Veprimtaria e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë gjatë vitit 2019 / Nga: Adnan Mehmeti – Presidenti i Shoqatës

Veprimtaria e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë gjatë vitit 2019

   Misioni i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është t’i sjellim komunitetit tonë, dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë, një krijimtari letrare të cilësisë së lartë në përputhje me standartet bashkëkohore të botës ku jetojmë. Po kështu, do të bëjmë ç’të jetë e mundur, që të zbulojmë dituri të reja e të krijojmë një art të ri letrar, për të pasuruar civilizimin shqiptar dhe për të kontribuar në mënyrë të ndjeshme edhe ndaj progresit letrar botëror.

   Gjatë vitit 2019 Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ka shënuar veprimtari dhe suksese të anëtarëve të saj, qoftë në Amerikë qoftë edhe në Europë.

Dr. Gjekë Marinaj, themeluesi dhe ish president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, shkrimtar i njohur me përmasa ndërkombëtare: poet, kritik letrar, gazetar, redaktor, studiues, përkthyes, pedagog, themelues i teorisë së Protonizmit i cili synon të “promovojë paqen dhe të menduarit pozitiv” përmes kritikës letrare, duke pohuar se ekzistojnë pikat e forta dhe të dobëta në secilën pjesë letrare. pas sukseseve letrare në shumë vende të botës, gjatë këtij shtatori ishte i ftuar në Itali për të promovuar librin e tij të ri të përkthyer në italisht.

Përmbledhja e tij e parë me poezi në italisht “Skica e imagjinatës” (SCHIZZI D’IMMAGINAZIONE) u botua nga shtëpia botuese Secop, me përkthimin e profesorit Giovanni Romano dhe parathënien nga poetja e njohur italiane Angela De Leo.

Për nder të Dr. Gjekë Marinaj u organizuan tre takime akademike në tre qytete italiane të premten me  6 shtator 2019 ai ishte në Santo Spirito, në Villa degli Arcieri, në një mbrëmje të organizuar nga shoqata kulturore “Costa del Sole”, në bashkëpunim me Pro Loco dhe me patronazhin e Rajonit Puglia, e përfaqësuar për rastin nga Zëvendës Presidenti Antonio Nunziante.

Të shtunën, me 7 shtator ishte mysafir në qytetin e Leçes, në Hapësirën e Hapur të Bashkisë, së bashku me poetin, me origjinë Salentine, Rosalba Fantastico të Kastron. Dhe takimi të hënën me 9 shtator, në takimin midis poetëve dhe shkrimtarëve me temën “Fuqia e poezisë”, në Corato, në librarinë Secopstore.

Aktiviteti letrar i Dr. Gjekë Marinaj u shoqërua gjithë kohën nga shtypi italian. Gazeta e pavarur Mola Libera, La gazzetta del Mezzogiorno (Lo stradone, Da bitonto, Corato Viva, etj.

Kryesia e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në mirëkuptim me anëtarët e saj nderon “Anëtar Nderi” njeriun e letrave shqipe në Amerikë Dr.Sami Repishti, një personalitet i një përmase të rrallë të kulturës shqiptare dhe amerikane njëkohësisht. Me Dr. Sami Repishti kemi pasur vazhdimisht kontakte dhe konsultime letrare. Ardhja e tij në Shoqatën e Shkrimtarëve është një ogur i bardhë, një mesazh i qartë, një mirënjohje për krijuesit dhe për anëtarët në Shoqatën e Shkrimtarëve, në këtë grupim elitar, të admiruar nga lexuesit dhe nga bekimi i artit.

Letërsia shqipe në Amerikë fillon me korifenjtë e letrave, Fan Noli dhe Faik Konica, dhe më vonë, Arshi Pipa, Bilall Xhaferri, Isuf Luzaj, Nexhat Peshkëpia, Peter Prifti, Midhad Frashëri, etj.…Sot kemi Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në vazhdimësinë e kulturës, gjuhës shqipe. Mbi të gjitha, shohim vazhdimësinë e letrave shqipe anembanë Shteteve të Bashkuara të Amerikës…. “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ka mbushë nji boshllëk të madh që na, të brezënisë ma të vjetër e kemi ndije shumë, e nuk kemi pasë mundësi me e përmbushë”. në mes tjerash deklaron eruditi i letrave shqipe në Amerikë,

Shoqata e Shkrimtarëve vitin e kaluar ka nderuar “Anëtare Nderi” profesoreshën amerikane, shqipfolëse, poeten e njohur Carrie Hooper. Kryesia e Shoqatës së Shkrimtarëve me shumë seriozitet u angazhua për një aktivitet solemn për shpalljen “Anëtar Nderi” të profesorit të nderuar, Sami Repishti, por për arsye të moshës së thyer, mirënjohja dhe botimet e Shoqatës së Shkrimtarëve iu dorëzuan personalisht nga Presidenti i Shoqatës.

