“STATUJA” I AUTORIT MYSLIM PASHA, NJË ROMAN MBI DIKTATURËN QË DUHET LEXUAR / Nga: SHPEND TOPOLLAJ

 

“STATUJA” I AUTORIT MYSLIM PASHA, NJË ROMAN MBI DIKTATURËN QË DUHET LEXUAR 

Askund tjetër, më qartë se në Shqipëri, nuk është shfaqur fytyra mizore e komunizmit. E quajmë të tillë, se ashtu pretendonte se ishte, Partia që sundoi për gati një gjysmë shekulli, mbi këtë popull fatkeq. Hollë – hollë, te ne u instalua regjimi megalloman i lavdikërkuesit më të paskrupullt, Enver Hoxhës, dhe për pasojë, popullin tonë e hoqi zvarrë me gënjeshtra e sllogane, enverizmi. Filozofi francez Bernard Henri Levi, thosh se “Të gjitha tragjeditë u kryen nga njerëz që donin të sillnin parajsën mbi tokë. Ato janë veprat e njerëzve të çmendur që mendonin se qenë të aftë të ndërtonin Qytetin e njerëzve, sipas imazhit të Qytetit të Zotit. Demokracia bie ndesh me këtë iluzion”. Mendoni pastaj Enver Hoxhën që edhe Zotit i shpalli luftë, duke dashur të formonte njeriun e ri, sipas ideve haluçinante të mendimit teorik të tij. Ishte i përveçëm dhe i pangjashëm me askënd tjetër ai sistem. Brezat që nuk e kanë jetuar, nuk do ta besojnë atë që ngjau me ne. Se edhe Frederiku i Madh i Prusisë, i cili qëndroi në fron sa Enveri, por jetoi plot dyqind vjet para tij, e dini si thosh?: “Me popullin tim kam bërë një marrëveshje: ai mund të thotë çfarë të dojë dhe unë të bëj çfarë të dua.” Pra, atij nuk i bëhej vonë se ç`thoshin për të dhe shtetin e tij. Kurse Enver Hoxha, jo vetëm të priste gjuhën edhe për një fjalë të vetme, por edhe sikur të dyshonte se mund të mendoje ndrysh, të priste kokën. Shoku im skënderbegas, Prof. dr. Elmaz Leci te libri i tij “Krime në kohën e komunizmi” e ka portetizuar mjaft saktë lugatin Enver Hoxha: “…Enveri dhe enverizmi ishte më i tmerrshmi, më i pa fytyri, më i pa shoku, më i pa shembullti, më i pa krahasueshmi, më i pa imagjinueshmi, më… dhe m – të nuk kanë fund sepse ai s`qe as shqpitar, sepse ai s`qe qenie njerëzore, sepse ai nuk kishte shpirt…” Natyrisht, ajo që ndodhi në Shqipëri, nuk kthehet pas. Veç, është për të vënë kujen, kur sheh, dëgjon e takon njerëz, që ende duan t`i bëjnë apologjinë atij sistemi gjakatar që na prishi racën, traditat e zakonet tona të mira, duke e shpërfytyruar njeriun. Leonardo Da Vinçi kujtonte se “Ai që nuk ndëshkon të keqen, do që ajo të bëhet”. Kolonel Elmazi, pedagog universiteti, flet me fakte e ngjarje të njohura botërisht, me dokumente të nxjerra nga arkivat. Por, këto ditë më ra në dorë një tjetër libër, i një tjetër skënderbegasi, i një tjetër pedagogu universiteti, i një tjetër Prof. dr. i një tjetër koloneli, që quhet Myslim Pashai dhe që njihet nga i madh e i vogël, për qëndrimin e tij burrëror e të mençur lidhur me tratativat për kufijtë detarë me Greqinë. Jo pa qëllim e theksova, qenien e tyre skënderbegas, për të treguar se çfarë kuadrosh atdhetarë, të përkushtuar, të kulturuar e plot talent nxori ajo shkollë. Por edhe sa të qartë, për të kuptuar e respektuar shndërrimin politik të vendit, dhe përqafimin e vendosjes së normave të reja demokratike të lirive të njeriut, orientimit politik të atdheut dhe aleancave ushtarake, janë kuadrot që dolën nga bankat e saj. Libri “Statuja” me autor Myslim Pashain është një roman, pra një vepër artistike, i cili brenda faqeve aq joshëse të tij, ka përfshirë një epokë të tërë, atë më të rëndën që kemi përjetuar. Protagonisti i saj është Ersoni, një oficer topograf, ish skënderbegas, i cili me ndershmërinë dhe besnikërinë e tij, beson në ato që zyrtarisht propagandohen. Vjen nga një familje pa fund e varfër dhe kur e dërgojnë në atë shkollë i duket se “Kishte shpëtuar nga rreckat dhe tepsia me lakra… Nuk kishte më kërcu nën kokë dhe hiri nuk të binte te hunda.” Ndaj, ai e kishte pranuar me shumë dëshirë përfshirjen si kandidat për Njeri të Ri. Autori, qysh