Poezi nga Sabit Rrustemi

Poezi nga Sabit Rrustemi

 

DITA KUR E ÇLIRUAM SHKUPIN

I
Një ditë më parë
E matnim me sy prej Gurit të Zi.

Po shihet si n’shuplakë,
Tha Idriz Seferi
Nesër do ta kemi në grusht.

Po hyj Unë i pari,
Kërceu Isë Boletini!
E Ti, qitja rrethin, m’loma shpinën
Se k’to shtigje ma mirë i di.

Me ba me mbetë, trupin ka kush ma nxjerr.
Këta plisabardhë, të hollë e të gjatë
Nuk më lënë vetëm!

Pikëpjekjen Te Ura e Gurit e lanë,
Aty ku lidhen dy anët e Bardharit
Nëpër brinjët e shqiptarit.

II.
Me Dy Korrik të Nëntëqindedymbëdhjetës
Qëlloi e martë mortja e marrtë,
Dita kur e çliruam Shkupin prej Këmbës Turkut!

Këmbëzbathur e të uritur,
Me nga një grykëhollë trupuam për midis Kryeqendrës.

Xhama nuk thyem, plaçkë nuk bëmë.
As shami prishëm se ishim ushtri.

Kancelaritë e Kombeve u çmeritën
Prej shkresave kur ju shkuan:

Nuk qenkan hajdutë!
Ushtri e re plisbardhësh,
Me Trimin e Grykës e Burrin e Kullës
Zunë vend e po mbajnë rend.

Te Ura e Gurit, në shenjë triumfi
Tetëmbëdhjetë mëzetër u bënë fli,
Bardhari përkohësisht i kuq u bë!

Isa me Bacë Idrizin
Prisnin Hasan Prishtinën

Hajde burrë, ngule Flamurin
E shpalle Mëvetësinë!

Mos nxitoni, thoshte Urtaku
Se na mbytën bërrylat dhe e kajtmja!

Nëpër Evropë bridhte Ismajl Qemali,
Në Selanik ende shpurthte Turku…

Pritja e tepruar na qëlloi në Thembër.

III.
Dita kur e kthyem Shkupin
E martë qëlloi, mortja e marrtë!

Shtatë Kombet na dogjën me Moratorium.

Në besë të saj na shkeli Serbi,
Sot e atë ditë mbetëm pa Shkup!

Idriz Seferi ndan mustakët
E Isë Boletinit ende i dridhet koka!

A u mbush mend kjo Evropa ?

Një ditë më parë e pamë si n’shuplakë dore,
Me Dy Korrik Nëntëqindedymbëdhjetë
E patëm në grusht.

Sekush na la pa Shkup
Ende s’e morëm vesh!

( 2009 – Vendi i parë për poezi, “Dita kur e çliruam Shkupin”, konkursi letrar i Manifestimit kombëtar “Flaka e Janarit”, Gjilan)

 

KU I LA LISAT ERA

Pas rrëzimeve erdhi masa
Pas masave prerja
Pas prerjes një emër i shkurtër – trup
Pas trupit makina e zhurmtë
Me tri role ne një udhë
Ngarkim bartje zhgarkim
Pasi u bëri vend në paradhomë
E nxori lejen për spitalin industrial
Ku vetë çilen plagët varrët
Krijohen sëmundjet
Ndërrohen format merren të reja
Sipas nevojës arna për thes
Me sharra ngrënëse eksperimenton
Era alalis a s’lalis
Në bykun që mbetet dredhën nis.

 

DEKODIMI I ZONËS Z

(Heroit Agim Ramadani)

Shkela mbi atë gur që shkulëm
për ta rrokullisur në pakthim
një shekull ndarjesh

E ti ende po ëndërron
përtej këtij deti
përtej atyre maleve
që lidhin rrënjësh trupat tanë

Nuk të trazoj

Nesër me mëngjes
do ta shohësh fytyrën time te dritarja
se si ndrit për syrin tënd

Po e bëj edhe një rreth ecjeje
për ta ndier si pulson kjo zemër bjeshke
brinjëve tua prej dheu

Një kukuvajkë mesnate
kukat ëndrrës sate
për të ta prishur gjumin
e mua hapin për t’ma ndalur

Pas shpine një Zonë X
e koduar më pret

Kot i zgjas gishtërinjtë
kah passhpina e trupit tim
ajo pjesë nuk arrihet
mësa ai plumb që shqyen errësirën
e përbiron ftohtë nën shpatullat e mia

Në vend të hapit tim
një rrëke gjaku niset drejt teje
për ta dëftuar rrugën

S’ka vend më të bukur
se kjo maje bjeshke për të të pritur

Merri flatrat e një shpendi
dhe sytë e mi prej qielli
e nisu

Në çdo kohë
do më gjesh këtu

Zona X u dekodua me flijimin tim.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s