“Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani” Vepër autobiografike – STEFAN CVAJG ( Fragment nga kapitulli UNIVERSITAS VITAE*) / Përktheu në shqip: Aristidh Ristani

“Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani” Vepër autobiografike – STEFAN CVAJG

Fragment nga kapitulli
UNIVERSITAS VITAE*

Meqë botoja shpesh e gati rregullisht në fejton, shumë shpejt nisi të më kanosej rreziku të bëhesha personalitet i njohur lokal; por fatmirësisht i shpëtova në kohën e duhur këtij rreziku duke i befasuar një ditë të bukur prindërit e mi me njoftimin se semestrin e ardhshëm do ta vazhdoja në Berlin. Meqë kishte shumë respekt ndaj meje, ose, më saktë, ndaj gazetës “Noje fraje prese”, që më pati pranuar në hijen e saj të artë, familja s’mund të mos ma plotësonte këtë dëshirë.

Sigurisht që s’kisha ndër mend “të studioja” në Berlin. Njësoj si në Vjenë, vetëm dy herë shkela në universitet gjatë një semestri, herën e parë për t’u regjistruar në leksione dhe herën e dytë për të marrë një dëshmi se i kisha ndjekur rregullisht, sikurse pretendoja unë. Ajo që kërkoja në Berlin s’ishin as leksionet e as profesorët, por një lloj lirie më e lartë e më e përsosur. Sido që të ishte, në Vjenë e ndieja veten gjithmonë të lidhur me mjedisin. Kolegët e mi në fushën e letërsisë, me të cilët kisha marrëdhënie, ishin pothuajse të gjithë nga e njëjta shtresë e borgjezisë hebraike si dhe unë; në atë qytet të ngushtë, ku të gjithë e njihnin njëri-tjetrin, mbetesha detyrimisht djali i një “familjeje të mirë”, por tashmë isha lodhur me të ashtuquajturën shpoqëri “të mirë” dhe doja madje të njihja një shoqëri kryekëput “të keqe”, një mënyrë jetese të çliruar nga çdo detyrim e nga çdo kontroll. S’kisha lexuar madje as programin e leksioneve për të parë se kush jepte filozofi në universitetin e Berlinit; më mjaftonte të dija se atje letërsia “e re” tregohej më aktive, më entuziaste sesa te ne, se atje njeriu mund të takonte Demelin dhe poetë të tjerë të brezit të ri, se atje themeloheshin vazhdimisht revista, kabare e teatro, me një fjalë, atje “bënte vaki diçka”, siç thuhet vjenezçe.

Dhe vërtet, mbërrita në Berlin në një çast shumë interesant, në një çast historik. Qysh nga viti 1870, kur Berlini, nga kryeqytet i vogël, shumë i rëndomtë e aspak i pasur i mbretërisë prusiane, u bë rezidencë e perandorit të Gjermanisë, ky vendbanim modest në brigjet e lumit Shpre mori një hov të madh zhvillimi. Por, ç’është e vërteta, në atë moshë kur thith, kur miqësitë lidhen lehtë, kur ndryshimet politike e shoqërore s’janë ende të theksuara, një i ri i mëson më mirë gjërat thelbësore prej atyre që përpiqen e kërkojnë bashkë me të, sesa prej atyre që kanë epërsi ndaj tij. Po ndieja sërish – por tani në një rrafsh më të lartë e më ndërkombëtar se në gjimnaz – se sa frytdhënës është entuziazmi kolektiv. Ndërsa miqtë e mi vjenezë ishin pothuaj të gjithë nga radhët e borgjezisë dhe madje nëntëdhjetë për qind nga borgjezia hebraike, kështu që ne vetëm sa dyfishoheshim e shumëfishoheshim me ato prirjet tona, djemtë e asaj bote të re vinin nga mjediset më të ndryshme, nga lart, nga poshtë, njëri qe aristokrat prusian, tjetri bir pronari anijesh nga Hamburgu, i treti rridhte nga një familje fshatare vestfaleze; befas u ndodha në një mjedis ku njeriu ndeshte edhe mjerimin e vërtetë me rroba të ngrëna e këpucë të grisura, pra, një mjedis ku në Vjenë s’kishte shkelur kurrë këmba ime. Ulesha e rrija në një tryezë me pijanecë, homoseksualë e narkomanë, i shtrëngoja – tërë krenari – dorën një batakçiu mjaft të njohur e të dënuar nga drejtësia (më vonë botoi kujtimet e veta dhe hyri kështu në rrethin tonë të shkrimtarëve). Gjithçka që gati s’e kisha besuar kur e lexoja në romanet realiste, e shikoja tani me sytë e mi nëpër pijetoret e vogla e nëpër kafenetë ku më shpinin, dhe, sa më famëkeq të ishte dikush, aq më kureshtar bëhesha që të njihesha personalisht me të. Ky pasion ose kjo kërshëri e çuditshme për njerëz të njollosur s’më është ndarë gjatë tërë jetës; deri edhe në ato vite kur duhej të tregohesha më i rreptë në zgjedhjen e njerëzve, miqtë e mi më qortonin shpesh se shoqërohesha me tipa imoralë, të dyshimtë e me të vërtetë komprometues. Ndoshta pikërisht ajo botë “e shëndoshë”, nga e cila vija unë, dhe një si ndjesi bezdie nga kompleksi i “sigurisë” bënin të më dukeshin magjepsës tërë ata që tregoheshin shkapërderdhës e pothuaj përbuzës ndaj jetës, kohës, parasë, shëndetit dhe namit të tyre të mirë, bënin t’i simpatizoja këta njerëz të apasionuar, këta maniakë të një jete të thjeshtë e pa asnjë qëllim.

