24 ORË NGA JETA E NJË BLIRI☘️ / Tregim nga Gentiana Kone

24 ORË NGA JETA E NJË BLIRI☘️

 

Tregim nga Gentiana Kone

Bashkë me ardhjen e Postës, udhës sonë ju shtua përveç një godine edhe një banor i ri, një pemë bliri. Vargu i gjatë i pemëve në të dyja anët e udhës nuk priste që kaq vite më vonë pas vendosjes së tyre, një sivëlla i së njëjtës familje do të vendosej pranë, por jo në një radhë me to. Kjo e shqetësoi pak rregullin e përgjithshëm të blirëve, por më në fund gjithkush ra në një mendje që drejtori i Postës ishte funksionari më i lartë në rang dhe i takonte atij të vendoste.
Bliri i ri kishte pritur, me një kërshëri që rritej me minutat, se ku do ta shpinin. Me rrënjët e futura në thasë të mëdhenj dhe trungun që baraspeshohej midis katër litarëve, gjatë gjithë udhëtimit mbi kamion, u mundua të lexonte emrat e rrugëve, për t’i shkruar me një degë të hollë mbi fletët gjethe. Donte t’i kërkonte në hartën e pemëve më vonë, por ngazëllimi që ndjeu kur pa simotrat e sivëllezërit e tij vendosur në katër vargje rreth ringut të qytetit, e bëri që zemra t’i rrihte fort e të harronte çka kishte vendosur më parë.
Pasi e vunë në shtëpinë e hapur enkas për të, punëtorët e ujitën gjatë, derisa toka e shkrifët u nginj me ujë. Dremitja e lehtë që e kapi, pasi etjen e shoi plotësisht, me ardhjen e natës së ngrohtë, u shndërrua në një gjumë të thellë e çlodhës.
Agun e priti me fëshfërimë padurimi gjethesh, teksa aroma e luleve fluronte përreth.
E para që u shfaq në udhë qe një siluetë e vogël si pikpyetje e shoqëruar nga një katërkëmbësh lëmsh i pushtë. Hapat i hidhnin ngadalë, gati-gati sikur nuk donin t’i rëndonin kalldrëmit që udhën mbulonte. Ndaluan një çast përpara banorit të ri dhe konia do t’i kishte uruar mirëseardhjen sipas mënyrës së saj, sikur i zoti mos t’ia tërhiqte pak rripin në shenjë paralajmërimi. Ngriti kokën e vogël drejt viganit të blertë dhe e kundroi me sytë e saj të zinj, të rënduar prej viteve që mbante mbi çdo fije të leshtë bardhore. Edhe silueta e plakur u mundua të bënte të njëjtën lëvizje, por harku i formuar mbi shpinë nuk e la. Grimca e vogël që kapi, qe e mjaftueshme që bliri të kuptonte që tiparet e dy vizitorëve ishin çuditërisht të ngjashme!
Lëvizja e lehtë e bishtit të kones qe sinjali për t’u vënë sërisht në udhë.
Një dyshe e re u shfaq sërish, por këtë herë krejt e njëjtë në veshjen e portokalltë dhe në veglat që mbanin në duar. Me një ecje ritmike i lëviznin ato njëkohësisht dhe pas tyre udha mbetej krejt e pastër nga shenjat e gjumit natësor.
Pa i kushtuar as edhe një vështrim, kaluan përpara blirit për të vazhduar më tej, derisa u zhdukën pas kthesës së parë. Ndërkohë, Hyu i ngrohtë ishte shfaqur në hapësirën e pafund kaltërore. Rrezet, bijat e tij, puthën me ëmbëlsi çdo gjethe e lule të të porsaardhurit dhe përmes gjethnajës lëshuan atë dritën e tyre të rallë, që blirin e përqethi deri në rrënjët nën tokë.
Udha tashmë ishte mbushur me njerëz e mjete të ndryshme, që të përbashkët kishin vetëm nxitimin për të arritur diku.
Këmbana e kishës në krye të udhës kumboi 9 herë, kur porta e madhe e qelqtë e Postës u hap.
Një skuadron i veshur me uniforma blu, ku vetëm një shirit i kuq rethonte kapelet mbi kokë, doli për t’u shpërndarë si një trumbë zogjsh në të gjitha drejtimet.
Bliri ishte i kurreshtur të dinte ç’mund të përmbanin ato fletë të mbyllura ndër zarfe, fletë që ngjanin me gjethet e tij, aq të shumta ishin, por askush nga trumba nuk kishte kohë për të ndejtur sadopak me të.
