Poezi nga Demir Gjergji
E RRËFYERA
Si syri pa syrin;
As dritë, as terr.
Mbi thonj, manikyrin,
Në zemër, zeher.
Bizhu pa ndriçim,
Teatër pa skenë.
Rënkon shpirti im,
Fytyra gënjen.
E qeshur pa zë,
E qarë pa lot,
Në ëndërr me Të,
Në shtrat me tim zot,
Ç’të bëj, o uratë,:
Të rroj a të vdes?
Andej, ferr e natë,
Këtej, jeta ters!
….
Dhe kryqin në faj,
Me buzë e gjen…
E puthur e saj
Ndez drurin e shenjtë!
E FSHEHTA E PASDITES ME TY
Askush nuk e di,
Nga ç’zgavër e Tokës u zgjua ky xhind.
E qimja u trand në shpinën e buallit të zi,
Dhe qelqi me verë ra çikë e grimë,
Që ti të kujtohesh për supin tim.
Askush s’do ta dijë…
Dhe rend planeti orbitës së tij.