këtu nis e punon me simbolika, të cilat i kanë përdorur fillimisht grekët e vjetër, si shenja konvencionale njohëse të pjestarëve të ndonjë organizate të fshehtë. Fola vetëm për simbolika, sikurse është shenja e lapidarit të udhëheqsit në mes të lulishtes, ku rastësisht në hartë gjendet ajo e një varri të vetmuar, dhe aspak për simbolizëm. Kjo vjen ngaqë ky autor e di mirë, pasi është edhe poet, se formimin e tij në këtë drejtim nuk e ka si të Verlenit, Rembosë a Stefan Malarmesë fjala vjen. Ai nuk mohon misionin shoqëror të letërsisë. Pse e di këtë, ndaj dhe shkruan. Po kështu, ai nuk i ngre himne vdekjes, dhe nuk përbuz jetën. Për këtë mjafton të kujtojmë dashurinë e oficerit Erson Pirgu me mësuesen Hera Muzaka nga Korkutasi. Ai nuk mund të jetë kurrsesi në një mendje edhe me vetë Bodëlerin i cili te poezia e tij “Korrespondencë”, shprehet se bota është një pyll simbolesh, ku me to perëndia u flet njerëzve dhe vetë njeriu e ka fundin tragjik, kurse universi fsheh në gjirin e vet mistiken. Sikur të mblidheshin skenografët më të mirë dhe t`u kërkohej të trajtonin surealizmin e atyre viteve në Shqipëri, nuk besoj se do ta përshkruanin atë më mirë se Myslim Pashai në këtë roman, nëpërmjet të vërtetave sa historike, aq dhe figurave të gjetura te fantazia krijuese, që s`është tjetër veçse pasqyrim origjinal i realitetit në ndërgjegjen e autorit. Ersoni, me bindjet dhe ndershmërinë e tij, është përfaqsuesi i një brezi të tërë. Ai jeton në një dalldi revolucionare, ku bën kujdes që edhe letrat që i dërgon të dashurës, të mbajnë era Ostrovsk, më shumë sesa Pushkin. Por jeton në një realitet të hidhur, ku eprorë si komisari Antidyrig (shihni sa e goditur), spiunë të rëndomtë, punonjës partie a sigurimi, shoqja Xh., madje dhe shumë nga ata që nuk donte ta besonte, pasi i kishte pasur shokë, sa u jepej rasti e sulmonin pa mëshirë, se ua errësonte shikimin e gjykimin kultura e tij. Ai, nga ana e tij, kishte propozuar që edhe një shkëmb, që i ngjante portretit të Enverit, të gdhendej e ta përjetësonte atë majë malit. Por e keqja qëndron gjetkë, tek ajo shenja e varrit në vend të statujës… për të cilën Ersoni bën relacionin ku thotë se “…të shkon mendja se “njëra shenjë e kërkon tjetrën; varri i vetmuar kërkon të fusë brenda vetes statujën e tij”. Bo, ç`telash! Por telashi nuk qëndron vetëm këtu; ai caktohet për një detyrë tepër sekrete dhe pasi ndahet nga gruaja, pas disa ditëve martesë, dërgohet me një mision special në B.S. Dhe vjen këtu, pas përmbysjes së madhe, por tani kockë e lëkurë, i hutuar dhe i zhgënjyer. Kishte lënë pas një vend surreal, të ndërtuar paradoksalisht nga ata që atë rrymë të nisur nga Apolineri që nga viti 1917 e të mbështetur nga psikanaliza e Z. Frojdit e kishin anatemuar, dhe gjen një realitet të trishtuar, ku shumë nga ata më të flaktët, tani ishin bërë demokratët më të mëdhenj. Dhe i stigmatizuari ishte ai, i ndershmi,që mendonte se po i shërbente atdheut dhe gruaja e tij besnike dhe e virtytshme, që mekanizmi që e konsideronte vidhë, e kishte përdorur djallëzisht për punët e veta. Atyre tani u duhet të pranojnë se janë nga klasa e përmbysur, si të tjerët dikur, vetëm e vetëm pse kishin besuar se “ishin grimca të përhumbura që vërtiten rreth orbitës së asaj statuje”. Ky roman është ndërtuar nga ato që francezët i quajnë soti (sottie – budallallëk), pra një lloj zhanri që praktikonte teatri i mesjetës, duke shfrytëzuar budallallëkun për të bërë humor, me anën e të cilit viheshin në lojë shfaqjet negative si të shoqërisë, ashtu edhe të politikës së kohës. Myslim Pashai nuk harron. Ai na risjell skena groreske, po në kundërshtim me mundësitë e përfytyrimit që ajo të jep, evokon skena e ngjarje nga ato të vërteta të asaj partie dhe atij pushteti tragji – komik. Disa prej tyre po i përmend: Rënia e një UFO – je në Dimal, bash