“Unë dhe Hëna” … dhe dy fjalë për Mimoza HAMETAJN / Nga: Albana Lifschin

“Unë dhe Hëna” … dhe dy fjalë për Mimoza HAMETAJN
 
Kush ka patur rastin ta njohë Mimoza Hametajn, ka vënë re tek ajo një vajzë të bukur, të ëmbël me një shpirt të brishtë. Të tillë e kam njohur unë në poezitë e saj të para, të hedhura në internet, para dhjetë vjetësh, dhe po atë përshtypje më la kur u takuam për herë të parë gjatë një udhëtimi të përbashkët që bëmë në Prishtinë (2001).
Pas dhjetë vjet heshtje që do ta quaja” akumulim”, Mimoza riprezantohet para lexuesit me një poezi të re duke ruajtur brishtësine e saj, por më të pjekur artistikisht, më të thelle në mendim e në mesazhin që përcjell.
Në një vëllim poetik, nuk është e thënë që të gjitha poezitë e poetes, apo poetit, të të mbeten në mendje. Poezia është ndjenjë e shprehur në art, nuk është lojë fjalësh e figurash. Një poezi e ngarkuar “figurativisht’ figurë hir të figurës, që nuk ka mesazh, por pretendon se e fsheh atë mbetet në vetvete, pa funksion. Poezia e Mimoza Hametajt komunikon me lexuesin, është sa e sinqertë, aq edhe e guximshme në mesazhin që përcjell.
 
“Nuk i këputa prangat
për tu burgosur ndryshe
Fluturoj e lirë
si një dallëndyshe..”
 
thote autorja dhe të vë në mendime.. (Fluturoj e lirë, fq.75)
Krijuesi në mërgim kënqësinë dhe ngushëllimin e gjen tek muza, poeti tek poezia. Jo njëherë, por disa herë na ka rënë të bisedojmë e biem dakort me njëri – tjetrin në këte pikë. Shiko sa bukur e ka kapur autorja këtë moment tek “POEZI-mikeshë e vjetër “
 
“Jeta sa herë dallgë ngriti
horizonti krejt m’ u nxi
Qau zemra, rënkoi shpirti
Fjal’e tyre ishe ti!
…………………..
 
Ti më shfaqesh kur s’ të pres
si dikur më merr për dore
Shpresëshuarën ma ndez
Poezi frymë’ ëngjëllore!
 
( Fq.15)
 
Mimoza është një poete e sinqertë. Ajo nuk shtiret. Në fakt ne ndjejmë njëlloj me të.
 
“Sa herë vonohet ky shpirti im
si nga fund detit nxjerr një demon
“Nuk më mendon! Ç’po bën tani
me kë po flet në telefon?
 
Tek vendtakimi minutat-vite
bëhen, e ty, unë rri të pres
Por ja sa shfaqesh , ai zvarritet..
Në këmbët e tua demoni vdes!”
 
Një nga poezitë më të dhimbshme dhe mjaft realiste, është dhe poezia ” E vetmuar”
 
“Prej dhemshurise harrova veten
zemrën e konsumova të tërën
tashti e vetmuar rrëmoj jetën
Bregut të detit shoshit rërën…”
 
(Fq.62)
 
Vetëm në katër rreshta autorja na jep një dramë të tërë. Janë momente meditimi, realizimi, ndërgjegjësimi, ndihet një erë pesimizmi dhe njëkohësisht një ndjenjë revolte e brendëshme, e cila shpërthen në poezinë tjeter. Poetja ngrihet lart me vrull uragani.
 
“Do ta gris mëngjezin gri
që është nderur përmbi det
do t’ ja shporr dhe retë përbri
e diell do të bëhem vetë!
 
Në tërë poezinë e Mimozës në këtë përmbledhje ndihet dhimbja aq sa edhe dashuria, shgënjimi, shpresa “e humbur “ aq sa dhe optimizmi. Ndihet një romantizëm prekës, që flet për shpirtin rinor të autores. Padyshim që poezia e Mimozës ka bukurinë e sythit të porsa çelur që me të drejtë kërkon ta vësh re, sepse ai do të çelë një lule të bukur që nuk mund ta injorosh.
Kështu e shoh unë edhe vëmendjen që i ka kushtuar poezisë së saj një figure aq e madhe sa Ali Podrimja.
Urime Mimoza Hametaj, e qofsh gjithnjë e frymëzuar!
 
 
 
Albana Lifschin, Mars, 14/2009

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s