Poezi nga Petrit Ruka
I NJËJTI FILM JETE
meditim
Ekrani i dritares mbushet me diell
nis filmi i vjetër pa titra, muzikë,
një plakë vlonjate taposur në zi
me burrin e vdekur pi kafen çdo ditë.
Një kat më lart Lilushka e bukur
var brekët në tel si rosa të vrara,
prej tyre pikë-pikë bien lot dashnorësh
vjersha poetësh gjithmonë të pashkruara.
Të gjitha me ngjyra qe s’i ka as ylberi
gji-mbajtëset bosh si kupa për verë,
djali i fqinjës që shkon në gjimnaz
tek i njëjti gur pengohet përherë.
Në katin përdhes dy pleq dominotë
i numërojnë ngadalë si ditët kokëposhtë,
Të parën dopiogjashtën e flakin nga duart
si të qe arkivoli me dymbëdhjetë gozhdë…
Të njëjtin film barbarisht poeti,
e sheh dhe futet në studio si murg,
Ta shkruash këtë mendon me vete
njësoj si të bësh nëntë vjet në burg.
Cilën të zgjedhësh si vargun e parë
breçkat e Lilës a kafen plot dhembje,
Cilën lloj kënge do bota e marrë
të shkoj e të rrijë si dritëz në mendje?!