Dhurimi i librave për Bibliotekën e Shoqatës sonë është mirënjohje jo vetëm për ne, bashkëkohësit e tij, por edhe e brezave të tjerë shqiptarë e më gjërë që do të kalojnë pragun e selisë sonë. Është një dhuratë që buron jo vetëm nga zemra e tij e madhe humane, por edhe nga ajo kulturë e spikatur, nga një identitet i spikatur shqiptar. Është një thesar që nuk ka vlera materjale, po një vlerë të madhe shpirtërore dhe patriotike e tij që na ngazëllen të gjithëve. Rrofsh sa fjala e mençur, Profesor!

Anëtarët e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë votuan për zgjedhjet e reja 2019. Me përfundimin e mandatit të kryetares pararendëse, Raimonda Moisiu, u hap procedura për votime të reja, të propozuar nga anëtarët e Shoqatës. Votimet rezoltuan se pjesa dërrmuese kishin votuar për shkrimtarin Mëhill Velaj, i cili është anëtar i Shoqatës që nga themelimi i saj. Ai, si një anëtar i devotshëm, nuk mungoi në asnjë aktivitet të Shoqatës, i cili ka mbajtur postin e nënkryetarit për dy mandate (2005-2007/2007-2010). Mëhill Velaj është autor i 20 librave me poezi, tregime, publicistikë dhe romane. Studiuesja e letërsisë Dr. Yllka Filipi, që ishte më parë sekretare e Shoqatës, në këtë mandat u zgjodh nënkryetare, ndërsa Veneta Çallpani, sekretare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.

Duhet theksuar se Shoqata e Shkrimtarëve u themelua në vitin 2001 nga Gjekë Marinaj, i cili ishte njëherit edhe president. Ndërkaq, në vitin 2009 President i Shoqatës u zgjodh Adnan Mehmeti, pozitë të cilën e mban aktualisht. Kryetari i parë i Shoqatës ka qenë Naum Prifti, ndërsa nga dy mandate radhazi, u zgjodhën, Ramiz Gjini, Dalan Luzaj dhe Raimonda Moisiu. Sot Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë inkurajon dhe mbështet shkrimtarë, poetë dhe artistë, që prezantojnë letërsinë e Diasporës, i përkasin periudhës së shtrirjes kombëtare jashtë kufijve të atdheut dhe idealizmit, pasionit dhe shprehjes, të gjithë ata, që e jetojnë jetën me të vërtetat e saj.

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë pranon 7 anëtarë të rinj në gjysmëvitin e parë 2019 (Anëtarët e rinj janë Dr. Sami Repishti, Istref Haxhillari, Shpend Gjocaj, Luz Thaqi, Klara Buda, Sevdai Kastrati dhe Fuat Memelli)

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është vatra jonë dhe shtëpia e dytë për të gjithë krijuesit. Ajo ka anëtarë anembanë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shumica janë të ndodhur në Tre Shtetet e NY (New York, New Jersey dhe Connecticut), pastaj në Masacchusets, Pennsylvania, Washington D.C., Michigan, Illinois, Wisconsin, Florida, Texas, California, Ohio, Maryland, Virginia, Rhode Island, Arizona, Minnesota, etj.

           Për t’u konsideruar si anëtar i Shoqatës, duhet të plotësoni këto kushte:  Të jeni shqiptaro-amerikanë. Të keni publikuar së paku një libë. Të aprovoheni nga bordi i Shoqatës, bazuar nga cilësia e veprës së botuar! Anëtarë Nderi bëhen të gjithë ata persona fizikë ose juridikë që japin ndihmesën e tyre të veçantë në lidhje me realizimin e qëllimeve fisnike të shoqatës.

Kryesia e shoqatës gjatë gjysmëvitit të parë 2019 pranon 7 anëtarë  të rinj: studiuesi dhe shkrimtari  Dr. Sami Repishti (Anëtar Nderi), shkrimtari Istref Haxhillari, poeti dhe luftëtari i UÇK-së Shpend Gjocaj, publicisti dhe  analisti Luz Thaqi, gazetarja dhe shkrimtarja Klara Buda, studiusi i Fan Nolit dhe Faik Konicës, Sevdai Kastrati dhe gazetari dhe poeti Fuat Memelli.

Anëtarët e rinj dhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë që këtej e tutje kanë një lidhje miqësore , të bukur dhe të dobishme. Anëtarët tanë të rinj kanë pasione të ndryshme, kanë një përditshmëri që ndryshon nga secili, por kanë një vatër të ngrohtë ku ata mund të bëjnë më vitale krijimtarinë e tyre. Po është nder edhe për shkrimtarët pak më veteranë të kësaj Shoqate me këto prurje të reja. Kështu që, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ngrihet me forcën e pasionit dhe të përkushtimit, të secilit prej tyre. Urime në këtë familje të re krijuesësh, miqtë tanë më të rinj!

