BARIU / Tregim nga Preng Maca

BARIU

 

Tregim nga Preng Maca

As vetë nuk e di, se si u ndalua ajo makinë e shpejtë. Ata që udhëtonin më panë në sy,sikur do të më thoshin:“Hej çfarë pret?”

Unë i pashë njëherë,pak si i habitur lehtë , vetëm për heshtjen e tyre të deritashme, por me sa dukej atyre s`para u bëhej vonë çfarë mendoja unë.

Zbrita ngadalë, si për inat të tyre e në çast e pashë veten në mes të rrugës, tërë pluhur. Ata u nisën dhe unë vetëm atëherë e vura re,se me sa vrull ata u çliruan prej meje. Karroca u shkëput, si e çmendur, prej vrullit të kuajve të hazdisur e mua m’u duk, se i pashë flegrat e hapura të tyre, bishtat e ngritur përpjetë të kuajve, gatshëm të pushtojnë rrugë të tjera, të premtuar prej atyre që ishin në atë gjë me katër rrota e që quhej karrocë.

Thuajse i harruar, por aspak i hutuar, mbeta për një çast. E kam zakon dhe nuk mendoj për ato që i ka në dorë fati. Kam idenë, se jeta është një lloj harte e përcaktuar, për pasojë nuk kemi në dorë tjetër, veçse të përshkruajmë ato rrugë,aq të parathëna.

Ishte aty përpara këmbëve të një ure, më saktë pak para se të hyje në urë, në hyrje të saj. Ishte një urë e lashtë. Të krijonte idenë, se ishte aty e ndërtuar njëherësh me jetën njerëzore. Mezi mbahej në këmbë, por ishte fakt, se ajo ishte aty tek lidhte dy anët e atij lumi të përmendur në aq e aq kronika historish e ngjarjesh të lashta. Lidhte dy anët e atij lumi, që nga reshjet e verës dhe të vjeshtës shira shumë, shtonte fare pak. Gurët ishin aty- këtu, të rënë prej moshës së kahershme dhe ky fakt i kishte bërë ato të dukeshin, thuajse, si një e tërë.

Bash aty e pashë atë plak, kur pluhuri u darovit ashtu ngadalë, si një ëndërr. M`u duk i çuditshëm, sikur e kisha takuar diku më përpara, por nuk e shpjegoja dot, se si mund ta kisha takuar dhe ku. Pastaj ai njeri në atë vend të shkretë, pasi njerëzit gjendeshin aty vetëm, kur donin të kalonin në anën përtej nëpërmjet urës e nuk kishin kohë t`i bënin atij shoqëri,duke pasur gjithnjë në sy e në mendje: shtëpitë e tyre të shpërndara nëpër shpatet e maleve. Ndoshta vetë natyra i kishte dhënë atij atë privilegj të ishte, si një parathënie e asaj ure të lashtë .Çdo ditë e më pak kalonin njerëz, sepse ishte ndërtuar ura e re, ndërkohë ata që kishin interesat në atë anë kishin filluar e bëheshin gjithnjë e më të rrallë. Por ai të krijonte idenë, se më shumë ngjante me një njeri, që kishte një hall ,sesa dukej një njeri që priste “biletat” për të kaluar atë urë të lashtë.

E vura re se ai e priti me interes ardhjen time. U duk nga mënyra , se si u tendos lehtë, por syrit tim nuk i shpëtoi ajo gjendje e tij ndryshe.(E kam takuar diku patjetër thashë me vete.)Më dukej i njohur. Nuk e di ,se si me kë më ngjante, ndërkohë nuk mund ta mendoja krejt të huaj për mua. Një i huaj…i njohur, dhe qesha me vete. Thuajse e kisha folur a pëshpëritur, me buzë të mbyllura këtë mendim.

