Poezi nga Myrteza Mara
HIJA IME
Nga dritarja e brengës shikoj skeletin e hijes time
që endet e vetme, si nomade,
me një çadër ëndrre të plagosur,
duke kafshuar mendimet e të djeshmes
për të sotmet e përgjakura.
Si zogjt e trembur zbrapsen hijet e tjera
dita, me turpet e natës mbi shpinë, shetit lakuriq,
sytë lakmitarë kullojnë rrëshirë!
Zgjuar kujshëm tragjedit e vjetra,
nga klithmat e korbave ngadhnjimtarë
ringjallen piskamat e elegjive.
Qiejt, pushtuar nga marrëzia, rrëzojnë eshtra ortekësh
mbi çatinë e kullave të braktisura,
flugerët dhunohen pa mëshirë nga tufanet e kalbur.
Skeleti i hijes time endet nëpër ditënatë;
por une e sodis nga dritarja, i pafuqishëm t’i shkoj pas.
Në karrocën e shpresës
hingëllin kali i etur për lavdinë e mortit,
dhëmbët e heshtjes përtypin pendimin e vonuar.
Poetët ngjyejnë penën në dritën e lotit.