Poezi nga Armenida Qyqja

Poezi nga Armenida Qyqja
 
 
NË SYRIN TIM E DUA PUTHJEN TËNDE
 
Brenda syve tanë fle dhe zgjohet përjetësia,
Tek përkundet mes puthjesh e lotësh,
Mbi shpirtrat tanë gdhend mbishkrimin koha,
Ashtu si dalta mbi pllakat e mermerta…
 
I dashur, nën duna rëre flenë piramidat,
Faraonët dhe lavdinë e tyre që pas lanë,
Në histori veç hieroglife dhimbjesh mbetën,
Skalitur me gjak mbi mermerët e rëndë…
 
Ndaj në syrin tim e dua puthjen tënde,
Me krahë përjetësie të më tundë në gjumë,
Një grimcë rëre është e gjithë koha,
Një univers i gjerë nëse ty të kam pranë…
 
 
 
ÇFARË I MBETI VENDIT TIM
 
Ç’i mbetën sot vendit tim?
Ca brinjë stoike
Të mbetura mbi dhé nga kurmi i tretur,
Rrënoja antike që i ankohen qiellit,
Dhe zogut qyqar që i vjen rrotull,
Se shqiponjën e ndrydhën në kafaz…
Heshtje…
E rralluar është kënga,
Zogjtë veç shtegtojnë e harrojnë të kthehen.
Çfarë shekulli është ky?
Ç’mort i koduar në gjak?
Nga brinjët e tyre, kalatë
Vazhdojnë të nisin psherëtimat,
Delegatë të një kombi
Të shqyer nga jashtë dhe brenda.
Kullat e zbrazura mbajnë zi,
Asgjë nuk pipëtin,
E rralluar është fryma…
 
 
 
EMRIN TËND
 
Emrin tënd kanë të gjitha pritjet,
Dhe malli që derdhet ujëvarë prej buzëve,
Je dielli që m’i zgjon netët nga gjumi i errët,
Drita që më shpërthen si një yll brenda syve.
 
Shkërmoqen ditët nga e brishta kallzë e jetës,
Nga dhëmbët e dhimbjes bluhen ngadalë,
I dashuri im, ti duart zgjat drejt qiellit,
Yllin e shpresës në shpirt sërish më ndez.
 
Emrin tënd kanë të gjitha pritjet,
Në pragjet e ëndrrave dhe puthjeve…
Drejt teje rend me krahët e bardha të reve,
Në qiellin e syve të tu, të prehem endjeve…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s