VAJZA E DASHURUAR – Poezi nga ABEDIN PASHA DINO – *Nderi i Kombit (1843- 1908) / Përktheu nga orgjinali: Iliaz Bobaj

ABEDIN PASHA DINO(Nderi i Kombit)
(1843- 1908)

https://sq.wikipedia.org/wiki/Abedin_pash%C3%AB_Dino

Abedin Pasha Dinos, ka qenë ministër i jashtëm i Perandorisë Otomane dhe një javë Vali i Madh (Kryeministër). Personalitet i shquar i kësaj perandorie, i vlerësuar shumë në Europë. Përveç shqipes, njihte mirë greqishten, turqishten, arabishten, frëngjishten, persishten. Është i pari shqiptar që ka marrë Shiritin e Madh Francez të Legjionit të Nderit dhe shumë dekorata të tjera.
U lind në vitin 1843 në Prevezë dhe vdiq në Stamboll në vitin 1908, sipas të gjitha gjasave, i helmuar me ”kafen e Sulltanit”. Ka qenë edhe poet. Poezia e mëposhtme është shkëputur prej librit të tij të vetëm me poezi, libër, të cilin e kam përkthyer të plotë në gjuhën shqipe. Lexim të kendshëm dhe të diel të bukur !

VAJZA E DASHURUAR

Një vashëz engjëllore mbi detin i mban sytë,
porsi era e natës në shpirt thellë psherëtin.
Kërkon një anije të çajë dallgën paanë,
por në vend të anijes, përpara sheh një varr.

Sheh diellin e kuq, si gjaku i zemrës vetë,
në det duke perënduar, mbretërisht, i qetë,
Syri i saj s’lëviz, veç gjak e lotë derdh,
pamja e saj e zverdhur, veç dhimbje jep e merr.

Dhe mendja e saj flatron si një shqiponjë deti,
dëshira e ka mposhtur, nga shpresat pak i mbeti.
Rend e kërkon paprerë me dhimbë të sajin mik
dhe jetës, ndarjes, kohës, me shpirt i jep mallkim.

Në gjendjen e mjeruar, veç dëshpërimi mbeti,
vështron një zanë si borë, të veshur me dallgë deti.
Ndjen frikë, madje as trupit s’i bën asnjë lëvizje,
megjithatë fatkeqja kërkon t’i bëjë një pyetje.

Rron miku i saj i zemrës, apo mos shpirti i tij,
i lodhur nga mundimet, nuk bëri më durim ?
Dhe zana e vështron në fytyrën me dhimbje,
i shfaq gjoksin e bardhë, rënkon me psherëtitje.

Atëherë me zë të ëmbël, me zë si një bilbil,
nis dhe e nxjerr jashtë atë që ndjen në shpirt.
I thotë:”Ah, ti, motra ime e shumëvuar,
e shoh që nuk më njeh, vitet e mi kanë shkuar.

Jam motra, unë e mjera, që kam vdekur prej vitesh,
të lashë foshnjëz të njomë, me pikëllim të rritesh.
Jam shpirti, nuk kam vdekur, se shpirtërat nuk vdesin,
të zezën baltë braktisin, në qiell shkojnë, baresin.

Të pashë dhe ndjeva dhimbje, të njoha motra ime,
motrat nuk harrohen dhe pse ndërroi jeta ime.
Të vogël të kam lënë, të virgjër, pa një lek,
prandaj dhe rend si zog mbi dallgët nëpër det.
.
U fishke, o sa keq, të djeg përbrenda ndarja,
të treti dashuria, të vajton deti, vala.
Ler jetën e gënjeshtërt, eja motër me vrap,
të bëhesh dhe ti shpirt, të rendësh në çdo çast.

Në dallgët e pafundme të jetës dritëplotë,
i ler, o shpirt, mundimet e mjeranes botë.
Jeta e drejtë, motër, parapëlqen të vdesë,
-Po miku im çfarë bën ?- sërish motër të pyes”.

”Miku yt ? Ka vdekur, ka vdekur”- ajo thotë.
Atëherë me zë përvajshëm, me tmerr vajton me lotë:
”O dritë, gëzimi im, ti s’qenke më në jetë
dhe bota m’u bë ferr dhe fati m’u bë njerkë.

Me kë të flas tani, kujt mund t’i hedh vështrim,
me ç’mendime të ëmbël sytë e mi t’i mbyll ?
O Zoti Fuqiplotë, nga trupi im më merr,
unë të flatroj në qiell, ai të shkojë në dhe.

Dua të shkoj në qiej, ta shoh kam shumë dëshirë,
në tokë veç atë desha, zambakun erëmirë…”.
Zoti e mëshiroi, në çast bie e vdekur,
si zog i ikën shpirti, veç trupi i ka mbetur.

 


Përktheu nga origjinali: ILIAZ BOBAJ 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s