PËR ÇDO DEKADË NGA NJË BALADË (Për 107 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë) / Poemë nga Adem Zaplluzha

Poemë nga Adem Zaplluzha
 
 
PËR ÇDO DEKADË NGA NJË BALADË
(Për 107 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë)
 
PROLOG
 
Po të mos ishe ti
Unë do isha ankth në zemrën e gurit
Atdheu im
Do isha një askush
Pa trastë e pa një kacidhe buke
 
Ti linde
Para njëqind e gjashtë viteve
Kur babai im ishte një pjesë
E ashtit të babagjyshit
 
Thonë se për shtatë ditë
I shkeli me shputat e ngrira
Ashpërsinë e maleve shqiptare
Dhe ditën e tetë e zuri me dorë
Diellin në Vlorë
 
Im gjysh
Atë ditë i kalëronte vetëtimat
Kur u përqafua me plakun
Mjekër dëborë
U gjunjëzua
Dhe e puthi shpendin e shenjtë
Para dhjetë dekadave
Dikur në Vlorë
 
 
1.
 
Përtej gërmadhave të këtyre fjalëve
Nuk kam se ku të shkoj
Më vranë
E më kafshuan çakajtë
Akoma pa i çelur sytë
Lotoi guri
 
Im at
Në gjumin e brejtësve
Përkundte djepin
Duke mos e ndalur këngën
Majëkrahut
U këndoj zanave
Që e mëkonin atdheun e grisur
 
Me qindra vite nuk e rroki kazmën
U ngjiz me dyfekun
Lisave u bënte shoqëri
Dhe i thërriste baladat
T’i japin ujë gjokut
 
 
2.
 
Edhe foshnjat
Akoma pa lindur
Përpëlitnin
Në zemrat e nënave
S’kishin durim të presin
Deri sa të burrërohen
Rriteshin para kohe
T’u ndihmojnë baballarëve
Me nga një krismë pushke
 
 
3.
 
Ishin kohërat e pështira
Sa që barra na e thyente ashtin
Nuk kalonte asnjë këlthitje
çafkash
Pa i shkulur lisat
Dikush mallkoi zotin
E tjetri atdheun
Kur qepallat u sterrën
Dita lindi nga loti e mjegullave
 
Kudo qielli u nxi
Në lotin e Shën Mërisë
Derdhej balsami i trishtimit
Derdhej një gjak kuq e zi
 
Vetëm për ty
O atdhe i vrarë
E i bluar në dhëmballa djajsh
I lëmë peng eshtrat tona
 
Ky truall i grisur e i qar
Nga kafshimet e ujqërve
Përjetoi golgotën e dhembjeve
një trishtim të paparë
 
 
4.
 
Ky tregim biblik
Zvarritet që nga mosha e re
Ne s’deshëm
Ose s’patëm kaçik
O veç një djall na ndau
Dhe na copëtoi
Kur dhelpërisht hyri ndër ne
 
 
5.
 
Disa lloje veladonësh
Hynë në vallen e mortit
Dhe na i shembën murishtat
kudo gur muri
Kodo ogur i zi
 
Eh ç’të gjeti kështu
Moj nënë Shqipëri
Të katandisën bejlerët
Të copëtuan agallarët
 
Sa mallkime në shpirt
E sa plagë i ke në trup
S’di a të mburrem
Apo nga ti të kem turp
 
O fati im i drunjtë
Mbi ty kalëruan shekujt
Ti kali im i zbrazët
Kryqi im i akullt
 
 
6.
 
Këtu përjetuan shumë trishtime
Kur netët ballkanike
Kur s’patën çka të han
I pjekën lisat për së gjalli
 
Kafshuan palcën e dheut
Për ca pika shiu
Dolën matanë lumit
Dhe atje e keqja mbiu
 
Ishin të gjata netët
Kur nëpër kusia bakri
Për mysafirët e paftuar
Zihej guri i strallit
 
Për një bisht cigareje
Eshka kallej flakë
Drunjtë thyheshin nga acari
Me qindra vite këndej
Nuk mbiu bari
 
 
7.
 
Më është shterë truri
Asnjë pikë loti
Nuk lëshon kafka ime
E rrjepur
 
Drurët qajnë
Lisat lotojnë pika kryqesh
Ky mallkim i shekullit ulërinë
Në lotin e Shën Mërisë
 
Jam ulur mbi një kërcu
Dhe tallem me vdekjen
Si vdekja që tallet me ne
Kur lehin daullet e luftës
Tej shkurreve të zeza
Përdridhen disa hije
Gërmadhe njerëzish te murishtat
Bartin kryqin e ditës
 
Më duket se sot është tepër vonë
Siç ishte dje tepër herët
Asnjë këmishë si fle trupit tonë
Jakat e palara i ndërsejnë qentë
 
Lehjet s’janë duke pushuar
Po qohen peshë
Netët e mrrolura aziatike
Në majat e minareve lozin shpirtrat
 
Diku ngre kokë kryqi
E diku gjysmëhëna
Loti im mes kudhrës dhe çekanit
Dielli i përskuqur shikon me pabesi
 
 
8.
 
