai gjenë lojën narrative, telajën e pikturimit të personazheve, shëmbëlltyrën e heroit modern në rolin e deheroizimit të letërsisë moderne, konceptimin e ri të transponimit të realitetit, dekonspirimin karakterologjik të rrjedhave, përmes psikanalizës dhe “nocionit fantazisto-poetik në suazat e një romani”. Në printimin e detajuar të analizës së romanit, V. Muça ka pjesëzuar në librin e tij, secilin element që karakterizon romanin përkatës, duke dhënë përshkrimin analitik të vrojtimit të tij, në secilin veç e veç, duke shtrirë interesimin e tij në veçantitë dhe identitetet që përfaqëson secili roman. Dhe, jo vetëm kaq. Ladi analogjizon, pastaj, koncepte e aspekte, të cilat vihen në proporcione krahasuese, në mënyrë që lexuesi ta ketë paragjykimin modelor për ngjarjen, fenomenin letrar të implikuar a maketin e sajuar më parë diku në mendjet e krijuesëve gjurmëlënës në jetën e njerëzimit. Kështu sqarohet V. Muça për konkluzionet që sjellë gjat analizave të tij, duke mos hezituar të citojë përfundime të sprovuara shkencërisht, sepse kritika e do për bazë tëbanin shkencor. Veç kësaj, z. Muça, përveç interpretimit të rrëfenjave, ravijëzimit të stileve, imazhimit të karaktereve, shpalosë edhe refleksionet e përfituara nga leximi i materies letrare:

“- Aludimati e përshkon romanin në çdo kapitull, duke u lidhur me tejpamësinë e simboleve a parabolave…”, (Faqe-102).

Duke qenë një krijues i suksesshëm në letrat shqipe, autori i librit “Unë Mendoj…”, vërtetë mendon, thellësisht, për tërësinë krijuese në letërsinë shqipe, për shtigjet që kaloi kjo letërsi dhe për ato që ka zënë tani, duke inkuadruar potencialin e tij në afirmimin e saj, në vlerësimin e krijuesëve, por edhe në gjykimin e dukurive dhe fenomeneve, të cilat abuzojnë me lirinë e shprehjes dhe hapësirën plasuese për ta përçmuar këtë letërsi. V. Muça fshikullon stereotipizimet dhe komercializimet asfiksuese të “kozmopolitizmit” në letërsi, të cilat mëtojnë ta ngulfasin letërsinë tone, pas shëndërrimeve shoqërore:

“ – Koncepti i një globalizmi të sëmurë, përkujdesja për gjithçka të importuar (edhe në letërsi, ashtu kallëp) ua ka errur mendjen”. (Faqe- 112).

Observimet e autorit të këtij libri i hyjnë në thelb problematikës (problematikave), e shpërfaqin atë në gjithë përmasën që ka, gjithë rëndesën që bartë, misionin që përçon; me një fjalë, tërësinë e kompleksitetit që i ka dhënë krijuesi. Përqasja ndaj konstrukteve që shqyrtohen, përveç parimësisë së përgjithshme të kritikës letrare, ndryshon nga romani në roman. Kjo është normale për faktin se veprat kanë specifikat e tyre të ndryshme nga njëra-tjetra, autorët përdorin stil të ndryshëm, shtjellojnë tematika e preokupime të posaçme. Kështu, V. Muça angazhon metodologjinë e duhur dhe me durim e përkushtim bënë obdukimin e imtësishëm të të gjithë përbërësve, letrar e jashtëletrar, duke vënë në dukje shtytësit, infrastrukturën shtrirëse, synimin (kuotën pretenduese) të secilit roman. Tek futet në botën e shkrimtarëve zbërthen raportet e tyre me jetën (në përgjithësi), percepcionet e tyre për rrjedhat e përgjithshme dhe të veçanta, të cilat sintetizohen si botëkuptime artistike të ndërthurura në romanet përkatëse. Ladi shprishë analitikisht këtë sintetizim, duke i dhuruar opinionit variantin e tij të prozhektimit.

