Poezi nga Nikollë Loka
Kur të mbarohet koha
Kur të mbarohet koha
e gjithçka të hidhet pas krahëve,
çveshur prej mitit,
në pikëpyetje kthehet Zbulesa,
në statuja varresh pret të sotmen e djeshmja,
rishfaqet refreni i mungesës, – pendesa.
Amshimi në kryqëzime shpirti mishërohet,
kryqi lëshohet përtokë si një hije,
çlirohen ideale të prangosura prej harrimit,
fryn një frymë përjetësie lulesh që çelin e zgjohen,
në vendtakime hamendjesh,
në mes dilemash të gjumit dhe zgjimit.
Për çdo ditë
Të marrësh hua dritë
për një vit,
e ta shlyesh
për çdo ditë ngapak,
nëse drita
të kthehet në bekim,
ta ndezësh çdo ditë
nga një qiri,
e nuk do të kesh kurrë
mot të vranët.
Të marrësh hua frymë
për një vit,
ta shlyesh
për çdo ditë ngapak.
Nëse fryma
të kthehet në frymëzim,
të ndash me të tjerët
çdo ditë
nga një varg.
Sa shumë flet!
Poet,
sa shumë flet për sytë e bukur,
sy që të mbysin ndër dallgë,
për sy të qielltë e të largët.
Poet më thuaj,
kur heshtja flet në vendin tuaj,
e ti veç je ujëvarë që zbret,
sapo të mbytesh në sy të huaj,
një copë qiell je vetë!
Pa sytë e tu,
si do ta kuptoje ngjyrën blu,
kur heshtja bëhet fjalë
e fjala bëhet heshtje,
që vdes në sy
e ringjallet në poezi,
ndër vargje vjershash.