Poezi nga Miltiadh Davidhi
Ku t’i strehoj shpirtrat?
Çarçafët e bardhë të reve,
Të grisura erërave
Nisën të thahen.
Pasoja, që shkaktoi
Stuhia e acart, e mjerimit,
S’ka të sosur.
Qiejt me tjegullat e shtëpive
Të thyera e të flakura,
Mbetën pa çati.
Ku t’i strehoj shpirtrat e mi?
Pëllumbat
Nëna ime iku në qiell,
E si për të shuar dhimbjen
E mallin tim për të,
Më dërgoi tre pëllumba
Të bukur qiellor.
E tashmë, dhe pse,
Me sytë ndër yje,
Unë jetoj me përkëdheljet
E puplave të bardha,
E me zërat e tyre.
SUPER HËNA MBRËMË
Me sy drite më kërkonte,
E mjëra s’la vend pa parë,
E kur s’ mundi t’më takonte
Iku qiellit duke qarë.
E unë mbeta i hutuar
Nga kjo bukuri i vrarë,
I gjithi i mrekulluar,
Shtanga porsi dru i tharë.