Poezi nga Remzi Limani

Poezi nga Remzi Limani

 

DIADEMË PREJ HËNE

Ti,
mbetesh Princesha më e bukur me diademë prej hëne dhe padyshim,
më e kënduara në buzët e skamjes së dashurisë për Ty.

Padyshim, kurorë ëndrrash të lidhura lulevilesh të mbledhura visoreve të kaltra dhe aromën e tyre që sjellin erërat e flokut tënd prej grunajave të praruara.

Unë,
pegasi fluturak, drejtohem nga ajri që ngrit flatrat e shqiponjave, drejt qafës sate ku vargëzohen perlat e bardha të lëshuara gjinjëve Tu.

 

DASHURI E PËRGJUMUR

A ka diçka për të prekur në Ty,
diçka e butë paqësore në sy fluture
diçka që zgjon dashurinë tuaj të përgjumur,
diçka që mund të të bëj të duash një sy njeriu.

Ose,
më lini kohë ta gjej furkën e zemrës
për të tjerrur flokun tënd të shprishur, pastaj, të t’i thurë njezetë e pesë gërsheta, derdhur mbi shpatullat e nusërisë sate.

Tani, nuk e di nëse më shihni
sa me gëzim sillem rreth teje
si një flutur rreth trishtimit tim.

 

PAMJE E NGJIZUR

Nëse të kërkoj përtej etjes së lulës, çelur në sytë e mi, mos u mërzit me rrugët e gjata, që gjurmojnë të shtrira në kërkim të prehrit tënd.

Unë nuk kam frikë nga shikimi i humbur, do të gjej me një shkop të bardhë midis gishtërinjve tu, të cilëve ua ndjej aromën e gruas së bardhë, që pret shiun e luleve të bie i vakët mbi sype të saj prej mendafshi të kuq.

Prandaj, prit edhe njëherë, t’ia marrim virgjërinë buzëve të lules sate, e vetmja pamje mbetur e ngjizur në sytë e mi.

 

ËNDRRA NUK ËSHTË GËNJESHTËR

Nuk e di, nëse jam njeri i skicuar në letër mbështjellëse
që ëndërron një grua të bukur përtej qiellit.
Apo, një somnabul i veshur me vija të kuqe, që ecën kulmeve të maceve,
bredhjeve të mia që nuk mbarojnë ndjekjet pas aromës të së njejtës grua.

Epo, ëndrra ime nuk është gënjeshtër,
është diçka shumë e vërtetë.

Dëgjoni,
Ajo bie në shtrat dhe zgjohet e fjetur në këmishë nate dhe merr kubenë e qiellit.

Ai bie poshtë në bodrum rraqesh,
merr shkallët dhe ngjet qiellin ballit të saj, për të ikur nga errësira e njeriut shtrirë përtokë gjër e gjatë.

Tani,
Ajo është lart mes yjesh dhe nuk bie poshtë, për t’u verbuar nga shikimet e koroduara në një pikë vështrimi, sepse, të gjithë kanë varur sytë në të njejtën gozhdë, ngulur në të njejtën foto, të një gruaje që ecën mbi taka të kuqe prej gjaku nga trandëfili i egër.

Dhe, s’është ndonjë çudi që përplaset nga erërat e kuqe, pasi të gjitha ëndrrat, somnabulët dhe macet e vizatuara mbi kulme, kanë lindur nga imagjinata e përshtatjes dhe fuqia e një gruaje, ngjizur në barkun e fluturave të bardha bërë kurorë krahësh me push prej sermi.

Kështu u krijua bota,
fuqia e fuqishme e çdo fuqie mbetet femra, sepse ajo di të pushtojë çdo gjë të rrallë dhe të depërtojë në çdo gjë të ngurtë dhe unike.
Pra, nëse e takoni gruan e ngjizur në barkun e fluturave, do ta keni gjithë lavdinë e botës dhe errësira do të largohet nga ju përgjithmonë.

Remzi Lim@ni

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s