Poemë nga Miradije Ramiqi
Puhizë
I
Me vjen të të shpall mbret
labirinteve të trupit tim
në emër të shpirtit të përbej
të fundmen dëshirë të ma falësh
të kaluarën tonë merr me vete
fshehe në atë mbretëri pikturë
mos lejo të të ikë
streho me xhelozi në krahëror
të shtrenjtën dashuri
pasuri që nuk shteron kurrë
II
Thanë
të ëndërruam në shtatë ndjeshmëri
si lashtësinë e Teutës
artefakte që nuk humben kurrë
antik me plotë histori
e pa(k)thyer në kalvarë kohe
Thanë
na jep një mundësi
të të ri-zbulojmë me dashuri
me përkëdhelje të mbulojmë
e falemi për ty
në kopshtin e Edenit
III
Më bëre të arrija edhe njëherë
atje ku isha dikur
në rizbulim pikturë e lashtë
të përbiroj vetminë që më ishte mbuluar
nga gjethet e vjeshtës së vonuar
arrita të kuptoja
për rininë e hershme
dhe ritmin e pleqërisë
pergamenë shkruaj me shekuj
me ngjyrë purpuri
përbirohej gjaku
nëpër trupin tim
i shprishur edhe atëherë
kur mendoja se nuk do të vije kurrë
puhizë freski e shpirtit tim.
Shkëputur nga vëllimi poetik “Hirësi përrallore”