Cikël poetik nga Armenida Qyqja

Cikël poetik nga Armenida Qyqja
 
 
PO JU VRITET LIRIA, O NJERËZ ?!
 
A mbytet kuja e vdekjes me zhurmë,
Pëshpërima e agonisë së litarit,
Që shtrëngohet fort pas fytit,
Rrapëllima e stolit që shëmbet përdhe…?!
 
O njerëz ku veni?!
Po iu vdes Liria,
Atje mes sheshit, ditën me diell…
Buçasin tallavatë lokaleve kudo,
Kakofoni e çmendur shurdhuese,
Televizorët ua mbytën mendimet,
E ju lanë veç me epshet
E kohëve primitive zgjuar…
 
Po iu vritet Liria, o popull i pafat!
Atje mes sheshit po e varin përsëri,
Arkivolin e saj, do mbani mbi supe,
Kudo që të shkoni!
Prej vdekjes nuk ka ikje…
 
 
 
LASGUSHI DHE IMITUESIT MODERNË
 
Ditë shtatori…
Dikush do ulet e do shkruaj me vrap,
Për vjeshtën e artë,
Për pjergullën e varur në kopësht,
Liqenin dhe shtërgun e fundit…
Nositë do mbijnë kudo nëpër vargje,
Dhe re që shtegtojnë…
 
Ah, poet i vjetër,
Kokën do tundësh atje mes reve, i heshtur,
Ky brez është ende më shpirtëzbrazur
Se i mëparshmi…
Mbylli sytë poet dhe fli!
“Fshati” ka kohë që ka rënë në gjumë,
Ka mbetur vetëm “kuitja” e zhabave,
Që veten adhurojnë,
Nën dritën e hënës, nëpër pellgje…
 
 
 
ME KUAJT E ERËS DO TË VIJ
 
Trokthet brenda zemrës tënde dëgjo!
Me kuajt e erës do të vij nëpër natë,
Me ritmin e rrahjeve mbi re do trokasin,
Vrapin do ta ndalin mbi jastëkun e bardhë.
 
Do të vij dhe do t’i gris perdet e lotëve,
Që dritën e hënës larg teje e mbajnë,
Mbi shpinën time do e mbart agun e fshehur,
Mbi shtratin tënd t’i shtroj petalet e zjarrtë.
 
Me kuajt e erës do të vij, i dashur,
Me flokët lëshuar dhe vrapin e marrosur,
Askund s’do të ndalem dhe frymën do mbaj,
Kokën të vë mbi gjoksin tënd të zhveshur…
Si te duken keto poezi?
 
 
 
JU QË SHITËT ATDHEUN…
 
Thomëni si blihet e shitet Atdheu,
Në ç’grushta, në ç’kandarë, në ç’torba?!
Thomëni si çohet në pazarin e mallit,
Si i vihet mbi ballë shenja e djallit?!
 
Thomëni o njerëz, si braktiset si mall pa zot,
Të tjerëve si u falet dheu i Atit?!
I plaçitur nga lavditë dhe legjendat e së shkuarës,
Me epitafin e zbardhur, pa emra heronjsh,
Nga historia i shpronësuar…
 
Thomëni ju bij plangprishës, të pangopur,
Në ç’tryeza, në ç’bankete,
Blihen dhe shiten varret e të parëve?!
Kur ora e fundit, si gjithë të tjerët t’ju vijë,
Në dheun e kujt,
Mauzoleumin bosh të kurmit do ta shtrini?!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s