aty ku zhvillohej stërvitja me kinezët, shkruarja e parullave nëpër mure si “Të gjithë shenjtorët janë spiuna”, dyndja e resë së karkalecave që mesa dukej i kishte dërguar armiku, bredhja rrugicë më rrugicë për një fustan nusërie, britma tmerruese e një derri të dënuar, Ameba dhe përbindëshi i naftës, ardhja rrotull e Komnena Muzakës për të gjetur minierën e floririt, shikimi i fallit te Tahirja edhe nga burra shteti (se që ta dini, këtë e bënte edhe vetë Stalini), përzënia nga karvani i krushqve i atij ballistit të dikurshëm, tuneli që niste atje dhe përfundonte në Pekin, frika nga aparati fotografik i markës “Pentagon”, dhe sidomos ajo Zyra e Prangave dhe si për t`i vënë vulën, ai përpilimi i atij ligjit për t`i lënë shokët e pushkatuar pa varr. Dhe shihni arsyetimin, sipas shoqs Xh.: “Sa u përket varreve të armiqve të brendshëm, nga ana jonë, është marrë një vendim për të cilin nuk ka as mbledhje e as një protokoll, po në heshtje mendim unanim për “humbje të varreve”, “fshehje në hapësira të panjohura, në shtresa e kënde të errëta”, “mbuluar me sa më shumë gurë e kërcunj, të pa gjetshëm”, “pa dimensione”, “pa standard”, sepse ata nuk meritojnë varre, se dheu nuk është i armiqve, por i gjithë popullit punonjës.” Dhe dihet se kush qenë këta armiq; gjeneralët, anëtarët e Byrosë Politike dhe të Komitetit Qendror, ministrat, drejtuesit e luftës së lavdishme nacional – çlirimtare dhe Heronjtë e Popullit. Shkrimtari Myslim Pashai në këtë libër, nuk kursen askënd; ai flet me emrat e tyre të vërtetë. Se vetëm kështu ata do të marrin njollën e merituar të turpit! Se qenë ata malukatër që i lanë në mjerim migjenian, të gjithë fshatarët dhe qytetarët e vendit, sikurse janë edhe ata të fshatrave ku zhvillohen këto ngjarje, pra andej nga Myzeqeja. Në mjerim jetojnë prindërit e Ersonit edhe pse ishin komunistë, edhe Marena, nëna e Herës, edhe kasollja ku strehohet Hera kur shkon vullnetare në Çorrogjaf, edhe nxënësit që vinë zbathur në shkollë, edhe të gjithë fshatarët që rropaten gjithë ditën arave, edhe ajo nëna e re që vret veten pasi nuk kishte bukë për fëmijët e saj, edhe ushtarët që darkoseshin me një gotë çaji. Dhe sa i dhimbshëm është takimi i Vitës, vajzës së Nerëzës së vetëvrarë me mësuesen e saj Herën, pikërisht kur atyre s`u fliste kush. Por akoma më e dhimbshëm është përgjigja që Vita i jep pyetjes së Ersonit se “Kush janë ata që po ngjiten te tuneli?”: “Njëri grup kërkon eshtrat e Klasave të Përmbysura, kurse tjetri, eshtrat e gjeneralëve dhe byroistëve varrhumbur, komunistë…” Dhe pastaj vijon dyzimi i Ersonit i cili teksa fshinte lotët e nxehtë të Herës së tij, hahej me vetveten: “Në cilin grup duhet të futem? Dua të kërkoj eshtrat e mia!” Ja, pikërisht këtë, nuk e di askush. Madje as vetë autori i këtij romani kaq bukur, me një leksik të përsosur, të stilit Jakov Xoxa dhe të realizuar nga një autor që aq sa i bën nder shkollës prej nga ka dalë, aq dhe e nderon veten si një shkrimtar me perspektivë të padiskutueshme në letrat shqipe. Përsa i takon simbolikës së statujës dhe asaj shenjës konvencionale të varrit te lulishtja, prej nga nisi kjo histori, m`u përballë teatrit “Bylis”, dhe ku u luajt realisht një dramë e tillë, urojmë që të jetë ogur i mirë, pasi udhëheqësi që na premtoi parajsën e na çoi drejt ferrit, dhe që ndërroi jetë në 11 Prill të vitit 1985, sepse më kujton atë thënien se “Ka të vdekur që duhen vrarë!” Vetë autori i këtij libri konkludon në një intervistë të tijën se: “Brenda meje ishte dhe mbetet Shqipëria, ideali kombëtar, i cili u përzje keqas me atë ideologjik” Dhe na verboi. Sot, s`ka arsye të mos nxjerrim mësime nga ajo që ngjau me ne. Veç atij që do të mbesë i verbër. Se jo statuja, por njeriu, thotë Çehovi, është boshti i botës.

Nga: SHPENDI TOPOLLAJ

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s