Poezi nga Mihallaq Qilleri 

Poezi nga Mihallaq Qilleri 

 

V J E S H T A

Nuk flas për stinën, peisazhet e shndritshme,
Nuk flas për gjethet e pajeta të verdha si vdekja,
Nuk flas për barin anemik të ushqyer nga shirat e pakët,
Nuk flas për zogjtë që mërgojnë drejt Jugut,
Të lindur, të ngordhur këtu nga jeta.

Një vjeshtë vajtimi zgjatet indeve të ftohta
Një vjeshtë e parakohëshme në shpirtin rebel,
Një vjeshtë prag dimri që endet qosheve
Të qenies njeri dhe struket dhimbshëm,
Në zemrën e lagur, të lagur trishtueshëm..

Nuk flas për zogjtë që mërgojnë Jugut,
Për ikjen e madhe gjithsesi jam ulur këtu,
Në telat e gjata të telefonave të humbur,
Në erën e lagësht që fryn vajtueshëm,
Për gjethet e verdha të besimit të verbër,
Të dhimbjes që sjell largimi kështu..

Nuk flas për stinën, peisazhet e shndritshme,
Për gjethet e rëna, të vdekura gjithsesi,
Prarimi i dikurshëm ka mbetur i tretur,
Si një dorë e shtrirë, e butë e malluar,
E cunguar, e pa jetë më ngjan tani..

Nuk flas për barin anemik nga shirat e pakët,
Për shpirtin e mardhur, braktisur, mashtruar,
Për dimrin që vjen, me dëborë dhe shi..
Për zemrën e lagur të qenies ..njeri.!

 

S T R E H A

Për dore mbaje frutin e ankthshëm të marrëzisë,
Fëmijën faqekuq, të bukur si trandafil në maj,
Unë endesha i vetmuar në skajin tjetër të vetmisë,
Tronditur nga frika jote dhe mëkati – faj.

Ndriste një diell i shëmtuar, i nxehtë,
Vështimet e botës e bënin akoma më torturë,
Nuk kishte strehë të na mbronte aq lehtë,
Veç një kishëze që se kishim vënë re kurrë..

Unë dhe ti ulur ndënjëseve nën të rëndën hije
Dhimbshëm shtrëngonin duart në fshehtësi,
Ndërsa fëmija vështronte ikonat martire,
Sikur u lutej shënjtorëve ta mbronin ata tani..

Më thoshje zëulët se bota qe kupë helmi,
Dhe ti duhej ta pije vajtueshëm kështu,
Ne fajtorët ndëshkohemi një ditë prej qiellit,
Ndaj dashuria-mëkat do hedhur në humnerë diku..

Kupa-qiell e kishës me ëngjëj vizatuar,
Fytyra e fëmijës-rob tronditur sa s’kish më,
Ti sy-lotë më shtrëngoje duart e malluar,
Nën atë strehëz shpirtrash pa gjak, pa zë…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s