ATDHEU I HUAJ / Tregim nga Preng Maca

ATDHEU I HUAJ

 

Tregim nga Preng Maca

Është e vërtetë se ai kishte pirë. Gjithnjë e mendoja se ai kishte pirë që të ndjehej më i lirë, për pasojë më i mundshëm për të thënë ato gjëra që më tha e tani pas aq vitesh ma sjellin kokën time vërdallë. E dënoj, pastaj e fal sërish, duke e kuptuar,se ai me anën e asaj që më tregoi më dha një mendim për të cilin ne shpesh e kemi të nevojshme të kuptojmë, kush është atdheu, ku gjendet atdheu , aq më shumë çfarë është në thelb atdheu…

Ishte një verë e nxehtë. Dukej sikur ishte “postuar” ekuatori në vendin tonë dhe ne vraponim drejt plazhit të afërt, për të qenë pak më ndryshe, për t’i shpëtuar atij dielli që digjte e përvëlonte.

Ne, si zakonisht, zinim vendet në autobusin e tij i cili ishte ndryshe nga të tjerët, më i shpejtë, më i rregullt. Kur ishte ora 06.00 ai nisej për në plazhin e afërt. Nuk priste më dhe mua, jo vetëm mua, më pëlqente të frekuentoja autobusin e tij, pavarësisht se ai shpesh pinte, për të mos thënë se e tepronte.

Ishim duke pirë në kohën, që ai tregoi këtë bisedë të cilën unë po mundohem ta riprodhoj, sikurse ma tha ai, ndoshta jo krejt, por në përgjithësi dhe në ato gjëra që mua më bëri përshtypje ,aq sa që pas aq e aq vitesh më kujtohet biseda e bërë në atë mëngjes, spërkatur nga dielli i plotë i atij mëngjesi. Unë jam i zoti të mbaj mend e aq më shumë të tregoj thelbin e asaj bisede, në atë verë të nxehtë, prej aq e aq vitesh:

”Vëllanë tim e dërgova me lekët e mi jashtë, në Itali dhe ai ishte stabilizuar aty. (tregonte ai).Pas një viti erdhi dhe natyrshëm stacioni i parë, ku ai u ndalua, isha unë. Ishte mirënjohës, sepse në fund të fundit e kisha ndihmuar të ndryshonte jetën. Ishte i ndërgjegjshëm dhe mirënjohës për këtë. Jo shpesh ndodh kështu.

Pra erdhi dhe ishim bashkë, si familje, kur unë i thashë, se do të shkoja në Itali,se isha lodhur , nuk më pëlqente më ky vend, ku puna nuk më dukej se vlerësohej, aq sa duhej.

Ai më pa me një palë sy prej vëllai, që shprehnin qëndrimin aq mirënjohës e më pyeti, se sa birra pija në ditë, aso kohe. Pesë- ishte përgjigja ime e shpejtë, pa u menduar , se çfarë do të thoshte me këtë pyetje që më bëri. Ai më tha, se pesë birra e një kile mish do t’i kisha për pesë vjet prej tij, nëse do të vendosja të shkoja në vendin e huaj.

Unë po bëja një shaka, e cila kishte të vërtetë ,veçse një klimë të dyshimtë biznesi, ku bëja pjesë ,me autobusin tim.

…Koha kaloi shpejt dhe kështu iku plot një vit. Arriti vera e nxehtë e në ato ditë korriku. Im vëlla erdhi përsëri nga Italia. Më i mençur, më i pjekur, për pasojë fliste më i kursyer. Unë qëndrova ca ditë, duke u çmallur me të dhe një ditë, kur e pata kaluar normën e pirjes së birrave, u ndjeva i lirë dhe bëra të njëjtën pyetje në drejtim të tij.

Ishte si një lloj provokimi, nëse do të kisha prej tij të njëjtën ftesë, të njëjtën dashuri prej vëllai, të njëjtën lidhje. Kisha dëgjuar, se ato që jetonin larg fillonin e thaheshin , ftoheshin, bëheshin më të menduar, më pak premtues për një lëvizje të mundshme drejt vendit, ku ato mund të ishin pritës të mundshëm.

“Jam mërzitur dhe do të vij në Itali…Nuk mund të rri më këtu. Nuk më pëlqen më. Nuk mundem më”

Pllakosi heshtja dhe në çast ai qëndroi pak dhe pasi u mendua ,më pa një copë herë e pastaj më pa dhe një herë tjetër , sikur më pyeti ,a je i sigurt dhe unë pa folur po me gjest i dhashë të kuptonte, se e kisha vendosur. Më pa me një palë sy të zgjuar e depërtues, sa unë u ndjeva krejt i ç’armatosur, i gatshëm për të marrë një këshillë prej tij, i pa ditur e njëkohshëm nevojtar.

“Dëgjo, më tha ai. Të kuptoj. Ti pret prej meje një këshillë…Hëm…Të kuptoj je mërzitur në këtë vend…

Kurrë nuk është vonë për të ikur nga Shqipëria..”.

U trishtova. Më kishte goditur keqas drejt e në zemër. Desha të bërtas, të bërtas me të madhe, sepse më dhimbsej kjo pjesë e tokës, që ne e quanim Atdhe. Ajo klithmë që do të më dilte mbeti brenda meje, më dhembi gjoksi e sytë e mi u përlotën. Çfarë po ndodhte kështu vallë? Ku do të ishte vendi im në këtë botë, ku kishin ndryshuar aq e aq gjëra të rëndësishme për njeriun,për mua dhe familjen time?…

E kisha kërkuar vetë këtë përgjigje,bile me këmbëngulje. Dhe e kisha marrë përgjigjen e duhur, sapo e kisha marrë përgjigjen e kërkuar me këmbëngulje dhe ndjehesha aq i dëshpëruar e zgjedhja e afruar ishte mjaft e rëndë e megjithatë ai e tha dhe ndoshta…

…Sot e kuptoj se sa pak të drejtë kisha pasur, që nuk e kisha marrë seriozisht këshillën e tij. Ndoshta në atë kohë isha në momentin e duhur për ta lënë këtë vend e për të shpëtuar prej tij,.. Tani është vonë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s