Poezi nga Sadik Bejko

Poezi nga Sadik Bejko

 

Babai në mbrëmje

Mbrëmja ha tinëz. Tej kafshon qafa malesh,
korijet, varganin e kodrave, udhët
dhe drurë që ende udhëtojnë
edhe tej dhëmbëve në grykë ujku të murrët.

Pemë kopshti tre metra më tej nxjerrin tym,
në pahun e tij mbështillen, që të mashtrohet mbrëmja.
Kështu një njeri lë mjekërr e pandeh se ti nuk e sheh,
të shkon para sysh si i kycur,
si dera e mbyllur nga brenda.

Babai im plak nga larg më dërgon zërin
në telefon e fshihet tej nën linjat e hirta.

Nuk e dika ai që ende udhëton në enët e gjakut tim
nëpër fijet e flokëve të mi
gjer te rrënjët e thinjëta?

Më bën lojën e pemëve ky plak,
Të pemëve që kujtojnë se zhduken në muzg
teksa mbështillen nga pak me natë.

 

ZHGËNJIMI I KRISHTIT

Me një thes në arna ajri,
thes me aq nyje, sa dhe fantazma,
doli në rrugë të bëjë mrekulli
Krishti i ulur nga parajsa.

Krisht në rrugë të pluhurta, të thara,
pa gishta që verbimin prekin,
e bëjnë sy në zgavra.

Krisht pa duar Madalene
ujit të këmbëve
t’u japë shenjtërinë e reve.

Krisht që nuk zë peshk
në formën e bukës
e në formën e peshkut nuk vë mish
si në zbrazëti konserve.

Krisht pa thuprën e blertë
që nga një vesh në tjetrin
vë ajër dëgjimi
në shurdhmemeca –

shkurt, një Krisht pa kompetenca.

Krishti u end për vëllazëri,
… për fajësi të vetes:
thesi i halleve të botës, i madh,
s’shërohej me fëshfërima gjethesh.

Në sup i rëndonte gur
e vetes fantazma,
u tret, u bë arnë ndër arna.

S’do të kthehej më në qiell.
Te udhëkryqi i parë u shtri,
Në arna vuri pak diell.

Në trup së gjalli
iu mblodhën milingona:
Thanë: Krisht nën këmbët tona.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s