Gjatë këtij vitit, Kryesia e Shoqatës ka dalë me një deklaratë lidhur me fituesin e çmimit Nobel për letërsi 2019 si dhe ka marrë një promemorie nga Tirana, “Të krijohet një akademi letrare mbarëkombëtare “Ismail Kadare”

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë shprehet thellësisht e indinjuar lidhur me dhënien e Çmimit Nobel në letërsi për vitin 2019, shkrimtarit Peter Handke. Madhësia e një shkrimtari nuk varet vetëm nga aftësia por edhe nga cilësitë e tij si njeri. Një përkrahës i një diktatori i cili mohon krime lufte nuk meriton një çmim fisnik si ai Nobel. Në botën e sotme të polarizuar, duhet t’i shpërblejmë njerëzit të cilët punojnë për paqe dhe miqësi, jo ata që ndajnë dhe lëndojnë njerëzit. Kurrsesi nuk mund të shikohet e shkëputur vepra e një shkrimtari nga bindjet e tij politike, pasi padiskutim janë palca që rrjedh prej të njëjtit asht!

Nëse misioni i letërsisë është shërimi i shpirtit të popujve nga plagët, Nobeli sivjet po hap plag të reja, në popujt e Ballkanit, veçanërisht në popullin shqiptar e në mbarë kombet që e mbrojtën dhe e mbrojnë me gjak lirinë dhe demokracinë. Nobeli në letërsi sivjet është zi në shpirtin e lexuesve mbarë globit që luftojnë për humanizëm dhe prosperitet!” (New York, 11 tetor 2019)

Prof. Dr. Agron F. Fico i ka dërguar një PROMEMORIE Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë “Organizimin e një akademie letrare mbarë kombëtare kushtuar veprës së shkrimtarit të madh të kombit shqiptar, Ismail Kadaresë”. Shkrimtarët shqiptarë në Amerikë janë bërë një faktor i rëndësishëm në jetën kulturore dhe publike të Diasporës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I dashur zoti President,

Kjo “parathënie” e shkurtër dhe e thjesht më lejon që të parashtroj pranë Jush mendimin dhe propozimin e mëposhtëm:

Organizimin e një akademie letrare mbarë kombëtare kushtuar veprës së shkrimtarit të madh të kombit shqiptar, Ismail Kadaresë.

Siç dihet vepra e tij është botuar në 45 gjuhë të botës dhe përfshin 1301 botime…”


   Jehona e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë i kalon kufijtë e kontinentit. Edhe shkrimtarja e njohur shqiptare,  Eliona Gjergo, që prej 18 vitesh jeton dhe kijon në Greqi, zgjodhi Shoqatën e Shkrimtarëve, për të promovuar krijimtarinë letrare në Nju Jork mes shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë. Aktiviteti u zhvillua, në mjediset e Vatrës, në bashkëpunim me Vatrën dhe Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.

Eliona Gjergo është autore e pesë veprave letrare:

“Kur i lëmë ëngjëjt të vdesin”(2010), “Skizofrenia” (2012), “Gjashtë Gishta e Gjysmë” (2016), “Bisha prej Qelqi” (2017) dhe “Specter” (2019).

Muaji i dhjetorit sjell një lajm të mirë për lexuesit, u botua numri 7 i revistës letrare “Pena”, organ i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Është një numër i pasur dhe i larmishëm i shkrimeve të autorëve që vijnë në faqet e revistës kryesisht me krijime letrare të vitit që po e lëmë. Këshilli redaksues ka marrë një vendim, që në fund të vitit të përzgjidhen shkrimet që lidhen me krijimtarinë dhe veprimtarinë e tyre letrare, që të bashkëradhisim dhe arfimojmë botimet letrare sepse janë me shumë rëndësi këtu ku krijojmë dhe punojmë.

Botimet e anëtarëve të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë gjatë vitit 2019

Agim Dëshnica

“Drita e pashuar e letërsisë së dënuar”, studim, Shtëpia botuese Enja, Tiranë, 2019.

Agim Dëshnica

“Poetë klasikë, romantikë e modern”, përkthime, Shtëpia botuese Enja, Tiranë, 2019

Besim Muhadri

“Prof. Dr. Rexhep Krasniqi një jetë në shërbim të Shqipërisë Etnike”, monografi, Shtëpia botuese Bogdani, Prizren, 2019.

Besim Muhadri

“Poezia e Adnan Mehmetit-vështrim”, studim, Shtëpia botuese Bogdani, Prizren, 2019.

