Poezi nga Nikollë Loka
Dije se do të ringjallesh!
Bilbilit duhet t’ia shijosh vajin,
edhe pse “Të lumtë goja”,- dot s’i thua.
Shpirti për dhimbje ka nevojë,
kur s’arrin ta ndjesh as dhimbjen tuaj.
Para vajit të bilbilit duhet të heshtësh,
kur portat e shpirtit të janë mbyllë.
Për atë zë bilbili,
në mars po të vdesësh,
dije se do të ringjallesh në prill!
Harrim
Kemi lindur për të harruar,
harrohemi pas germave dhe numrave, pas fluturave,
pas lojërave, ëndrrave dhe ëndrrallave, pas përrallave,
tërhiqemi pas vetes,
dhe largohemi me shpinë prej të vërtetës.
Harrojmë pësimin
e mësimin.
Tjetrin brenda nesh
e zbuam…
Harruam!..
Nën një copë harrimi
Në kapërcim të atij fund udhëtimi,
në vetmi deri në perëndim,
bota krejt një lëmsh pikëllimi
nën një copë qiell.
Përtej
amshimi dhe rreze dielli,
dëshira për më tej…
Më përtej thonë se nis fillimi…
Qielli mbi krye një copë harrimi,
se yje s’ka,
e dielli nuk po lind…
Ta çova një hark ylberi
Ta çova një hark ylberi
e një gjysmë hëne,
shtatë ngjyrat i trazova
në shtatë telajo vjeshte,
dhe e mbajta shiun pezull
duke e shtyrë drejt teje,
sa shiu u bë fllad,
parfum
i ëndrrës sime.
Ta çova një hark ylberi
e një gjysmëdielli,
shtatë ngjyrat i trazova
në shtatë telajo dimri,
e mbajta borën pezull
pa të rënë te balli,
sa e pashë
shikimin tënd
të rënë në pellgje shiu.
Ta çova një hark ylberi,
bashkë me gjysmën time,
me një magnet të fortë
po ta tërheq hijen,
ti humb në errësirën
e kësaj nate,
ku shpresa vonohet,
dhe pret të vijë
bashkë me ditën…