T’U SHMANGESH SHTATË SHPIRTËRAVE TË NJË VETMIE (Disa shënime mbi poezinë e Kozma Billës) / Nga: Alisa Velaj

T’U SHMANGESH SHTATË SHPIRTËRAVE TË NJË VETMIE
(Disa shënime mbi poezinë e Kozma Billës)

Poeti Kozma Billa, në pjesën më përfaqësuese të poezive të tij, na vjen si një zë poetik i dilemave të mëdha shpirtërore. Nga dilemat më të mëdha është padyshim dashuria. Uni lirik e shpreh pasionin e zemrës përmes metaforave plot dritë, kur dashuria është prani përmbushëse.
“Po qendis në kaltërsinë e liqerit/kthjelltësinë e syrit tënd,/ spërkas çdo ditë fytyrën tënde/me freskinë e mëngjesit/ dhe rrudhat heq
me lëngun/e porsashtrydhur të ullinjve.”(“Kaltërsi e liqenit në syrin tënd”)
Kthjellohet e dashura nën kaltërsinë e liqenit dhe dashuria e kthjellët vjen e thellë dhe e tejdukshme si ujërat në ditët e diellta. Freskia mëngjesore spërkat vargjet për të dashurën, ndërsa peisazhet mesdhetare shpalosen të gjelbra si gjethet e ullinjve. Dashuria është vendlindja e shpirtit të dashuruar dhe rilindja e tij. Dashuria e bashkon me botën (kur e dashura është tërë universi) dhe e ndan prej botës kur çastet e vetmisë dhe pritjes ia bëjnë të pamundur ndriçimin e dritave të shpirtit. Poeti pret e pret dhe ëndrra e ardhjes së saj është i vetmi “realitet” i pranuar prej tij.
“Nata sonte/le t’na mbulojë me çarçaf dashurie”.
(“Më the se do vish”)
Por çastet që përmbushin shpirtin e zemrën e etur rrallëherë vijnë në lirikën e K.Billës. Tallazet e shpirtit i këndojnë përgjithësisht dashurive të perënduara, apo perëndimit të dashurive, duke iu përafruar këngës së vetmuar të zogut çdo mëngjes.
Vetmia është ngjethëse kur ajo i thotë lamtumirë diellit të dashurisë pa asnjë shkak dhe ngrin kështu kohën, stinët dhe frymëmarrjen e këngës. Në këtë kontekst, lirika “Lamtumirë” kushtuar së bukurës Svjetlanë, është nga krijimet më të arrira të krejt opusit poetik të autorit. Uni lirik nuk e pranon dot humbjen, dashuria e ngrirë prej saj nuk i përket kurrsesi atij, ndaj poeti bën pyetjen kuptimplote: “Gjethet i zverdh mendimi apo vjeshta?”. Nënkuptohet këtu humbja dhe trishtimi i saj si pjesë e pashmangshme e rrugetimit tonë përgjatë udhëve të dashurisë, e vërtetë e ditur prej fillimit. Atëherë pse duhet që stinën e vjeshtës ta vjeshtojme edhe më me mendime të trishta?!
Metafora e dhimbjes herë lind nën një qiell të gëzuar që jo domosdoshmërisht premton lumturi dhe herë lind në truallin e një vetmie jetëgjatë me shtatë shpirtëra në parzmin e saj.
“Dhe gjethja u drodh nga ky lot i nxehtë,/është gërryese vetmia,/vazhdimisht pret atë që e braktis,/ndaj s’dua t’i ngroh
të shtatë shpirtërat e saj”. (“Një lot mbi gjethe ra”)
“Atë mbrëmje qielli pikonte kaltërsi,/ne flisnim fjalë pa kuptim/dhe nuk po e kuptonim,/se merimanga e zezë e mbrëmjes/po na ngatërronte në pëlhurën e saj”. (“Atë mbrëmje…”)
Në rastin e parë pikëllima vjen e refuzuar. Poeti e kupton ç’rrezik i kanoset dhe përpiqet me sa mundet t’i largohet ftohtësisë së vetmisë, ndërsa në rastin e dytë kjo e fundit ia beh si vjedhësi në mesnatë. Vetmia magnetike, ajo që tërheq me të njëjtën forcë me të cilën subjekti lirik e shtyn nga vetja është padyshim gjetja me interesante në poezinë e Kozma Billës. Ne jemi prej fillimit bij të vetmisë, na thotë poeti, ndaj më e mira që mund të bëjmë është të mos i ngrohim shtatë shpitrat e saj. Pasi vetëm kështu ajo nuk do e gërryejë shpirtin tonë si mace grindavece.

 

Nga: Alisa Velaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s