Edicioni XIII: Merita Paparisto (Canada, Albania) / Poetë të Takimit Poetik Ndërkombëtar: “Trirema e Poezisë Joniane” – Klubi i Krijuesve Jonianë, Sarandë, Albania (27 Shtator – 29 Shtator 2019)

Merita Paparisto (Canada, Albania)

Merita Paparisto lindi dhe u rrit në qytetin e Elbasanit, ku kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë dhe rinisë. Më pas emigroi në Kanada në qytetin e Torontos ku jeton edhe sot. Ka mbaruar Fakultetin Ekonomiknë, Universitetin e Tiranës.
Ka botuar tre libra, dy me poezi : “Kristal në mjegull” dhe “Përtej…” si dhe një libër me tregime të zgjedhura nga autorë të ndryshëm të huaj, të përkthyer nga vetë ajo në gjuhën shqipe.
Ka gati për botim një libër me tregime si dhe librin e saj të tretë me poezi, të cilët do botohen së shpejti.

 

TRE
(Triptik)

Bar-korrësja

Si do t’i pres? Fije të brishta të gjelbërta,
luledele të vogla. Lulezogu, lulegjarpëri
lule tërfili, kandilçyçe , manushaqe …
Lule të lëndinës së fëmijërisë time…
Lëndinë rebele, e çrregullt, pa simetri…
…për të krijuar një tapet jeshil të rregullt
me fije të qethura në lartësi të njëjtë…
paas një lule?

 

Meditim

Qoshi gjithmonë aty kishte mbetur
“Shtëpizë“ e heshtur
me flokë herë qethur shkurt
e herë erëmirë mbledhur mallit
brenda kafazit të krahërorit.
Mbi flokët e sapoqethura
unë rrija këmbëkryq
e pluhur bëhesha
fryrë nga era shumë lart në qiell…
Ti bëheshe gjarpëri i vogël
me të cilin unë duhet të ndaja “shtëpizën”.

 

Luleportokalli

“Kam vrarë një burrë “, më the,
krejt pafajësisht një natë Maji…
por unë të pashë,
në deje të rridhte aromë luleportokalli
tunikën e qiellit mbaje veshur
dhe harku e shigjeta në dorë të shndriste
“Krejt pafajësisht”, më the
por unë t’i pashë në duar
njollat që përpiqeshe t’i fshihje…
më të rënda se gjaku lotët e një burri të dashuruar
që pikonin nën një hardhi të lulëzuar…

 

Përqafim

Përqafimi është një gjë e thjeshtë
me krahët e mbështjellë
në shpatullat e tjetrit,
ka vetëm fijet e brinjëve
të mbivendosura mbi njëra- tjetrën,
një zjarr të vogël që merr frymë
në oxhak’ të krahërorit…
dhe asgjë më…

Gropëza midis qafës dhe supit
është lugina e vogël e mallit
ku koka lëshohet e pa pushtetëshme,
prehër’ i kujtimeve të ëmbla
mbledhur në hojet e kohës së shkuar

Dorëzohu në përqafim dhe do shohësh
që një shkurrëzë trëndafili të egër
do mbijë në gropëz të mallit.

 

Tabllo

Shpirti është një flutur krahëverdhë
që rrotull vjen rreth një fari…

së largu një anije me krahët e erës
e rraskapitur, nuk gjen vënd ku të ndalet…

një fëmijë i zbathur në bregun e lagur
mbledh vargjet e humbura dhe fjalët.
………………………………………………………

Përse zmadhohet ky diell kur vdes?
Zmadhohet, dhëmb, dhe vaket…

 

Poetë të Takimit Poetik Ndërkombëtar “Trirema e Poezisë Joniane”
Klubi i Krijuesve Jonianë, Sarandë, Albania
27 Shtator – 29 Shtator 2019
Edicioni XIII

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s