Poezi nga Agron Shele

Poezi nga Agron Shele

 

Leskaj

Më kthe sërish në vendet e mia,
atje ku mjegulla ende zë fill,
atje ku shkëmbinjtë kreshpërojnë lartësitë,
atje ku përjetë prehet shpirti im.

Tek ai lis në brinjë ku kam luajtur fëmijë
e krahët hapur mbeten për çudi,
tek ai ai lëmë ku ngriheshin pëllumbat e egër
e turreshin qiellit përherë fluturim.

Pastaj malet mbuluar me borë
e krojet e ftohta gurgullimë,
një zë bilbili më zgjonte çdo mëngjes
e një vatër zjarri më priste aty.

Hapat nxitonin e gjunjët përthyer
kalldrëmeve të gurta që s’kishin mbarim
më tej një breg që ngrihej pëmbi brigje
e nëna ime përherë në pritje.

Shikoj luadhet si shfaqen përpjetë
në rrugë sorkadhesh kalonin për çdo gjurmë
e këmbët e hedhura kudo nëpër jetë
më sjellin tek ty, tek ty vendi im!

 

Çfarë mund të thuash më tepër

Çfarë mund të shikosh më shumë pas shtjellës së një tymnaje
veç mjegullisë që shformëson format kaotike
nikotinës së zverdhur
e gishtave që ushqejnë pa reshtur frymarrjen e sëmurë
të një qielli zverdhur si vjeshta,
nga dhimbja e tokës,
që zgjuar ka titanët
fuqinë e tyre të përmbysjes
në stuhi të tmerrshme verbimi,
për pak diell,
pak lavdi
e flamuj të shkelur ndër këmbë
rrëmbyer nga ajo flladitje lirie,
shkëmbit të bardhë
që jehon ulërimën e uritur të ujqërve
për gjak,
sprovë mbijetese mbi dhimbjen
e gjurmë bore të përskuqur
faqeve të çjerrura të atdheut.

Çfarë mund të shikosh përtej atij deti
veç lakejve që memorien e lidhin me lakminë
etjen e ethshme
pas tributeve të tyre
shfaqur si orakuj para turmave të uritura
që vështrimin e hedhin gjer në kufijtë e skamjes
e ashtu si skllevër të përbotshëm
kanë ulur kokë e shpirt
e gjunjëzuar pas djajve të kthyer nga ferri
brohorasin pa reshtur, të tyren herezi.

Çfarë mund të thuash më tepër
për kalorësin që rend në epokën e dritës me shpatë
e mbrapsht shalon kalin e tij,
fasadat xham i duken kështjella
e pallati i kuq mbretëri,
ëndrrat me sy hapur shikon për çdo natë
dhe tërë ata që e rrethojnë kërcënim,
se një ditë ndoshta do ia marrin fronin
e dielli kurrë më nuk do lindë,
nëndhesave të dikurshme do rikthehet sërish
për pak lëmoshë, që gjallë të mbajë frymën.

 

Dallgë

Është oshëtimë që vjen nga përtejdetet
muzikë e nimfave që flenë në gji perëndish
muzës së heshtur nëpër natë
e feksje yjesh,
të një rrëzëllimi që sharmin heq
e përndrit,
të vetmin shpirt endur nëpër qiell
ngritur madhështisë gjer në memorie
mbetur
shenjë e vetme, flokë – dallgë.

Prehen ato
në një liman që anijet e kanë braktisur,
fillikat,
në stuhinë që mbillet tinëzisht
e ngre tjetër shkumëzim
në stërkala të rrëmbyera nga jelet e kuajve të bardhë
turfullim
i një deti trazim.

Regëtimat i dëgjoj dhe sot,
s’ janë psalt,
as mërmërimë murgjërish që enden nëpër kohë,
as kambanore që bien në ritet e harruara,
janë grishje e një fluturimi të përhumbur
e pendë sakrificash rrëzuar nëpër rërë,
si gjurmë njohje
e asaj që ka shkelur
dhe etjen shuan
në të fundit gjatësi vetëflijim.