VLADIMIR MUÇA

2.- “PROZA TREGIMTARE ME DUKURI MODERNE BIO SHQIPTARE” –

– Objekt vrojtimi në këtë shqyrtim analitik të Vladimir Muçës është edhe proza e shkurtër (proza tregimtare), e cila derivon si produkt i disa autorëve ku ambalazhohen dukuri moderne të shtrirjes krijuese shqiptare. Vështrimi i fokusuar nxjerrë formatet esenciale të rrëfyeshmërisë, të cilat janë karakteristikë e arealit letrar në kohë, mënyrë dhe identifikim opusar të një gjeografie etnike. Prandaj autori i quan “Dukuri Moderne Bio Shqiptare”, sepse kultivohen në bio-natyrën individuale dhe bio-karakterin e shoqërisë shqiptare. Natyrisht, edhe kalkulimet e letrarizuara të kësaj natyre përmbajnë tharmin e komponentës identitare që shtytë mendësinë në një shëndërrim adapt me rrjedhat e përgjithshme të letrarizimeve në nivel universal, duke adoptuar në këtë lloj (zhanër) postulatet moderniste të ligjërimit tregimor (prozaik). Z. Muça vë kaskadat e kritikës në lumin e këtij lloji letrar dhe rafinon prurjet, ato modernet, në veçanti, duke sipërfaquar elementet thelbësore përbërëse; ato që ravijëzojnë vlerën e mirëfilltë, por edhe ndonjë shkarje të aty-këtushme. Veç impresioneve që shijon lexuesi (kritiku) është edhe përshtypja që bartet në gjykim e vlerësim të gjithanshëm dhe sajon një pikëpamje nga këndvështrime të caktuara.
Duke filluar me Moikom Zeqon, “Papagajt e Nembrotit”, V. Muça nisë maratonën e përshkimit në fushën e tregimit, nisë përimëtimin hulumtues për ta shpalosur semantikën artistike, atraktivitetin e saj dhe sugjerimin për lexuesin:

“Sapo lexon prozat e para nuk mundesh të mos futesh në një fiksion tregimtar të një letërsie të re, ku parabolat historike e supermetaforat pleksur në një alkimi të re, të fusin në një botë letrare globalizuese, gjithëpërfshirëse, unikale në psiko-analitikën e subkoshiencës e rizgjimit të kujtesave historike”. (Faqe-163).

Kjo frazë paralajmëron angazhimin total të kritikut, aktivizimin e segmenteve të psik-analizës, në momente të caktuara, interferimin e subkoshiencës për të depërtuar deri te një “fiksion tregimtar i një letërsie të re”, sepse kjo është rruga e duhur për ta studjuar Moikomin, por jo vetëm atë. Metaforizimet e rrëfimtarisë imponojnë kujdesin e shtuar në hapat e hyrjes brënda tregimit modern, brënda dukurive të reja që ngjyrojnë përshkrimin fabular, edhe atë të kostelacioneve historike a mitike. Kështu edhe në vazhdimësinë perceptive të titujve tjerë, V. Muça konfiguron mendimin e tij për sajimin rrëfimor e eseist, duke elaboruar shkencërisht format, mënyrat dhe drejtimet përqasëse, duke konsumuar formën shterruese të analizës për ta niveluar tregimin modern shqiptar në rangun meritor. Moikom Zeqo, Sazan Goliku, Vasil Premçi, e Lulzim Hajdari tërheqin përqëndrimin intelektual të Vladimir Muçës. Veprat e tyre përzgjidhen për ta ilustruar kahjen moderniste të tregimit shqiptar në origjinalitetin e tij dhe konditat “Bio” të kultivimit të tij. Ladi ka ravijëzuar me kompetencë këto dukuri, si një vëzhgues i zellshëm, si një personalitet që është brënda “zanatit”, sepse është shkrimtar e poet, por edhe kritik i vëmendshëm. Kështu i dha një shtytje të re studimeve për prozën e shkurtër, duke sinjalizuar për begatinë e kësaj fushe të letërsisë sonë.

