Poezi nga Ana Toma

Poezi nga Ana Toma
 
 
Reflektoj…
 
A nuk të kam thanë ty, kur më puthje ballin
se drita e Diellit kalonte, si shtizë ,
bash drejt e n’ zemër?!
E fryma m’ nalej n’krahnorin tand,
nëpërmjet buzëve të tua të bollshme,
e të ambla mjaltë?!
 
Ti, mburojë e heshtjes teme llafazane…
Jam tretë e jam shkri si drita
në sytë e tu;
Në atë botë shpirtnore tanden,
sa oqeani…!
 
 
 
Kujtime të ngrohta shpirti…
 
Dhjetë vjeçe isha atëherë në fëmijërinë tim,
sikur ëngjejt vraponim jashtë, të lehtë si ajri ishim;
Unë dhe tre vëllezërit e mi më të vegjël, duke lozur
me qentë tanë: Xheta dhe Xhiku!
 
Vraponim pas tyre, dhe ata vraponin pas nesh.
këmbëzbathur ne, këmbëzbathur qentë.
Një copë bukë misri, të ftohtë akull
Gjergji e gjujti aq sa i pat krahu.
Dhe ne pas qenve, si qentë,
U turrëm për t’a kapë!
O Zot!
gazi ynë i asaj kohe,
dhurojua fmive tanë, sot!
 
Dhjetë vjeçe isha atëherë unë.
Gjergji ishte tetë vjeç, Sokoli pesë.
E Pëllumbi sa kishte fillu me ecë…
 
Kur ra borë për herë të parë,
ne ishim fjetun.
Të nesërmen nadje,
Xheta dhe Xhiku ishin
sëmurë nga të ftohtët. Ose i kishte helmatisë
dikush.
Ndonjë bir komunisti (thoshin).
Qentë tanë na lumturonin ne,
Fëmijëve ma shpirtlirë në botë!
Të rritun veç me Dashni!
 
Kur Baba i gjeti tanë të vdekun,
Na tha : “Ju pastë Baba tanve. Mos m’u mërzit.
Bela, kanë dhanë shpirt prej t’fohtit.
Me fmitë e “filanit”, kurrë ma s’du m’u pa t’u lujt.
Runi vedin prej tyne. Baba ka m’u gjete nji qen tjetër.
E tash, hajde t’ lutena që Xheta dhe Xhiku
të shkojnë në jetën e pasosun…”
 
Një gropë të madhe hapi Baba, me nji “bel”
trekandësh gati; e ne, mezi prisnim
M’i mbulu me lotë e dhe’- dashniet,
Lumturinë e zemrës sonë…
Ne, fmitë e kulakëve të asaj kohe të helmume…
 
Kurrë ma Baba nuk pruni qen tjetër n’shpi.
edhe ne, kurrë ma nuk lozëm me fmitë e “filanit”.
Mbi tokën ku varrosëm Xhetën dhe Xhikun
patëm mbjellë trëndafila të bardhë,
sa herë dikush kalonte rrugës së madhe,
këpuste një trendafil:
një këputej, e
dy të tjerë çelnin fill!
 
Ne banim kryqin në ballë shpejt e shpejt
mos me na pa të bijtë e “filanit”,
e luteshim për ringjalljen e Dy qenve tanë!
 
 
 
Nuk ka si lumturia jonë!
 
Ne jena shumë-shumë të lumtun!
A e dini pse?!
Për çdo nadje na zbardh drita bashkë,
mbështjellun në gjoks, buzëngjitun,
shpitndezun;
si dy diej t’ bardhë
në qiellin që kena ndërtu bashkë!
 
Marrim frymë prej njani-tjetrit.
rritena me njani-tjetrin;
Njësoj si fmija n’barkun e Nanës,
aq të lidhun shpirtnisht jena!
E ça mos me kenë t’ lumtun,
kur na qeshin
dhe rrudhat në ballë?
 
Nuk ka pasë, nuk ka, dhe nuk do të ketë kurrë
diej ma të ndritshëm se NE!
Trupat tanë lëshojnë veç aromë dashnie;
përvëlojnë si rrezet në valë!
Askush nuk e ka prekur këtë lloj lumturie
përveç shpirtit, dhe syve tanë!
 
©️Ana Toma Agraja
November 15, 2019
6:25 AM
Cheshire, CT 🇺🇸

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s