Shuntarō Tanikawa
Kalendari poetik: Shuntarō Tanikawa 1931
Sot, më 15 dhjetor, mbush 88 vjeç poeti dhe përkthyesi japonez Shuntarō Tanikawa; poeti japonez bashkëkohës që lexohet e vlerësohet më shumë në Japoni dhe në botë. Ka qënë shpesh njëri nga kandidatët e mundshëm për çmimin Nobel. Ka shkruar mbi 60 përmbledhje poetike. Ja shqipërimi që përzgjodha prej tij:
PUTHJA
Zhduket bota, sa mbyllim sytë,
vetëm peshë e ëmbëlsisë më siguron pafundsinë.
Heshtja në natë të qetë shndërrohet,
si një premtim na mbështjell
dhe gjë të çuditshme s’ka,
mos qoftë e ëmbla largësi
që na le vetëm, rastësisht.
Bashkë kërkojmë
mënyrën më të sigurtë të vështrojmë a të flasim
dhe kur vetveten humbasim
e zbulojmë.
Veten pyes, se çka rrekesh të sigurosh
ëmbëlsi që nga udhëtim i largët kthehesh.
Fjalë të humbura në qetësi të përgjuar,
merr frymë lehtë tani.
Në të vërtetë, ishe, je, vetë ti jeta ime…
E megjithatë këto fjalë të ndëshkueshme janë
në këtë çast kur bota nga ëmbëlsia përmbytet
dhe unë që të mund ta jetoj në të zhytem.
© shqipëroi Maksim Rakipaj