“Një herë tjetër!”, mendoi teksa nga tre kafenetë e udhës, aroma e kafes së porsabluar përzihej me fishkëllimën e makinës së ekspresit, për të arritur ndjellëse deri te degët e tij. Kamarierët fshinin tavolinat e rrumbullta njëkëmbore dhe karriget rreth tyre prisnin në heshtje me durimin kashtor.
Përveç kishës, kafeneve dhe Postës, udha kishte një floktore, disa dyqane veshjesh, si dhe një bukëpjekës. Të gjitha ndodheshin në katet përdhese e përmbi to ngriheshin katet e apartamenteve, që përfundonin në oaze të blerta. Fasadat ishin në të bardhën e vezës dhe bukursoheshin nga ornamente, që hark rrinin mbi sytë dritare. Ballkonet e rrethuara nga parmakë në hekur të rrahur mjeshtërisht, ishin të mbushur me vazo, nga ku geraniumet varës zgjasnin lulet e tyre rozë a të kuqe.
Më shumë nga të gjithë blirit i pëlqenin fëmijët e vegjël, që vraponin sa para e mbrapa mëmave të tyre, me ngazëllimin për të zbuluar botën e madhe. Ishin të parët ata që e vinin re dhe me gishtin drejtuar tek ai, mes thirrmash gëzimi, lëshonin përrenj fjalësh për t’i tërhequr vëmendjen mëmave. Këto të fundit i dëgjonin me një sy drejtuar tek i vogëlthi tjetër, që në karrocë flinte qetësisht.
Me t’ju afruar banorit të ri, zgjasnin duart e tyre të vogla dhe trungun e preknin me admirim të dukshëm në sytë plot dritë.
Ato prekje i shijoi si një tortë të ëmbël shkumore, ku ëndrrat janë mbledhur në qershinë, në majë të saj.
Orët kaluan qetë-qetë, mbushur me aroma e ngjyra të ndryshme, shoqëruar në çdonjërën prej tyre nga kumbimi i këmbanës së bronztë.
Kur qielli mori një ngjyrë të purpurt e rrezet e diellit filluan të shkurtohen pak nga pak, një tingull më i butë dhe i ëmbël se ai i këmbanores, u dëgjua në krye të udhës. Pas një fragmenti minute fëmijët, edhe ata që bliri s’i kishte parë deri atë çast, rendën në udhë drejt tingullit që afrohej me një zhurmë nanuritëse rrotash mbi kalldrëm.
Nga anët ku kishte lindur, bliri mbante mend vetëm hapësirat e blerta.
Me kurreshtje fërfëlliti paksa gjethet, aq sa të mund të shikonte burimin e tingullit.
Mbi 4 rrota të mëdha rrinte një karrocë e bardhë e rrethuar nga një shirit i kaltër, ku fjala AKULLORE ishte shkruar me gërma të kuqe. Një djalë i ri vinte një nga një ca toptha me ngjyra mbi disa kausha biskote dhe jua zgjaste fëmijve.
Blirin e mbyti kurreshtja, por vështrimi i pemëve të tjera e bëri të përmbahet.
Mundet që kurrë nuk do ta kishte provuar shijen e akullores, nëse një fëmije nuk do t’i binte kaushi nga dora pikërisht kur ndodhej pranë blirit.
Ëmbëlsia e masës së freskët që i ra mbi trup, e bëri të mbyllte sytë nga kënaqësia dhe gjithkujt që ia përcolli atë shije, që nga gjethet e deri lulet e tij, shpallën që kurrë në jetë nuk kishin provuar gjë më të shijshme.
Pasi asnjë fëmijë nuk kishte mbetur pa akullore, shitësi u largua me biçikleten e tij karrocë.
Pas ikjes së tij, ra qetësia dhe me afrimin e mbrëmjes zërat u shuan pas mureve të gurta, teksa dritat në çdo dhomë dritaret ndriçonin.
Lulet e ballkoneve kishin rënë me kohë në gjumë, kur dy mëllenja të ardhura nga larg u vendosën në një nga degët e blirit, nën gjethnajën më të shpeshtë të tij. Të lodhura cicëruan pak në gjuhën e zogjve, për të mbështetur më pas kokën mes krahëve puplore e për të rënë në gjumë.
“Folenë për zogjtë që do të lindin, do ta ndërtojmë nesër, në ag!”
Këto ishin fjalët e fundit që bliri dëgjoi para se edhe atë ta mbështillte gjumi në krahët e tij.
Nata kishte ardhur e plotë dhe e paqtë.
Nga lart hëna ndriçonte me velin e saj qumështor udhën ku një bli i vetëm, para godinës së Postës, qëndronte pak më përpara se vargu i blirëve të tjerë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s