Gjenezë / Poemë nga Agron Shele

AgronShele 2

Gjenezë

Kangjella I
(Tepelenë)

Do e nis me ty Beçisht
me vendin e Aliut
luanit që portat perandorake shembi
e katakomb ngriti Arbërinë,
me ty tokë të atit tim
që në sharg të mbështollën foshnjëri
e male mbi male të kaptuan
për të mbetur atje
udhës që shtrojnë dëborat
fshehur pas fjollave të bardha
e sot shëmbëlltyrën, ndjek e imja memorie sërish.

Kaluar nëpër atë urë
që prek themelet e kështjellës shekuj,
ku bedenat kreshpërojnë si malet
e përulën dhe vetë Bajronin
veshur i tëri qëndisma
fustanellës erë rrëmbyer
për të shkruar të rreptën besë
të fesë së vetme shqiptarisë.

Madhështi e maleve të vendit tim
që kurorë kini veç yjet
shndritur për çdo natë mbi ato brigje
që dhe vetë litarin e dridhte
e Hankon ngrinit nëpër varre
për të çmendur vetë perënditë
të vdekurit sërish ti ringjallte
e të pabesin shtatë pashë të fshihte.

Pastaj ajo shpurë e dikurshme
përpalsur titanësh perandorakë
*çezariatët në ndjekje të Pompeut
gjer në pallatin Aleksandrian,
ku mamlukët dorëzonin kokën
e bashkë me të dhe fronin
kurorëzuar me thika pas shpine
e Çezarin foltore rrëzuar.

Oshëtin zhurmshëm  Aos
dallgët zemërim vëshon
një shpirt stërgjyshëror rrëmbyer
e prapë zemërimin se ndalon,
tjetër prore kërkon
nga ata që rendin në turmë,
fisnorët e gjorë të mëkatit
një shekull të tërë që rënkojnë.

Udhë e bardhë shtrihet
luginës ku shqipja sundon
shkëmbinjtë e thinjur nga vitet
një degë dafine përkund,
si paqe dhe shenjë e jetës
që përmes kohësh flladit
të vetmen kurorë lavdie
rrënjëzuar shkëmbit të thiktë.

E rend akoma kalorësia
në portat e fshehta të Dodonës
aty ku fronin e vet’
Zeusi ngriti përjetë,
që perënditë të falen radhë
e qiejt të tërë të sundojë
në flakë e zjarr përpjekur
të bekuarin njeri të shpëtojë.

Mjekërr e derdhur si valë
në një vragë që historinë e shquan
bashkon të shkuarën e të sotmen
në një dritë të vetme bekimi
i rilindur përmes britmash
nga rrënojat e shkuara të Epirit
ti flakadan i ndezur
që rrëzëllon për çdo ditë shekujt.

Ti, Pirro i ringjallur
që kalldrëmet e reja ngrite
karroca e ushta të rendnin
në krahë e shpirtra të suliotëve
e osmanët që qiejt nxinin
ti vije kufij të rinj,
se në jetë të jetëve
gjakun shqiptar do e ndrinin.


Kangjella II
(Zagorie)

Ai kryq shndrin dhe sot
shkop i florinjtë gjithësesi,
kur rrugën e vetme ndiqje
në të epërmen *Zagori
aq sa tehu i thikës
do kërcënonte të vetmin bir
e ti nëpër mugëtirën e shkuar
do falje besë e fisnikëri.

S’ ish psalm as lutje
që falte mëkatet e botës,
as bekim ngritur kambanores
që kryqin e shenjtë shenjtëronte,
por ngulm i fateve të trazuara
që tjetër udhë do shkonte
dhe biri yt i vetëm
një tjetër fat do ndryshonte.

E ashtu nëpër atë natë
bashkë me mërmërimat që ndiqnin
të njëjtin lumë të etërve
rrjedhës së tij të shtuar
do zbrisje pa mjekrrën e fratit
në përunjie të tarzimit jetë
e në tjetë breg do ndalje
atje ku takoheshe me retë.

Zakon tjetër ish
e gjuhë më e vjetër se jeta
mërmuritur në fjalë ta pakuptimta
nga zonja që faleshin tek porta
në ato qemere
që sot janë veç rrënoja
e harkun e ylbertë ndjekin
të tjerë, e të tjerë breza!

Hapsat mbajtur në brez
e para zonjë Hyri
që priste suvarinë e shkuar
kalldrëmeve të vjetra etni
e bekuar pres asaj porte
ku paqja ish begati
e para derë fisnikësh
përhumbte rrugës për Janinë.

Kangjella III
(Malëshovë)

Kangjella nis nga *Kangjele
këngë e ngritur mbi çdo breg
atje ku sytë gjegjin
të rreptat hone, humnerë
ku lisi i vjetër qëndron
si shëmbëlltyrë e jetës, e m’ shumë
e pleqtë e dikurshëm bujarë
të pathënat e mëdha rrëfejnë.

Vështrimi më i parë shkon
kalasë që fle nën rrënojë
gurëve të saj të myshkur
ku ç’ do shenjë ish një mburojë
e një shtizë e thyer murnajës
një vrap më tepër lëndinës,
ku menhiri i lartë do qëndronte
sa të shuhej e fundit dëshirë.

Oh ti pëndia e diellit që na ndiçon
e për çdo ditë na bekon
ç’duar të ngritën me aq begati
që të sundoje shekujt përjetësi
breza të tërë përulur para teje
hordhitë shkuar, po aty
romanë, bullgarë, osmanë e të tjerë
vështruar me frikë e madhështi
një copë hajmali rrëmbyer e fshehur
si shenjë mbrojtje në gji
e lavdie në të etshmen betejë
për jetë, vdekje a shpëtim.

Rrugët e kalldrëmta
nëpër atë udhë që dyndje të tëra kaloi
e tek një hark i qemertë
krahu i ylbertë të bjerë,
të shikojnë, si shkrepat shndrijnë jetën
e kambanoreve që dhe sot jehojnë
Shën Mëri, ShënThanas e Shënkoll
përshpirtje e një Krishti vegjetim,
që udhën e gjatë të vazhdojë
e paqen e amshuar të bekojë

Mund të zemërohet dikush
të thotë: 300 dervishët ku shkojnë
ata që mes 25 kishave
kishin të vetmen tyrbe
dhe luftë hapën me perritë
në një shkëmb të një mali frik’
e gratë e tyre lidhnin,
shaminë bërë kryq,
me natë nisur për udhë
me dy pashë mjekërr më shumë.

Ave, ti nëna ime Malëshovë
që nën ato lëndina fle
e tis i mjergullt të rrethon
për të të fshehur thellë në re,
por prapë shtegëtari e gjen udhën
e unë dhimbjen time, po atje,
se ai prag që lind njerëzit
i shuan e sërish i ringre.

@sheleagron

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s