Sa herë që hymë
Nëpër rrugët e baladave
U takuam me lashtësinë e trishtuar
Gjergji akoma s’qenka zgjuar
Çfarë është ky gjumë
Çfarë arome paska vdekja
 
Nëna ime
Nënëlokja e ime e mjerë
Ku të katandisën djajtë
Në duart e kujt
I lë peng
Këmishët e gjakosura
 
Nën trapazan
Kanë heshtur pushkët
Meshkujt ecin kokulur nëpër lamë
Për qumështin e kërthinjve
Nuset lërojnë tokën
E pazot
Nënëlokja e ime e mjerë
 
Deri kur do të kurrizemi
Kjo ecje nuk i përngjan fisit tonë
Jemi apo nuk jemi askurrkund
Atdheu do flijim
Atdheu do të mos flemë
E të mos jetojmë
Kështu në trishtim
 
 
9.
 
Kjo fushë nekrologësh
Paska mbirë për së mbrapshti
Asnjë kalli misri
Në rrënjët e mështeknave
 
Kaluan disa vite të vështira
Nëpër varre mbollëm pemë tropikale
Mermerët s’duronin rrënjët
Që përtypin dheun e shkriftë
 
Një kolonë gurësh çapitej
Tej hurdhave
Motet e përjargura shtypeshin
Nga një forcë e padukshme bizantine
 
Kur dolëm në sheshin e kujtesës
Asgjë s’kishte mbetur në këmbë
Vitet mbyteshin në dallgët e turbullta
Peshqit këndonin me nostalgjinë
 
Në kundërshtimin e gjetheve
Nuk kuptove se si rritet mështekna
Ato vite ishin të egra
Kur dhëmballët kafshonin dhëmballën
 
 
10.
 
Kur u takuam me vetveten
Ishim larg nga ëndrrat
Shumë vonë u zgjuam
Për tu këndellur si duhet
 
Ky gjumë që fle
Nëpër sirtarët biblike
Nuk ka asnjë qëllim përpos
Ta kafshoj vetveten
 
Kur u zgjuam pamë se kishim fjetur
Gati një shekull
Akoma po flemë si i dehuri
Dhe në brendinë tonë i mëkojmë gjarpinjtë
 
Atdheu s’ka nevojë për premtime
Në syrin e saj rriten plepat
Vetëm zogu i shenjtë mund të ulet
Në prehrin e këtyre gjetheve
 
Sot ky shi i furishëm gjelbërimi
I zgjon baladat epike
Nëpër telat e qemanes
Zbresin yjet në dasmën e madhe
 
 
11.
 
Nuk di se çka do të isha
Po mos të kishe qenë ti
Atdheu im
Këto gurë
Që më njohin
Kujtesën e kanë më të lashtë
Se sa lashtësia e tokë
Një mori historish
Dhe prostitutash kaluan mbi ty
Veladonët e zinj t’i kafshuan germat
Nëpër kolonada çapitën
Të kërrusurit
Dhe akoma mbete
Sa i egër po aq edhe krenar
Atdheu i im i vrarë
 
Nuk di
Edhe sa do të ecim në këtë mënyrë
Por rruga e jonë është e gjatë
Do të mbërrijmë një ditë
T’i djegim këmishët gjarpinjve
 
Këtë ta kemi borxh ty Atdhe
Bastunëve të gjyshërve
Një borxh i papaguar
Për të nesërmen e madhe
.
Sikur ta kisha kapelën tënde
Atdhe
Do isha mbret
Mbi mbretër
Do i zhdukja të gjitha yjet
Që nuk vezullojnë
Në detin e shpirtit tënd
 
Edhe vashat më të bukura
Do të kishin zili
Se unë do isha atdhe
Kurse ti poeti
Që i këndon bukurisë
 
Do kalonim dorë përdore
Deri te burimet e yjeve
Do na mëkojnë meteorët
Me qumështin e lopëve të diellit
Do ishim flutura
E me një mall të zjarrtë
Do i përqafonim
Brigjet e ëndrrave e tua
Atdheu im i vrarë
Atdheu im i kafshuar
 
 
12.
 
Sonte kur kjo dëborë e kuqe
I mbulon flokët e shprishura
O atdheu i im
Ti diku larg në brigjet e Jonit
E end pëlhurën e Penelopës
 
 
 
EPILOG
 
Në këtë çast
Sa qenkan të brishta kujtimet
Kur derdhen mes këtyre gjetheve
Nga lotët e kukullave sybajame
Këputen yjet e vendlindjes
 
Njëkohësish paskam uri
Dhe etje
Si të ngopem me kujtimet për ty
çezma ime e drunjtë
Si ta shuaj etjen
Me mallin tënd të paçmuar
o atdhe
 
Kalldrëmet janë shkulur nga kujtesa
Si ta shuaj zjarrin
Që nuk e shuajnë me vite të reshurat
Ky rrap i uritur
Paska mbetur pa fije
 
Të lutem më fal
Por vajet i përkasin burrave
Besa edhe kuajve
Kur i humbin dizgjinët
 
Një mall që nuk shuhet
Me vite ndizet në brendinë kraharorit
Po kam frikë
Se sonte do bëhet vonë
Tepër vonë
Për të t’i mëkua plagët
 
Më ndje atdheu im i grisur
të lutem më fal për këto dhembje
Edhe sikur të kisha qenë gur
Do të pikonin si përherë
Këta lot të hidhur
Nga syri i shkëmbit strall
E mall.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s