Poezi nga Alma Braja
Muzë (Shpresa)
Por ti më qëndron
ashtu si i qëndronte Erosi, Shpirtit në mesnatë.
Tepër afër për të të parë.
Më vesh me vështrime që nuk dallohen lehtë.
Por ndihen.
Me hapat e një ngadalësie gjigande,
si të breshkës,
depërton brenda meje
lëshon në heshtje esencën
e pastaj largohesh.
Atë mëngjes, që drita shkujdesur të preku
e unë të pashë thellë në sy
shkujdesur u tërbua shikimi,
ashtu si di të tërbohet një Eros
në ndriçimin e sipërm të qiriut
që mbante në duar Shpirti.