NDUE PAL SHLLAKU: Balada tragjike e një jetimi / aktor dhe poet / vdes në moshën 20 vjeçare (25 shkurt 1922 – 28 maj 1942) / Përgatiti materialin Kolec P. Traboini

NDUE PAL SHLLAKU

https://traboinipoezi.blogspot.com/2017/12/ndue-pal-shllaku-kange-gjumi-per-mue.html?fbclid=IwAR1VifKg6Tsck7sSXT_Ar81ZtTOTr2M2qg12GgZA93yYtEw4nsf43SmiUac

Balada tragjike e një jetimi / aktor dhe poet / vdes në moshën 20 vjeçare.

25 shkurt 1922 – 28 maj 1942

“Kangë gjumi për mue ishte zani i natyrës”

Ndue Pal Shllaku u lind më 25 shkurt 1922 në Shllak. Ishte biri i Pal Vuksanit dhe i Katrinës së Kolë Ndout, e cila ishte bijë Dushmani. Babai i vdiq shumë herët duke e lenë jetim një vjeç. Më vonë poeti i ardhshëm do të shkruante në ditarin e tij për fëmininë e vet: “… që në fëmini dishroj babën. Trupi i tij përkundej në shpinën e ngarkuese të s’amës. Kjante e veç lotët e syevet tue rige mbi mollza ia lmojshin faqet Ndout ferishte. Strehë pushimi dituer për Ndoun, ishte ndo’  i hije peme nder ara të zharituna ku e ama punonte për t’ushqye vedin e të voglin e sajë. Atë nuk e lmuen kurr duer delikate; por dy duer të vrazhda pune po shum të dashura nanë. Kangë gjumi ishte për të zani i natyrës”.

Kur ishte 3 vjeç së bashku me nënën zbritën në Shkodër. E ëma sakrifikoi gjithçka për të rritur e shkolluar të birin. Kështu Ndue Pal Shllaku ndoqi mësimet në Gjimnazin e Shkodrës. Hyn në shoqërinë Antoniane në vitet 1935-1936. Falë talentit merr pjesë në veprimtaritë artistike të qytetit si një aktor i ri shumë premtues. Janë të shumta shfaqjet ku ai merr pjese, apo edhe i përgatit vetë. Në vitit 1941 luan personazhin kryesor në tragjedinë me pesë akte “Thomas Moore” të Silvio Pelicës (1789-1854), dramë e përkthyer nga Padër Agustin Ashiku.

Mbështetur në librin “Zemra” të E. De Amiçis, kapitulli “Gjak Romanjolas” Ndue Pal Shllaku shkruan pjesën dramatike “Një natë tragjike” në te cilin luajti edhe vetë rolin e gjyshit.

Në krijimtarinë e Ndue Pal Shllaku, siç shkruan studiuesi Xhahid Bushati,  ka 30 poezi, 10 novela e novelëza, një ditar, një përrallë dhe shumë përkthime, me një dramë origjinale të titulluar “Omeri i ri” që arriti deri te akti i parë.  Në mars të vitit 1942, kur ishte në vitin e fundit të gjimnazit të Shkodrës, u sëmur rëndë. Dy muaj më pas, ndrron jetë në moshën 20 vjeçare, në kohën me të bukur të stinës e të jetës, më 28 maj 1942. Jeta e tij si një baladë jetimi, një tragjedi e dhimbshme për çdo zemër e për çdo skenë, aq pasiononte aq e shkurtër, si një meteor që aty nis e aty mbaron, por gjithësi i ka lënë gjurmët e dritës.

Per Ndue Pal Shllakun kanë shkruar:

XHAHID BUSHATI: …muajin e fundit e kuptoi se lulet dhe diellin e qershorit nuk do të arrinte t’i shihte më. Jeta për të çdo ditë vakej, tashmë ishte një shpresë e kotë… Megjithatë ai vazhdonte të shkruante… ashtu i shtrirë në copa letrash e në faqe të plota. Edhe pse dora dridhej e fjalët ishin të pasigurta, e shpesh ishin pranë njëra-tjetrës, e shpesh hynin në hisen e njëra-tjetrës (sepse ishte pamundësi vetëkontrolli), poeti ende shkruante nën trysninë e kacafytjes së jetës me vdekjen mizore.