3.- “PARADIGMA TË POEZISË MODERNE NË POEZINË SHQIPTARE”-

– “Poezia është pikturë që flet…”, thoshte Simonidi. Por poezia është edhe reflektim i një bote që influencon dhe influencohet, gjithashtu. Transponimet ideoestetike dhe ideoemocionale shprehen përmes gërshetimeve subjektive – ndjesore të ndjeshmërisë, imagjinatës dhe emotivitetit në struktura të formësuara, të cilat akomodohen në sisteme të caktuara poetike-letrare. Por poezia është edhe “pjesë e përvojave dhe poeti është, pazgjidhshmërisht, me këto përvoja ndërshekullore”, thot Vladimir Muça në librin e tij “Unë mendoj…”
Vëmendja ndaj poezisë përfshinë akset përbërëse të saj, të cilat e gjallërojnë ndjenjën në vargënim; stilin dhe figuracionin e tij, intonacionin ritmik dhe rimimin, koloritin shprehës, shtrirjen metrike dhe përmasat tjera, të cilat V. Muça i identifikon dhe i plason në formulimet shqyrtuese të tij. Ai përfshinë edhe komponentën e gërshetimit kohor-stilistik, në të cilën shfaqja poetike cilsorizohet (moderne a postmoderne), si “një metafizikë në ndryshim”.
Mendimi kritik i z. Muça vjen i pavarur, koheziv dhe jo linear në proporcionet dhe raportet me krijimtarinë aktuale poetike. Pralelizmat intriguese brënda këtij mendimi rrisin llojshmërinë ngjyruese që buron nga vetëdija me orientim serioz në vlerat e artit letrar. Mbi këtë bazë ndërtohet konstruksioni i mbresave nga lirika e sotme (moderne), qëndrimeve ndaj saj dhe i relacioneve vepër-studjues a vepër-lexues. Relativizimi i formateve konvenciale prodhon sekuenca pozitive, kryesisht, dhe mbështetë transformimet në përshkallëzimet e dimensionimit rangues a klasifikues të lirikës së sotme. Duke angazhuar pikëvrojtime të pozicionuara sipas kërkesave të interesimit për artin poetik, V. Muça zë pritë në udhët lirike të poetëve dhe kaskadon rrjedhën për të veçuar disa pjesë për elaborimin e tij. Ky elaborim përfshinë dimensionalitetin kohor, hapësinor, motivimin e strukturimin, konturat estetiko-stilistike (dukuritë brënda tyre), risitë në formatimet poetike. Autori “mendon” për të shkuarën krijuese, sheh barrierat e soc-realizmit, censurimet dhe autocensurimet e imponuara, pastaj kap zhvillimet e sotme, dukuritë dhe fenomenet që karakterizojnë krijimtarinë e kohës që po jetojmë, duke rezonuar në shpërfaqjet e botimeve të ndryshme nga autorë të ndryshëm, motivuar nga shtytës që u përkasin faktorëve cimbisës të ndjenjave dhe ndërdijes. Në këtë rrugëtim ai përzgjedh veprat e krijesëve modern, të cilët inkorporojnë ndjesitë e tyre, imagjinatën e tyre në refleksionet që shfaqin përmes lirizmit në rrethana e kushte të reja, ku flet brendësia e liruar, ku flasin horizontet e shtrirjes estetiko-stilistike të poetëve. Për këtë, autori i këtij libri përzgjedh “elitat” e përfaqësimit të lirizmit, tek të cilët pasqyrohen dimensioned modernistike të motiveve dhe shtjellat përkatëse të formatimit të frymëzimit.
Llojet e lirikës prezentohen në këtë libër si të ekuilibruara, që nga vargu i karakterit shoqëror-historik, ai i lirizmit atdhetar, vargu i motivimit dashuror, ai peisazhist, por edhe ai i poezisë “skulpturale”-haiku. Në të gjitha, V. Muça thellohet për të zbërthyer esencën dhe elementet përbërëse, për të sheshëzuar sa më shumë koloritin shpirtëror të poezisë, në përgjithësi, por edhe specifikat autoriale në këto ligjërime, konvertimet stilistike të tyre dhe relieving estetik, gjithashtu. Tek analizon lirikën e dashurisë, “Nocionet dhe risitë e saj”, autori thot:

– Ndjesitë që këto lirika çlirojnë, si dhe universaliteti i tyre përbëhet nga hapësira, vendi dhe koha e papërcaktuar (më kot autori u ka vënë data disa poezive); kjo të bën ta ndjesh poezinë sikur është krijuar sot dhe pse evokon motive të pakohë…” (Faqe-215).

