UNAZA ME NGJYRA / Nga: Zija Çela

UNAZA ME NGJYRA

 

Nga: Zija Çela

Pas atij shiu aq të mërzitshëm, më në fund ai pa një dritësim rrezëllitës ndanë dritares. Mos po i faniteshin projektorët e diskotekës? Për të provuar se nuk ishte në ëndërr, preku togëzën e pantallonave. Pastaj, kur hapi deren, mbeti i befasuar. Skaji i një ylberi përfundonte në oborrin e tij. Djali ndjeu një ngazëllim të menjëhershëm dhe, pa e zgjatur, rrëmbeu tufalakun e ngjyrshëm e doli në rrugë, duke e tërhequr pas vetes. Ec e tërhiq, ec e tërhiq, teksa qemeri përkulej vazhdimisht, ai po shkonte drejt qendrës së qytetit thuajse symbyllazi. Një ngazëllim fërgëllues sikur e shtynte vetiu për atje. Me gjasë, në anën e matanshme të qytetit dikush e tërhiqte skajin tjetër, duke iu afruar qendrës gjithashtu. Kur ylberi mori formën e rrethit të plotë, ata u bënë bashkë. Tani nuk ishte vetëm një djalë, por një djalë e një vajzë. Dhe as që pati nevojë për fjalë, u ra në kokë me vështrimin e parë.
Mirëpo për të provuar se nuk ishte ndonjë magjepsje virtuale, por një skenë reale, ajo zgjati duart për ta prekur. Merret me mend, as ai s`i kishte të lidhur krahët e tij. E kështu, me t`u prekur të dy, dalldisë së vajzës iu shtua edhe joshja e djalit, ndërsa ngashënjimit të djalit edhe dalldia e vajzës. Pastaj, me sytë e fiksuar te rrethorja gjithë ngjyra, asaj i gurgulloi zëri kur foli:
– E çfarë është kjo?
– Është një kurorë për ty, – u gjegj i gatshën ai.
– Jo, – tha vajza, – kjo është një unazë dhe ti je fati im. A martohemi bashkë?
Pranverën e kaluan me ha-haa e hi-hii. Në verë ndonjë tel nervor u nxehej nganjëherë. Me afrimin e gjëmimeve të vjeshtës, gërnjët erdhën duke u shtuar. Dimri qe i gjatë, por edhe i rëndë. Çiftit i shkoi stina gam e gam me njëri-tjetrin.
Ende pa u mbushur njëmbëdhjetë muaj e një javë, një pasdite teksa reshte borë, ajo vërejti se unaza kishte nisur t`ia nxinte gishtin. Kushedi përse, iu kujtua dita e asaj dalldisë së furishme dhe, në dëshpërim e sipër, i mallkoi të gjithë ata që thonë se ylberit i mungon e zeza.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s