Bexhet Asani

“Ëmbësia e gjuhës amë”, publicistikë, Shtëpia botuese Migjeni, Boras, Suedi, 2019

Eduard M. Dilo

“Brenga mërgimtare”, poezi, Amanda Edit Verlag, Bukuresht, 2019

Gjekë Marinaj

“Schizzi di immaginazione”, pubblicato dalla Secop,Italia, 2019

“Skica e imagjinatës”, botime Secop, Itali, 2019

Hatem Dervishaj

“Klithma e shpirtit”, roman, Shtëpia botuese Edlora,Tiranë, 2019

Hys Hasa

“Vlera intelektuale kuksiane”,vëllimi i 3-të, Tiranë, 2019.

Hys Hasa

“Gjurmë vlerash  kuksiane”,vëllimi i 1-rë, Tiranë, 2019.

Iliriana Sulkuqi

“Fjalë për Nesër…”, poezi, “Adonis”, Tiranë, 2019.

Iliriana Sulkuqi

“Takim me pritjen”, poezi, “Adonis”, Tiranë, 2019.

Jashar Esati

“Stinëve të mallëngjimit”, poezi, “Feniks”, Preshevë, 2019

Kaltrina Hoti

“Vrapo pas diellit”, Toena, Tiranë 2019.

Kolec Traboini

“Ofeli”, poezi, Tiranë, 2019.

Kolec Traboini

“Ode për Shkodrën”, poezi të zgjedhura, Tiranë, 2019.

Kolec Traboini

“Charles Bukowski”, shqipërime poetike, Tiranë, 2019.

Kolec Traboini

“World Poetica”, poezia botërore, shqipërime, Tiranë, 2019.

Merita Bajraktari McCormack

“Nektar Arberor” , Publicistikë, 2019.

Merita Bajraktari McCormack

“Jeta në Shqipëri- Life in Albania”- Përmbledhje publicistike në gjuhën Angleze, 2019.

Namik Selmani

“Biri i shquar i Çamërisë Adem Zer Teme”, Monografi e ribotuar dhe e plotësuar, Shtëpia bouese Enja, Tiranë, 2019

Namik Selmani

“The eminent “Son of Çamëria” Adem Zer Teme”, Botim në gjuhën angleze, momografi, Shtëpia bouese Enja, Tiranë, 2019

Namik Selmani

“Rrugëtimi i ylbereve”, Poezi, Shtëpia bouese Enja, Tiranë, 2019

Namik Selmani

“Jetë që jetohet”, Tregime dhe ese, Shtëpia bouese Enja, Tiranë, 2019

Namik Selmani

“Ëndrra amerikane” (Amerikan Dream), Ese dhe tregime, Shtëpia bouese Enja, Tiranë, 2019

Namik Selmani

“Lulet e Diasporës”, Poezi dhe ese për Shoqatat shqiptare dhe shkollat shqiptare në botë, Shtëpia bouese Enja, Tiranë, 2019

Namik Selmani

“Çarcafi i bardhë”, Monografi për atdhetarin Selim Hoxha, Shtëpia bouese Enja, Tiranë, 2019

Namik Selmani

“Dialog”, Lirika, Shtëpia bouese Enja, Tiranë, 2019

Pal Ndrecaj

“Lista e zezë”, roman, ribotim, Om Publisher, Prishtinë, 2019

Pal Ndrecaj

“Nëpër galaktikën që e ke krijuar vetë”, poezi, Shtëpia botuese Armagedoni, Prishtinë, 2019

Petraq J. Pali

Të pabesët, roman, Tiranë, 2019

Pierre Pandeli Simsia

“Mirënjohja, pjesë e ndjesisë së moralit njerëzor”, publicistikë, Botime, “Jozef”, Durrës, 2019

Raimonda Moisiu

“Në gjurmë të fjalës”, vështrime dhe kritika letrare, Shtëpia bouese Adonis, Tiranë, 2019

Sabije Dervishi-Veseli

“Martesë e gabuar”, novelë, Botimet Barleti, Tiranë, 2019.

Safet Hyseni

“Ëndërrimtarët e Atdheut”, publicistikë, Arbëria Design, 2019

Tomë Paloka

“Misteret e jetës në Nju Jork”, roman, Prishtinë, 2019

Tomë Paloka

“Kah po shkon kombi?”, publicistikë, Prishtinë, 2019

Vlashi Fili

“Shëprthimi”, tregime dhe novela, Edlora, Tiranë, 2019

Gëzuar vitin e Ri 2020, anëtarë të dashur dhe të gjithë ju, lexues të dashur!

 

Nga: Adnan Mehmeti, Presidenti i Shoqatës

New York, funddhjetor 2019

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s