U afrova. Kishte një palë sy, lyer me një ndriçim të lehtë ,si një perëndim dielli. Duar të dala jashtë mëngëve, prej një veshje mjaft të vjetër , më shumë si mënyrë, se si të keqpërdorura. Një palë duar që më kujtonin …drurët e hardhive në fshatin, ku tashmë shkoja aq rrallë e më rrallë e shihja të gjitha gjërat me një habi përzier pa vetëdije me një admirim të fshehtë.

Koka e tij e vogël, krejt e bardhë dridhej lehtë ,aq lehtë , sa dukej se dikush i frynte ashtu e të bënte të kujtoheshe, për këtë sëmundje jo vetëm pleqërie. I drejtoi sytë ngadalë nga unë, ndërkaq po priste prej meje një fjalë.

_Si je o njeri?_fola unë ,ndërsa u kujdesova të mos e quaja plak.

…Më pa me një palë sy të trishtuar dhe …asgjë. Lexova në ato sy një hall të madh e të rëndë. Mendova, ndoshta vërtetë rasti e kishte sjellë të ndodhesha këtu, për të njohur një vuajtje të thellë njerëzore, pikturuar në fytyrën e këtij plaku të shkretë , i ardhur prej shekullit tjetër a më shumë, në këtë vend.

_Pse nuk flet o njeri? Kushedi , si është e shkruar e ndoshta unë mund të ndihmoj_

_Nuk bën dot asgjë._(Kishte folur dhe për mua ishte një çudi. Sapo kisha menduar, se mund të ishte një memec.)-Halli im dhe vuajtja ime janë të pariparueshme. Në njëfarë mënyre unë i kam merituar ato, ndërsa mendoj se tani ka kaluar masa e ndëshkimit. Jam merakosur ! Mendoj se më lexohet halli i madh edhe në fytyrë,-dhe heshti sërish.

_Nuk të kuptoj o njeri. Nuk e kuptoj se si mund të ndihmoj. Më thuaj emrin dhe unë do ta përhap ku të mundem,me të gjithë miqtë e mi hallin që mund të kesh. Do të bëj ta pamundurën të heq këtë hall, që më duket se e ke, këtë vuajtje të thellë. Të betohem , do të mundohem ta bëj. Do t`i bie rreth e qark botës, do të bëhem lajmëtari, se ti duhesh ndihmuar përderisa Zoti të ka falur në këtë botë…Më thuaj vetëm emrin dhe…_Nxora nga xhepi celularin , pasi e zhbllokova e hapa rubrikën e regjistrimeve e isha gati për ta shënuar atë emër, që tashmë po më bënte të ndjehesha i përkushtuar.

_Kjo e gjithë puna e vështirë dhe e pamundur, në të njëjtën kohë. Unë jam ai,…bariu i legjendës së vjetër, që gënjeu fshatin për ujkun në vathën e tij. Unë qesha me fshatin atë natë .

Një natë tjetër, ujku erdhi me të vërtetë,unë thirra fshatin, por ai nuk më besoi më. Ujku i preu një e nga një delet e mia, ndërsa e kuqja e gjakut të tyre u shkrua mbi lëkurën e tyre të bardhë, si bora. Asnjëherë më vonë fshati nuk më besoi më dhe më vonë, siç e sheh u katandisa kështu. E si mund të vdesësh, kur nuk të beson asnjeri. Nuk besohet lajmësi, përhapësi i lajmit të vdekjes time të mundshme e unë u gjeta në këtë lojë , për të cilën ndjehem vetë fajtor. Prej asaj ditë , kur u mundova të gënjeja fshatin,i ngrita vetes një kurth të pashoq e aq të pariparueshëm.Mundohesh më kot të më ndihmosh. Nuk bën dot gjë tanimë për mua. Kështu ndoshta ishte shkruar për mua…

Dridhej kur fliste. Më shikonte me një keqardhje e mllef njëherësh, që unë isha bërë një dëshmitar i një halli , për të cilin nuk afroja dot zgjidhje. Nuk i fola asnjë fjalë më. E përshëndeta lehtë me dorë dhe me një tundje të lehtë të kokës, e në çast ia ktheva shpinën. Rruga ishte drejt e larg dukej një kryqëzim plot me drita. Ishte në të perënduar. Dielli i një dite të nxehtë vere. Ktheva njëherë kokën pas.

