Cikël poetik nga Rudina Muharremi Beja

Cikël poetik nga Rudina Muharremi Beja

 

MALL QË DHEMB

Mbylla sytë, sot ndjeva mall…
krahët e lodhur shtrij
mbi qiejt e rinisë time dete e lumej,
mes reshë, shkrepëtimash e diell që përvëlon
fluturoj përtej…

Ta ndjeva frymën nënë,
e fyti m’u tha nga dëshira
për një çapitje rrëfimi me Ty,
nën hije t’qiparisit
heroi im n’pllakë mermeri akull,
afër aty!

Ndalem kalldrëmit kurrizdalë të oborrit tim
kangjella mbyllur me një pal lot
valsi që bashkë s’ kërcyem dot
bajamja fal të fundit frut, hije lëshon
vjen erë shtëpi,

Pragjet shëtis me radhë

Njerëz të lodhur, trafik pa kahë,
zhurmë hallesh pa krye, pa këmbë,
sërish u vesha me pikëllim
më dhemb vendi im, më dhemb!

 

VALIXHJA E MALLIT

Valixhja është gati…
Sa e rëndë!
Ka brenda një grusht dhè;
aromën e bukës,
të ujit të freskët, të pusit
të kodrës së mallit…

Në xhepa, pak dhimbje…
Muzg agimi, zhytje dielli.
Lidhur një fjongo të kuqe,
Kujtimet…
Ruaj me kujdes,
si rripi bojëhiri, që kam në brez,
Gjallë t’ më mbaj frymën
rrugëve të botës,
në kërkim të vetëvetes…

Kafshatës pa shije?
Njerëzve të ftohtë?
Ditëve të shkurtëra?
Fjalëve njërrokëshe,
Verave të varfra, pa këngë e valle
Dimrat e kërrusur, borë e halle
Brenda,
sakrifica që s’ shihen
të afërm që s’njihen.

Njëlloj, valixhja,
vit pas vitit…!
Asgjë s’ndryshon, veç ne
plakemi,
harrohemi fjalëve të kota,
mbi shpinë të tjera torba.
Nyjë mallëngjimi, lidhur për fyti,
zemrat ndrydhur.
mbi kokë, lodhje e padronë,
malli brenda brinjësh gjëmon.
Dita, muaji, viti jeta,
sa hap e mbyll sytë shkon.
E unë me të
shuhem brigjeve të dheut të huaj…
Një ditë, tre vjeshta…

Mallin në valixhe, ruaj.

 

HALLOWEEN

Roboti i fshehur tek mua e unë brenda tij,
zvarritet të dalë prej shtrati.
Hedh hapat në tjetër ditë.

Udha gjithmonë e njëjtë.
Vrapojnë minutat këtu n’ mërgim
Një gjysmë rrudhe qenka shtuar,
trazuar nga ndonjë tjetër hall
Torbën,
gjithmonë e më të rëndë mbaj.

Pragun e xhamtë prap kapërcej,
veshur një të rremë buzëqeshje…
Burgu im s’ ka hekura…

Dëgjoj të më thërrasin në emër,
zanorja e fundit m’u duk e gjatë,
s’ më ngjau me përshëndetje…

Trokëllima e heshtjes zhurmën ndoqi…
Më pas ca fraza shëmbëllyen urdhra.
Mureve të plogështa
përreth,fjalë njërrokëshe…

Tik-taku i orës numëron frymët
nisa edhe për sot burg-punën!
Është halloween këtu!
Njerëzit do vijnë të hanë
me tjetër maskë…

 

NDJESI…

Në rrugë makinat u harruan në trafik
e unë në rresht me to.
pritja u bë dy me fantazinë.

Mendoja…
Secila prej tyre mbart me vete një botë
një ishull të heshtur,
një histori, një jetë të lodhur
një pus hidhërimi në një të kripur lot,
një dashuri që pret, një mall që vret
hallka zinxhirësh që nuk zgjidh dot.

Ndjesi e pazakontë …
sa ndryshe pikoi pikëllimi sot
u ndjeva e brishtë.

Trafiku filloi të hapërojë…
me të dhe akuareli im i lëvizshëm.

 

DËSHIRË PËR VETMI

Sëmundje e rëndë uria për tjetërsim…
shpalosur mes qiellit e ferrit,
ekselenca bajate e sy që çjerrin.

Humbur drithërima e shpirtit
honit, ku gracka e jetës e ka flakur.
Buzëqeshjet kafshojnë akull.

Zhgualli i rutinës na shndërron në numra
Ëndrrat kyçur komave…
Krenaritë zvarriten idealeve boshe.

Një sfidë ku gjithë bota digjet
Ambicje-egove të sëmura
Vetja kërkon të rrijë me mua.

 

DALLGË…

Rrëzuar vështrimin në një pikë të vetme
sëmbimeve të melankolisë
Harruar…,
dallgëve të kripura të një kujtese.

Një zë,
me pas një prekje dore përmbi flokë,
qaset flakëruese këtë mbrëmje
hirit dehës,
kredhur drithërimave të ethshme,
si shi llave ndezur në joshje.

“Më ler pa frymë, s’ do të vdes,
Të mbytem dallgëve të tua
e ti me mua”.

I njëjti zë,
e njëjta dorë që përherë ledhaton.
Sonte ishte mrekulli ..

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s