Poezi nga Vasil Çuklla
Qyteti i Gurtë
Qyteti im,
nuk ka det!…
Ka gurë,
radhë – radhë.
Gurë të zinj,
gur të bardhë…
Nostalgojnë për një ledhë.
nënë prekjen
e një vale dritëlarë,
kur dritëdiellin
pështjell në vetvete.
Qyteti im…
I gurti qytet.
Ëmbëlgjumit
ëndërron,
vetëm dete.
Në vend të valëve,
Zoti, të fali gurë!
Gjene mirë –
them me vete:
S’kam dëgjuar kënd,
të të godasë me valë,
të të bjerë me dallgën
gjithë shkulm…
Qyteti im,
ëndërrimesh mbete.
Buzëmbrëmjesh
lan këmbët, në lum…
Pastërtor kridhesh,
ëndrrash,
në gjum!
Shpresëtar
Lerja, përherë shpresës,
të ndezur, një dritë!
Ndoshta, humbi rrugën,
mes territ të natës
Ndoshta, grahmon mjegullash
Ndoshta, u përshpirt…
Ndoshta vjen, përzhytur
mes zhegut dhe vapës.
Lerja përherë shpresës,
të ndezur, një dritë!
Është e verbër shpresa
Ndjen, por s’sheh nga sytë.
Epigram
Këtu prehet,
i pari,
i këtij vendi!
I pangishëm.
Kodosh.
Makut, si ai!…
Vetë e hapi varrin
para se të vdiste
Se ku “mbretëroi”,
s’la frymë,
as njeri!