Ka të ngjarë që edhe në romanet e në novelat e mia të bjerë në sy kjo dashuri e veçantë për tërë njerëzit me natyrë impulsive e të shfrenuar. Kësaj i shtohej edhe joshja nga ekzotikja, nga e huaja; gati secili syresh ishte për kërshërinë time makute si një dhuratë që vinte nga një botë e panjohur. Në personin e piktorit E. M. Liljen, djalë i një tornitori të varfër ortodoks nga Drogobiçi, ndesha për të parën herë një hebre autentik lindor dhe në të njëjtën kohë një hebraizëm që deri atëherë s’e pata njohur me tërë fuqinë e fanatizmin e tij kokëngjeshur; një djalosh rus më përktheu pjesët më të bukura nga “Vëllezërit Karamazov”, vepër që nuk njihej ende asokohe në Gjermani; një vajzë suedeze më tregoi për herë të parë disa tablo të Munhut; shkoja nëpër atelietë e piktorëve (sigurisht të këqij) për të soditur teknikën e tyre; një amator më shpuri në një rreth spiritizmi – e ndieja jetën në një mijë forma e në tërë larminë e saj dhe s’kisha të ngopur. Jeta intensive, e cila në gjimnaz mund të shpalosej lirshëm vetëm te format e kulluara, te rimat, te vargjet e te fjalët, vërshonte tani te njerëzit; në Berlin, që nga mëngjesi e gjer në mesnatë, ndodhesha pareshtur mes njerëzish të ndryshëm e të porsanjohur, herë i entuziazmuar, herë i zhgënjyer, herë-herë madje edhe i mashtruar prej tyre. Besoj se në dhjetë vjet s’isha dhënë aq shumë pas shoqërisë intelektuale sa gjatë atij semestri të shkurtër e unik në Berlin, i pari semestër që e kalova në liri të plotë.

Ç’është e drejta, dukej si diçka logjike që kjo larmi e jashtëzakonshme stimujsh të sillte medoemos edhe një rritje përkatëse të dëshirës sime për krijimtari artistike. Në të vërtetë, ndodhi krejt e kundërta; vetëdija për vlerat e mia, që pati marrë së pari në gjimnaz një hov të shpejtë drejt majave, për shkak të ekzaltimit intelektual, u davarit në një mënyrë shqetësuese. Katër muaj pasi kishte dalë libri, s’isha në gjendje të kuptoja se si e pata marrë guximin ta botoja atë vëllim me poezi të paarrira; ato vargje vazhdonin të më dukeshin krijime artistike të mira, të shkathëta, madje pjesërisht edhe të denja, pjellë e një kënaqësie ambicioze për të luajtur me format, por ai sentimentalizmi i tyre i bënte të tingëllonin si diçka artificiale. Po ashtu, qëkurse isha lidhur me realitetin, edhe te novelat e mia të para po ndieja një kundërmim letre të parfumuar; të shkruara në kushte kur nuk e njihja fare jetën, në to shfrytëzohej një teknikë e kopjuar nga dorë e dytë. Një roman, që e kisha sjellë të gatshëm në Berlin gjer te kapitulli i fundit për të lumturuar botuesin tim, nuk vonoi shumë dhe u fut të nxehte sobën, sepse besimi im tek aftësia e fituar gjatë viteve të gjimnazit mori një goditje të fortë sapo i hodha vështrimin e parë jetës reale. Më dukej vetja si një nxënës shkolle që ishte kthyer disa klasa prapa. Në fakt, pas vëllimit të parë me vjersha bëra një pushim prej gjashtë vjetësh para se të botoja një vëllim tjetër, dhe vetëm tre a katër vjet më vonë botova librin tim të parë në prozë.
———————-
*Lat. – universiteti i jetës. (Shënim i përkthyesit)

(Stefan Zweig: “Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani”,
titulli i origjinalit: “Die Welt von Gestern – Erinnerungen
eines Europäers”, Botimet “SANTORI”, Tiranë 2012, 440 faqe.)

 

Përktheu në shqip: Aristidh Ristani

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s