Pashë edhe njëherë urën , atë plak të çuditshëm, thuajse spërkatur nga dielli i perëndimit , shquar aq pak në këtë buzëmbrëmje. U nisa sërish për rrugë.

Duhet të ecja,të nxitoja. Nuk më rrihej më në atë vend.

Në çast e pashë autobusin tek vinte me shpejtësi, pa ngritur pluhur. I bëra me shenjë dhe ai u ndalua e dera u hap në çast. Patjetër për mua është ndaluar , dyshova me veten time. Nuk u ngrit aspak pluhur dhe thuajse duke hipur unë e vura re se e kishte skapamenton lart. Ishte komod , me kondicioner e i rehatshëm. Plot me pasagjerë, përkundur , në gjumin e një udhëtimi të gjatë e të lodhshëm. Muzika e lehtë përhapej , sikur mbinte nga ajri.”Shpëtova” thashë me vete, por isha gabuar. Ai plak nuk më hiqej nga mendja , asnjë çast. Ktheva sytë poshtë, vura re relievin e vendit, prej të cilit isha shkëputur pak minuta më para.

Avioni ra në një jastëk ajri e më përshkoj një rrëqethje e lehtë kokë e këmbë. Po sikur të vdes në një aksident ajror? Vdekje e tmerrshme!

O Zot, çfarë po ndodhte me mua kështu? Poshtë barkut të avionit ishin dritat e qytetit të madh. Diku mes atyre dritave,tek një dritë të cilën nuk e shquaja dot tani , ndoshta do të jem pas pak, i qetë dhe i lumtur, se jam akoma gjallë. Ndërsa ai plak i vjetër ,që vdiste për të… vdekur. E vështirë për të formuluar hallin e tij, por e saktë se ai do të jepte gjithçka, që të mos ishte, por e kishte të pamundur. Kush do ta merrte mbi vete atë historinë e vjetër të bariut gënjeshtar. Asnjë. E kishte zor të vdiste.

Ndërsa ne lëviznim një burrë i shëndoshë erdhe drejt meje e më pyeti lehtë:_A keni abone?_

E nxora abonenë dhe, pasi e tregova ai vazhdoi më tutje më pasagjerët e tjerë. Pastaj autobusi u ndalua në stacion.”Medreseja” u dëgjua fatorinoja. Nuk më interesonte. Duhej të arrija në kohë në vendin e takimit ku e kishim lënë. Tek Kafe Evropa. E kisha bezdi të shkoja vonë nëpër takime , ndaj isha pak i shqetësuar. Me mendjen time po i shtyja minutat, si të isha në kohën e duhur aty, në atë takim. Drita të mbrëmjes, bori, drita ta shëtitores në riparim, akoma rrëmujë metropoli.

Sapo u ndalua autobusi urban, unë prita hapjen e derës dhe fluturova poshtë autobusit e në asfalt. E kalova rrugën përpara urbanit e në çast, një taksi turi verdhë desh më shtypi. Frenimi i menjëhershëm i saj bëri një zhurmë , si të një fishkëllime që të tremb, e natyrisht, pas saj u dëgjua zëri nervoz i taksistit

_Të ka marrë malli të vdesësh? _dhe një të sharë më pas, por unë nuk kisha kohë të merresha me atë, e aq më shumë se, faji ishte imi.

Ja bëra me shenjë me dorë , në vend të faljes, e vrapova, ndërsa në vesh më erdhën fjalët e tij të zemëruara. ”Të ka marrë malli të vdesësh?”

Nuk është gjithmonë një pyetje e pakuptimtë , mendova, ndërsa në mendja kisha atë bari atje larg që nuk vdiste dot.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s