Poezi nga Fatbardha Sulaj
***
si në trishtimet e Shubertit
rrjedh tejmbrëmja,
ku vjeshta bën strip rrugëve e dehur…
Dhe koha,
flokë shpupurisur
qaravitet,
nën tingujt e djeshëm
në opus 2 vjoline….,
sa çast i zbehur….!
…vij shpesh atje
në ariet tona të heshtura
dhe pse nuk bëj asnjë hap,
madje hapi ka mbetur
hije menduar…
Vij shpesh atje,
dhe tani aty jam
me perëndimin,
se di, a më ndjen…
Ti mbetesh…. Muzgu im
I dua muzgjet e vjeshtës
që menduar zbresin tokës
dhe ndezin yjet një nga një.
Pastaj thinjën prej drites së hënës
duke kënduar ninulla bulkthesh
trishtë.
Imazhi jot vjen i kaltër,
aq sa shprish
gjithë buzëmbrëmjet,
gjithë muzgjet
dhe nata merr tjetër ngjyrim.
Ashtu shkujdesur
larg, afër
ti mbetesh qartë
muzgu im….