Poezi nga Lida Lazaj

Posted on January 25, 2020

0


Poezi nga Lida Lazaj

 

SHPIRT I KULLUAR

Asgjë tjetër s`kujtoj nga ajo kohë
kur mesditën time e përkundi një përrallë
veç lëvizjes së buzëve të përralltares
dhe lotit që pikoi.

Përralla qe e lashtë sa bota
dhe loti, lot njeriu qe.

Aty ku pikoi pikoi
u përvijuan tipare fytyrash njerëzish të dashur
një gjembth trëndafili shpoi zemrën
dhe gjaku vërshoi damarëve
si klorofila në trup të pemëve.

Qe lojë dritash
qe lojë ngjyrash
qe lojë tingujsh
qe lojë shpirti

Shpirti është ujë
e ujrat rrjedhin
e kurrë s’kthehen te burimi.

As ti mos u kthe, shpirt i kulluar
kurseje veten dhe mua
nga mundi i papërballueshëm
i përbetimit.

Shpirt i kulluar
premtimet e betimet janë zakone njerëzish
shpirti është lumë,
lumenjtë rrjedhin.

 

U ZGJOVA

Me sytë në qiell,
krahëkryqëzuar
paskam fjetur gjatë.

Zotat të zënë me punët e tyre
dhe qiejt duke rrotulluar yjet
m’i paskan shpërfillur lutjet,
me copa të mira nga jeta
retë paskan arnuar pjesët e grisura.

U zgjova,
lëviza një gur të rëndë
krejt muri u shthur me rrapëllimë
dhe jehona u përcoll shpat më shpat,
maja e malit të thinjur
ja përcolli kopështit me trëndafila
e trëndafilat ja pasuan kumtin luginës.

U zgjova!

Si fillim shkula nga rrënjët një plep,
jo për ta bërë fyell
e për t’ja marrë ëmbël një baritore,
jo, sepse delet m’u gurëzuan marsin e shkuar dhe nuk do jem më ajo stanarja,
që i mbush vedrat me qumësht e kajmak
por e mbusha me gjak
dhe do ta përdor sipas nevojës
herë si laps për të shenjuar kufijtë e teritoret
e herë si shpatë në dorën e një metafore.

Ju dhashë gjithçka
ju në këmbim m’i mbushët poret me helm.

U zgjova,
hapmëni rrugën!
po kaloj unë me të lindurit e mi
dhe të tjerët që do lindin prej meje.

Hej, liromëni rrugën po ju them!
jam zgjuar Meduzë!
kijini frikë flokët e mi!

 

PRITET DËBORË E KUQE

Mes heshtjes, brinjëve e gurëve
përvijohet një fole.

Mëngjes për mëngjes,
kalon një shpend i çuditshëm.
rreket të zgjojë degët
e pemës së përgjumur,
le pupël dhe një cicërimë
dhe zhduket.

Pritet të reshë borë e kuqe.

Posted in: POEZI