Poezi nga Fatbardha Sulaj
VJESHTË BOHEME
Tani ka veç horizonte
të brishta,
shi endacak,
vjeshtë boheme,
e kuqe tjegull kamine
që buzëqesh.
Tani asgjëja
bëhet qiellgërvishtëse
e ëndrrave që u përkundën
djepave naivë,
diku në
hapësira hënore të largëta….
NETËT E LUSISË
Kur më ndiqte ëndrra
netëve të Lusisë
rrëzoja tempuj
rrugëve të Orfeut
dhe zhbëja tulipanët
në petal mavi…
Kur përndiqej hëna
errësirës,
në zenit gri
sirenat këndonin këngën e trishtimit…
***
Ndoshta ishte dashuri
që lind dimrave të vetmuar
dhe rritet me lulet e para të shkurtit.
Ndoshta ishte dashuri
në petale pranverash,
që era i rrëzon
lehtësisht.
Dashuri rubin,
prej galerive të shpirtit
mbuluar me xeherorë të dhimbshëm
të kultit të kuq….
STACIONI
Luajtëm valsin e hënës
dhe pse s’më the të dua,
ashtu në fragmente kohe të shkëputura …
Përkulje trupi
deri në nderimin e tokës…
Luajtëm valsin e hënës
si balerinë,
pluhuri, dhoma, orenditë,
ishin dekori që zhbënte vakumin
e fonisë së heshtjes…
Ndërsa dritat ndizeshin
dhe nata nxehej, ftohej,
deri sa u shfaq
stacioni….