 

LODJA:

Krahasoj prendveren t’ime:

Me vjeshtën që don me ardhë

Me jetën që Ty t’a mardhë,

Me natën që s’ka m’u zbardhë

Kurr ma.

E lott m’rrjedhin heshtueshëm

N’për zemrën e gandueme

N’për mollxat e zverdhueme

N’për vargjet e vorfnueme

O vlla.

(Vjeshtë!..- kushtue Ndue P. Shllakut-,

autori: Lodja, gaz.”Tomori”, 24.11.1942)

 

SHKODERS

-strofë të shkëputuna-

La marrje; ushqye n’tokë t’onë.

I korb i zi, me jarg ‘ i fjal’ jetës s’onë

Të rand’ i a paska thanë ktij vendi!!..

Çka? … Shkodra meni ?!

Nji za Ilirsh, i kohës së moçme

Qiell’n tue ça – ushton e vrret ala

Dhe ngjallë nji brimë n’kala

“Po Shkodra e sotshme?!”

Nji za i vetëm… t’parë as t’mbramë

S’permenden … Shqiptarët po i dijnë

Agron, Teut’ e Genc, … e , sa e sa që vijnë

Der’n’ Gjergjin famë.

Lumnija flet vet’, shkrue tujsh o Shkodër!

Për ty edhe bota mbar’ e qiella;

Të flasin ty, e hanë e hyj, e diella

Që shndrit’n mb’at kodër.

Shkod’r! Shkodra e zem’rs s’on’ ke me e pa

Prej kshtjellit t’and larg p’rmend’ mbi dhe

Djelmninë, që n’gji t’and t’ken le

Si m’t’ madhnue ka.

Ngreh’ pra ballin e, zanit t’armikut

Mënershem kercnoju e, rrembt’ vraja;

Ty, rrasa lumnije më t’mdhaja

T’ gdhenen çelikut.

 

RETË E PRENDIMIT

Knqem me ato re prendimi që qetas

Të kuq-ngjyme enden nepër qiell

                    dhe lehtas

Përulen, pushojnë e falen me diell!

N’ças n’ze mer pa pritë bjen mjerimi

N’ato re deshiri gjithçka zhduket

                    Shkelqimi

Ndrron n’hije t’errëta, kurrgja ma s’duket.

                    Humbet dhe’ j ditë.

 

LULËS

I qetë asht kopshti stolisë nder lule,

T’vokët’ e agimit flladi e tretë,

Qeshet dhe kndon, luleve bulë n’bule,

Eren e kandëshme kerkon m’e gjetë,

At erë dashnije, puhi shpirtnore

Zemren e cilla krejt i a ka zaptu,

At erë Hyjnore pranë s’cilles prore

Me ndejë kerkon der sa t’jenë shu

Pergjakë e dermishë ka duer nder ferra,

Tubzen e bukur dashnis m’i gershetu,

Synin e kthiellt, n’kujtime t’tija t’thella

Zemra i rreh, n’krahnuer tue kujtu

Nji lule tjeter, lule dashni je

Syvet së cillës veçse pika loti

Rrjellin t’argjanët, hirë pastri je

At shpirtë dashunon sa t’endet moti.

 

S’KUPTOJ !!!??

At ditë qi u pame

M’grabite menden!

At ditë qi u ndame,

M’coptove zemren!

Qesha dhe kjava

Me t’uejit sy

Por kuer u ndava,

Nuk t’pashë ma ty!!!?

Thu kshtu dashnija

Mu n’ças u shkim?!

E tash vetmija

Gjegjë Shpirtit t’im?!!!!


DIELLIT

T’falem o diell vezllimesh!

E ju rreze të shkëlxyeshme.

Që n’hare puthni malet

N’largim për i dit’ dëfrimesh

Që agon me ngjyra t’ndryshme!

Plot zemër e gjith i botë u falet!

Botuar: Tomori, 05.06.1942)

 

VORFNIJA E PASUNIJA

Vorfnija asht nji grue e shkretë

Me zemër plot mjerime;

Gjithmonë udhton n’deshprime,

Shpesh t’mson me e gzue kët jetë.

Pas’nij’a’j zojush’ e terbueme;

Të knaq’njat-her’ kur e ke,

Me t’ikë, at-her’ i mjer’je

Vishtir’m’e ba ma t’hatrueme.

 

Përgatiti: Kolec P.Traboini

11 shtator 2017

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s