Poezi nga Rudina Muharreli Beja

Poezi nga Rudina Muharreli Beja

 

FOTOGRAFI

E heshtura ime!
E gatshme të më mbështjellësh
me të fshehtat fjalë?
Shenjtorja ime!
Djep i ngadhënjimeve…
Më puth ngadalë …

Lule që jeton pa ujë, pa bujë,
ujitesh në krojet e syve të mi…
Afër më ndjen, ndonëse larg,  kaq larg…
Malli im,  shtrënguar lak!

Dora që zgjatet eterit,
një prarim të fsheh.
Ikjes, një lot ia shton
Ashtin me heshtë shpon.

Fytyra e ligur.
Buza fikur.
Flokët brymë plot!
Zemër që rreh njëherësh me timen
Fotografia,  që mbaj në gji nga mot!

 

FUNDIT TË VJESHTËS

Dielli arratiset nëpër shkrepa të bardhë
e unë me të nëpër dimër…

Thahet buzëqeshja,
i ftohti mërmërin shpirtit,
në kockë thëllin,
bota nxiton natën,
përreth gjithçka ngrin…

Me akull honet mbushur,
tek eci buzë ndjenjave,
panoramës së heshtur,
dëshirës së harruar…
fundit të vjeshtës.

Një fllad fryn mbi lëkurë
më bën të pandjeshme
ndaj kërcitjes së degëve drurë…
Heshtje e mbështjellur shall
fjalës së rëndë gur…

 

ASKUSH NUK SHEH

Shtypur prej peshës së rëndë të pleqërisë,
e  vetmisë,
askush nuk sheh…,
tek fle dhe pak, që dita shpejt mos të nisë,
Lodhja, kërrusur botës së ndarë dysh…
gënjeshtrave pa fund
tymin nxjerr oxhak!
Humanizmi mërguar larg.

Kush je kalimtar?
Syri i njelmë s’ të njeh
Më dukesh i neveritur,
tek shtrembër  sheh?!
Ç’ di për lotin tim,
sakrifica e shtigje
të times jetë ardhur nga të frikshmet brigje.

A di për fëmijët e mi?
Janë mirë?
Ç’ di, ti kalimtar?
Me mallkim vetmie veten rrethoj
Unë s’ jam askush për ty!
Një i varfër, lypës…
Një plak i lodhur, që hua,
pak dashuri kërkoj.

 

JETO!

Më the të dal nga ëndrra
Të të shoh në sy.
U binda.
Sytë flakëruan…
Diç fshihej
shkretëtirës së shpirtit.
Edhe për ty!

Ëndrra mbaroi…

Vjeshtë e fundit!
Të harrojmë ç’ thamë!
E di, s’mjafton një jetë…
Merre dhe timen…
Ajo s’ vazhdon më pa ty!
Më përkund era e pikëllimit
Për dashuri vdes veç njëherë!
Jeto edhe ti!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s