Poezi nga Petraq Risto
***
Jam në kthim: pik shiu drejt detit
E di që do bie në krahun e një pulëbardhe
Që më pa në sy vitin e kaluar.
Jam pulëbardhë
Ende e kam në sy shikimin e një burri
E quante kthimin flirt.
TË VONUARIT…
Vonesat janë huqe stinësh
Duke jetuar mes stinëve dhe njerëzit vonojnë.
Të Vonuarit lindin skllevër: plagë kanë lirinë.
Secili prej nesh bën pjesë te Të Vonuarit
Mbytur në klithma befasimi, pasthirrma zhgënjimi
Vonesat janë huqe stinësh
Për njerëzit Vonesa: Histori Gabimi.
Para-ardhësit shpikën Paranë për ti bërë Pasardhësit: Të Vonuar
Tashmë gjithçka duhet blerë dhe vetja do paguar.
Vonesa: shpikje e nxitimit, rrëzohemi duke menduar.
Të Vonuarit s’arrijnë dhe kur janë duke vrapuar.
Qeveritë i njohin alienët: nuk na lënë të lidhemi me ta
Nga frika se mësojmë Të Vërtetën për Vonesat e Mëdha.
Dhe mund të lind Kryengritja e Vonesës…
Të Vonuarit janë shumë: shkojnë e vijnë në shkallare sistemesh
Vishen e zhvishen nga mantele simbolesh
Dhe vrapojnë në rrugë festivë para galopit të demave
Duke pritur t’u ngulen brirët në ijet e vonesave tokësore.
…të lind Kryengritja e Vonesës.