Poezi nga Hajdin Morina

Poezi nga Hajdin Morina

 

ROMANTIZËM
(ose ikje e dëshirueshme nga realiteti tejet shterp)

Sot Hasan Prishtina shiti
krejt mallin
të bëhen mësues
djemtë e Kosovës
te Luigj Gurakuqi
në Normale të Elbasanit.

Sot Ernest Koliqi
për Kosovë
qindra mësues i nisi.

Sot ti dole nga liria
se malli na paska marrë
me lexue e me u marrë ngrykë
në orën e madhe letrare
në Filologjik.

Malli na paska marrë
me lexue për lirinë.

 

TË DIELLIT JENI RREZE
(heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu)

Edhe atë ditë,
jo për tjetër,
por për arsye se është më lehtë,
shumica zbrisnin
Bregut të Diellit teposhtë,
kurse ju ngjiteshit përpjetë.

Njëri-tjetrin
e lexonit në buzëqeshje:
“Të Diellit po bëhemi rreze.”

Shumica zbrisnin
Bregut të Diellit atë ditë,
siç zbresin poshtë edhe sot atje,
kurse ju përjetë keni mbetur
duke u ngjitur.

Shumëzoheni në rreze të Diellit,
sa herë Zeusi lëshon shkreptima,
Fahri Fazliu, Afrim Zhitia.

 

AI PESË PARE S’I JEP

Ai pesë pare s’i jep
për lirinë
që s’e ka në deje
gjakun e vet.

Pesë pare ai s’i jep
për lirinë
që e çuan në dializë.

Pesë pare s’i jep
për liri e për shtet
ai që detyrohet
t’ua zvogëlojë
dozën e ilaçeve fëmijëve
për shkak
të mungesës së lekëve.

 

RRUGËT TONA

Diferenca e madhe
ndërmjet lekëve
të rrogave të ministrave
dhe punëtorëve të komunales
që pastrojnë sheshet
e nevojtoret e qytetit
në mëngjes herët
dhe vonë natën,
kjo diferencë e madhe
që s’është i vetmi
dallim klasor
i kohës sonë,
shtron rrugën për Lukën*
që zbret në qytet
tek zotërinjtë
me shitë trupin,
trupin me shitë
sa nuk bën më lirë.
________________________
*personazh i Migjenit

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s