Fragment nga romani: “DËGJO, FLOLIRI IM” / Autor: Kristaq Turtulli

Fragment nga romani: “DËGJO, FLOLIRI IM” të autorit Kristaq Turtulli

marshe të çmendura…

Ndarja ndodhi krejt papritmas…
Era, si një plakë e vjetër e nevrikosur nga të pathënat dhe marrëzitë e njerëzve, frynte e tërbuar nëpër pyje, duke shfryrë marazet e stërzgjatura nëpërmjet gojës së hapur pa dhembë dhe pa mëshirë zhvoshkte lëkuret e pemëve duke ronitur gjethet.
Do ikte shumë larg, mëngjes të vranët me shi, mbështjellë me pelerinën e errët të reve dhe shaluar mbi kalin e vjetër metalik.
Vrapuam në rruginën e shtruar me zhavorr dhe unë mundohesha të mbroja me cepin e xhaketës kokën e saj të bukur nga shiu i pjerrët. Ajo më shtrëngonte fort nga mezi. Ne hymë në hollin e godinës njëkatëshe te aeroportit gati me një frymë. Në hollin katror, shtruar me pllaka të bardha gjashtëkëndëshe si të ishte spital, kishte më shumë ushtarakë se sa udhëtarë. Ushtarakët u kthyen si me komandë ballas drejt nesh e na ngulën shikime të akullta, të ngrysura. Për ne shikime të tilla ishin më se të zakonshme, ndaj nuk u vumë shume rëndësi. Ata përpiqeshin të dukeshin rëndësorë, për shkak të uniformave, veçse nuk mund të fshihnin një shprehje paksa habitore në fytyra. Sytë e tyre ishin gati të zbrazët, si oazë të humbur në shkretëtirë, ndoshta ngaqë ishin në përgjim të vazhdueshëm dhe të mundimshëm të gjithëve dhe të njëri tjetrit.
Vrapuam drejt një cepi duke shkundur shiun nga supet. Ajo dridhej ndjente të ftohtë, më dukej si një zog i brishtë që largohet nga foleja, të cilën porsa e kishte krijuar. Unë e hoqa xhaketën e shkunda dhe ia ndeha mbi supe.
-Ke të ftohtë?- e pyeta.
Ajo luajti kokën ngadalë, hutueshëm si një kotele bardhoshe me vështrim të ngulur përtej në pistën gri të larë nga shiu, të aeroportit të vogël. I afrova kokën e bukur pranë vetes dhe e putha lehtë në ballë. Ajo vërtet kishte të ftohtë, dridhej. Afroi valixhen pranë vetes, e vendosi mes këmbëve, si të kishte frikë se mos i a vidhte kush, pastaj fërkoi qafën e hollë mbas jakës se fustanit me lule dhe vështroi përreth. I fërkova butë, lehtë, shpatullat e hijshme. Me shumë mundim përmbajti lotët. I menduar vështrova përtej dritareve sheshin e vogël, shiun, gropëzat e ujit dhe guralecët e rrugës së lëpirë nga shiu, të cilët çuditërisht më ngjanë si fosile.
Altoparlanti i vendosur në këndin e majtë të hollit të vogël po jepte muzikë me marsh ushtarak. Unë ndjeva një dhembje të lehtë koke. Ajo zgjati kokën e vogël drejt qafës sime, ndjeva shumë pranë frymëmarrjen e dashur dhe të ngrohtë të saj. Unë kujtova se do të më puthte.
-Më lodhin këto marshe, -më pëshpëriti: Më çmendin.
Instinktivisht vështrova përreth gati me frikë. Ajo e pikasi shikim tim, por nuk tha gjë, vetëm sa luajti kokën trishtueshëm. Vërtet ishte shumë e dhembshur për zemrën time. Doja ta puthja pëllumbeshën time gjithë afsh në buzë, por në hollin e vogël kishte shumë ushtarakë të cilët qëndronin në këmbë grupe-grupe dhe nuk na i ndanin sytë. Nuk isha i sigurt në se ushtarakët ishin të gjithë udhëtarë, apo vrojtues të përhershëm të aeroportit të vogël sa një lëvozhgë arre.
Ndjeva që më vështronte ngulët, jo direkt në fytyrë, diçka më lart. Ndoshta vështrimi i saj ishte i përhumbur nga mendimet dhe mua më bëhej mirë të më vështronte. Më dukej sikur qafa më ishte mpirë dhe e lëviza ngadalë, me shumë vështirësi. Afroi kokën pranë meje, më fshiu një bulëz shiu që kishte mbetur fare pranë tëmthit dhe foli ultazi:
-Shiu i vrullshëm t’i ka prishur flokët.- Shikimi i saj ishte i pjerrët, ndoshta ngaqë flokët më ishin holluar e bërë si tela. Megjithatë ajo nuk përmendi fjalën tela, as vetë nuk e kuptova përse mendova që duhej të bëheshin pikërisht tela të sertë flokët e mi. Unë kisha parë dhe ndjerë mbi trup shumë shira të vrullshëm, por asnjëherë nuk më pat shkuar ndër mend tjetërsimi i flokëve të mi në atë farë gjëje. Vendosi pëllëmbën e butë mbi flokët e mia, por vështrimi i bridhte gjetiu. Edhe asaj i ishin qullur flokët e artë nga shiu, por mua gjithsesi më dukeshin gjithnjë njësoj, gjithë prarim dhe reflekse.
-Shoh thinja në tëmtha, -dëgjova zërin e saj. As vetë nuk e kuptova përse u drodha, ishte një dridhje e brendshme por ajo nuk e mori vesh. Vërtet nuk i ka hije burrit të dridhet për dy thinja në tëmtha. Ndërsa ajo vazhdonte të fliste me zë të zvargur,- tek floku i zi thinja dallohet fare lehtë. Si mendon?
-Sigurisht,- i thashë,- sigurisht.
Unë doja të shtoja që ato thinja ndoshta dolën gjatë natës, kur bënte gjumë të shqetësuar dhe unë qëndroja ulur në karrige pranë saj i qarkuar nga mendimet. Asaj i dridheshin herë mbas here qerpikët e gjatë, gjithashtu dhe shpatullat e hijshme dhe më pas ngjeshte me rrëmbim fytyrën e bukur mbas jastëkut të bardhë. Poshtë vetullës së majtë, diçka nën lëkurë i pulsonte me rrëmbim. Unë doja të mbroja gjumin e saj, të flakja tutje mundimin. Mua koka më varej në gjoks nga lodhja, por nuk duhej të flija, sepse dëshiroja të isha roja i gjumit të saj. Atëherë kur feksi mëngjesi u futa ngadalë pa zhurmë në shtroje pranë saj…
Irina vendosi pëllëmbën në gojë dhe puliti qerpikët:
-Unë jam krejtësisht budallaqe,- mërmëriti, – dua të jesh pa thinja, i freskët, i ri! Uf, përse më duket kaq i paimagjinueshëm ky udhëtim! Ka shumë vranësirë, ankth, pështjellim.
Fërkoi ballin e bukur dhe vështroi sërish pjerrët lart mbi kokën time. Mori frymë thellë.
-Këta ushtarakë si kapuçonë të zinj, këto marshe, të krijojnë turbullire në shpirt, aq më tepër edhe babai yt…

 

Autor: Kristaq Turtulli

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s