Konkludimet përkatëse shprehin opinionin e një individualiteti vlerësues që shqyrton gjithanshmërisht prurjet, dukuritë, karakteristikat e reja, ndërlidhjet kontekstuale, ndërthurjet e ndërndikimet në fushën e gjërë të poezisë. Këtij opinioni nuk i mungojnë vërejtjet e caktuara në produktet poetike të përpunuara; të përbashkëtat dhe dallimet, raportet, afërsitë dhe veçantitë. Pastaj, është evident panoramizimi i pamjeve të optikës kënvështrimore në llojet ku fokusohet:

“- Në sinoptikën lirike sot po shfaqet një system i ri, i cili jep e merrë me heronjtë lirik, mishëron portrete shpirtërore të gjyshërve, prindërve e bashkëkohësve. Kjo mënyrë e procesit të përgjithësimit ideatik, konkretizimi i kapjes fort pas atdhetares, për nga mesazhi dhe niveli artistik që përmban, kap jo vetëm lirikën e virgjër, por edhe nocionet baladike e epike, në një kuadër të ri historik”. (Faqe-239).

Në dioptrinë e Vladimir Muçës mbërthehet shumësia e reflektimeve lirike që editohen sot, në forma e mënyra të ndryshme, duke u bërë lëndë e angazhimeve të tij në afirmimin e lirikës, por edhe të vlerave tjera letrare, përgjithësisht. Observimet teorike të tij mbështeten në produktivitetin krijues që ka vërshuar gjithandej ndër ne, duke diferencuar, kështu, enormësinë sasiore dhe cilësinë mbresëlënëse, duke sistemuar profesionalisht produktet kualitative…

4.- SPROVË VLERËSUESE

– Në pjesën e fundit të vëzhgimeve të tij, Vladimir muça përplotëson angazhimin me disa Sprova Vlerësuese për vepra konkrete, personalitete të caktuara, për vepra kulturologjike, për portrete artistike në fushën e pikturës, reagime, ese, monografi etj. Si më lart edhe në këtë pjesë, përqëndrimi i theksuar është mënyra e punës së autorit, konsumimi i metodologjisë shkencore të faktimit të pikëpamjeve shquhet në secilën temë, në secilin involvim të tij. Këshu ndodh kur sqaron dramacitetet “Liriko-Shoqërore” te drama “Çapini”, kështu në prezentimin e çasteve historike dhe vlerave kombëtare (“Dhe Zoti po flet Shqip”, “Luarasi dhe Saga Kulturologjike ndërshekuj”–PeroNiniLuarasi). Reagimi i shpirtit dhe ndërgjegjes së artistit, i shkrimtarit e poetit, i kritikut dhe vlerësuesit vërehet në përshkrimet eseistike, portretimin e personaliteteve, tabloizimet peisazhiste të vendeve të caktuara dhe tërë kësaj varieteje tematike që është në focus të potencialit vrojtues të Vladimir Muçës.
– Duke formuluar ca fjalë për këtë libër voluminoz shpreh dilemën cimbisëse për kompetencën e kapacitetit tim në përqasjen ndaj saj dhe ndaj opusit të një personaliteti krijues që lë gjurmë ngulitëse në arealin e letërsisë sonë. Gjallon shpresa se botimet e tilla do promovohen nga posedues të aftësisë, mjeshtrisë e vullnetit për të afirmuar këto kontribute…Përgëzime autorit, Vladimir Muça.

 

Nga: Xheladin A. Çitaku

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s