SIPAS NJË LIBRI GJYSMË TË DJEGUR (Femrave të dhunuara seksualisht nga falanga serbe gjatë Luftës në Kosovë) / Poezi nga Kadrush Radogoshi

Posted on January 23, 2020

0


Poezi nga Kadrush Radogoshi

 

SIPAS NJË LIBRI GJYSMË TË DJEGUR

(Femrave të dhunuara seksualisht nga falanga serbe
gjatë Luftës në Kosovë)

Piromania e popullit “të zgjedhur”
E dogji bibliotekën, e dogji.
Kur u kthye poeti vinte era shkrumb
Vinte era shkrumb kur u kthye poeti
Vetëm një libër kishte shpëtuar
Vetëm një libër kishte shpëtuar pa djegur tërësisht.

Në dy faqe gjysmë të djegura
Poeti lexoi:

“E dashur grua,
Sa shumë të kanë rrejtur
Edhe kur të kanë lavdëruar
Edhe kur të kanë sharë
Edhe kur të kanë dashuruar!

E dashur grua,
Ti nuk je rrugë e shtruar me lule, por fushë me ferra
E skalitur në ndërgjegjen e vrarë të burrave.
Ti nuk je bukuria që shihet, por dhimbja që preket
Me gishtat e dridhshëm si tela kitare.
Ti nuk je vetëm nëna e dhembshur, por edhe njerka
E fëmijëve fajtorë vetëm pse kanë mbetur pa nënë
Prej kur vdekja e ka zgjatur dorën e saj të zezë.

Grua e dashur,
Nuk besoj që djallin e ke futur dhe mbyllë në shishe
E luftën e Trojës me shumë të tjera ke shkaktuar
Luffëra ku janë bërë shkrumb e hi shumë fate njerëzore,
Ti grua e dashur,
Edhe aty ishe viktimë para se të bëheshe skllave.

Grua e dashur,
Të kam dashur edhe kur ke qenë ajër
Edhe kur ke qenë ujë gurre
Edhe kur ke qenë skulpturë e krijuar prej mishi e gjaku
Nga skulptore Mrekullia”.

Posa lexoi vargjet
Fletët gjysmë të djegura u bënë thërrmija,
U bënë thërrmija fletët gjysmë të djegura
Në duart e poetit
Aty në bibliotekën e bërë shkrumb e hi
Nga piromania e popullit “të zgjedhur”!

Posted in: POEZI