Vështrim i syve shkon përtej horizontit
tjetër dritë përshfaq,
fshehur pas reve që dallgëzojnë flokët
nëpër gishta fëshfërimash luan me to,
të një stine,
që ngjyrat ndez
e ngjyra zhvesh në rrëzime gjethesh,
ashtu mëkatit që i lind
përbaltur,
e ngritur në re të tymta pluhuri
trungjeve të heshtur mes parkut
në pritje të limfës,
që sërish jetën ta veshë në gjelbërim.

 

Ti pyet

Ti pyet për udhëtarin e detrave,
ai që humbet kufijve dallgë
e në sytë e tij të kaltert
rrëmben vështrimet e fshehura
të sirenave,
që ndjekin të fundit shkëlqim
tretur shtëngatës
e përhumbur
në më të thellin ngjiriz.

Ti pyet
për fatet e humbura
në një brendi jete që ka humbur sensin kohë,
zbret perënditë në tokë
e ngre në qiell ëndrrat e shkuara,
krahëve të pulëbardhave
regëtimës pëshpërimë
tingujve kodifikuar
në pasthirrma shpirti
e dëshirë e më te thellit shpirt.

Ti pyet,
si arrij unë gjer tek ty
shkallareve të padukshme
frymë e erës së mbrëmjes
ardhur nga pylli i mështenkave
zbritur gjer në qerpik,
e ai vështrim përhumbur nëpër Hënë
arratiset,
nëpër natën e çmendur,
të një vezullimi të heshtur,
që prek me reflekset dritë
e rizgjon,
si përherë, të njëjtën dashuri!

 

Mësuesi i vizatimit

Sot, ai do mësojë të pikturojë gjethen
në të tëra stinët e saj,
në pranverë, kur damarët ushqejnë blerimin e një krimb ndoshta e bren,
por dhe në vjeshtë kur ngjyrë ndryshon,
ose presën e hekurt
e të akullt,
për të rrëzuar çdo kurorë që botën ndrit
e bashkë me erën
dhe ndryshkun e vet që kallo ka zënë
e pret paskoha,
që ta fshijë pa mëshirë,
në fund të një moli,
ku anijet kanë kohë që nuk mbrrijnë.

Pastaj përjetësia
sëmundje e “unit”
endur në delir të rrënjëve shprishur e ushqyer me gjak
do zgjasë fare pak,
aq sa zukatja e mushkonjave
që zbukurojnë çuditërisht sallonin e ri
në albume demode
dhuratë e besdisëshme për botën moderne,
ku penelata ngjyrë e murrëtyer,
thjesht përbën kosto të humbur
të përzgjedhjes
e bojatisjes hedhur kuturu,
furça që shformësojnë fasadën e ngritur
në kërpudha të mbira pas shiut
e shfaqur
si kryevepra para shekullit të lindjes së njeriut.

 

Përflakjes diell

Shpirtin tim
dua të vesh magjisë tënde,
ta braktis vetminë për një çast,
të humbas atij fluturimi pa fund
në detin e dallgëve
trukjes përplasje
valë e derdhur në shkëmb
prehjes së vetme masivit trazuar
paqes së rimishëruar në gjithë këtë tallaz.

Si në rrethin e fundit të vallëzimit
të pulëbardhave të njelmëta,
nën regëtimën e tyre
pasthirrmave tinguj e thirrjesh
të endem sërish,
në gërmëzime fjalësh të pashkruara
mbetur gjurmë
bregut të gjatë që rrëmben vështrimin
e kthen
të njëjtën buzëqeshje
çelur në buzë horizontesh të pëflakura dielli.

2 thoughts on “Poezi nga Agron Shele

  1. Though I could not understand the meanings of your poems, wading through the text, I could guage the sensative nuances of your poetic narrative dear poet. Many congratulations.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s