Cikël poetik nga Agron Shele

Cikël poetik nga Agron Shele

 

Viti i Ri

Shkoi dhe një vit
me një gjurmë thinje më tepër
e një rrudhë të shtuar
në rrathët e një lisi që e kanë rrahur stuhitë dimrit të acartë
por dhe pëkundur flladet në pranverë
për ta zhuritur dielli më pas
e zverdhur më shumë për çdo vjeshtë.

Shkoi dhe një vit
ashtu sikurse erdhi mes festës së përvitshme
me një gotë më tepër
e sytë mbetur tek i njëjti rrëzëllim
i pemës që ndriçon të njëjtin shesh
të njëjtën dritë mbi statujat e qytetit
që ardhur nga shekujt
mërmërijnë ndoshta të njëjtat lutje
për bekimin e Ri të vitit që po vjen.

Shkoi dhe një vit
e tjetër shëmbëlltyrë ndoshta sjell
në fasadat e shndritshme që gëlojnë poshtë këmbëve nga ata që rritin një shpresë,
se tjetër portë do hapet
e braktisja e fatit më nuk do i përndjekë,
por ashtu të lirë
përbrenda lirisë aq të munguar
do rendin sërish
ëndrrave plot jetë.

Shkoi dhe një vit
me më shumë detra që tajfunet trazojnë
e më shumë zogj që migrojnë
drejt një bote
që zë fill pëherë pas horizontesh,
tutje Perëndimit,
e ata me sy e mendje mbërthyer,
presin t’u çelet një derë
që nga pafajësia e tyre përjetë ti mbrojë!

 

Bekim i rrjedhës Vjosë
(Poetit Dhimitër Miti)

Ai është poet
poet në të tëra kuptimet e fjalëve
duke filluar nga thinjat e flokëve
që një rrëzëllim të palexueshëm ka
tek mendimet që prekin kostelacione të tjera qiejsh
dhe duhet të rilexosh,
si shkon një ditë nëpër atë qerthull jete
e si ringrihet pastaj vëshimit përtej shpërthimeve.

Ai është një poet
harruar atje në një kënd të largët,
por qytet që vishet me magji,
se ka një rrjedhë që i trazon shpirtin
e një mal që ngrihet lartësi,
ka një vrull që ndal dhe kohën
dhe sytë i kthen në vibrim,
të asaj ngjyre që të tjerët se shikojnë
e ai përherë në udhëtim.

Ai është poet
dhimbje dhe trazim në shpirt
është njeriu që e njoh
dhe lexoj kur një gotë verë pimë
nga mushti i vreshtit të tij
pjekur në diell e lagur në shi,
atij kryqëzimi, ku qëndon
të arrijë në bekimin e tokës
e vlagun të kthejë sërish.

Ai është poet
lot i kthyer bulëzim
tek lexon kërkimin e njeriut
e tek fsheh të etshmen dëshirë,
se një kohë tjetër do shkojë
në limfa trungjesh që gjelbërojnë
e ai mbetur mes tyre
si bekim i rrjedhës Vjosë.

 

Gjurmë

E brishta magji fle nën qerpik
e aty shtrihet ëndrrave të bardha
të një hapësirë që ndërron pas stinëve
në farfurimë lulesh
çelur mëngjeseve që mbështjell
agut të porsardhur e fashitjes dritë mbetur shkëlqim
tek një hap që mendjes troket
e për çdo ditë mëngjesin e parë zbardh
mbi kulme e shpirtra
që përherë nxitojnë.

Ndoshta nuk është vagëllim
i rënur mbi të kthjelltin liqen,
as dallgë e një kthjelle lumi
që një jetë të tërë trazon,
as hënë e këputur në mes
që me gjuhë fëshfërimash prek,
tek një pyll i harruar asaj kodrine,
ku kreshtat zbardhin përjetë.

Kapërcen nëpër shtigje që i njoh
e çdo gjurmë di ta lexoj,
si shenjë e vetme e atij eliksiri
që shkrihet me botën njësoj,
se në një stacion treni
apo metro ti pret
me një libër që faqet s’ mbarojnë kurrë
e tjetër rresht kërkon.

Pastaj ajo largësi
dhe mërmërimë e përzishme,
që arrin gjer tek unë
ardhur përherë beftas
është më shumë se një flakë
që ndrin natën e vonë
teksa paqja vjen me krahë engjëjsh
e në sytë e tu lundron!

 

Çast

Ndoshta kalon përrmes atij prizmi
që tërë ngjyrat i përthyen
të kaltrën e kthen në peisazh,
të atij vështrimi,
që derdh dallgën flokë
e trazon të prekshmet mendime.

Pastaj bëhet velë e bardhë
përkundur detit trazim
në ata sy që bëhen të thellë
me blu se vetë ujërat në shpirt
e një botë veshur magji
për të ngelur përjetë atje,
në një ankorim që s’ dihet nëse do mbrrijë
mbetur përherë në një breg.

Ndoshta zbret nëpër natë
në një dritare që qëndron e hapur
me të dy kanatet
të presë vezullimin yje
e bashkë me të
dhe ëndrrat që një shpirt i njeh
sjellë nga duar vegjëlie
e ndezur altar dlirësie.

Ndoshta është një mirazh
përulur asaj lartësie
ku Hëna nis vallëzimin
e dielli tret shkëlqimin,
përhumbur në ato gjurmë
ku e nesërmja kalon sërish,
në krahë të hapur engjëjsh
ku zotat preken drithërimë.

 

Ti më fole…!

Ti me fole për ëndrra të bardha
për ato vegime që unë s’ mund ti shoh,
por që zbresin nga kanatet e qiellit
e veshur janë në një vezullim,
shkrirë në re të gjitha
sikur bulëzimet e shiut
që shformësojne njëlloj si vera në gotë
e unë që pi këtë turbullirë
të ngelem përjetë zbrazëtisë.

Pastaj ti më rrëfeve për botën,
si shfaqet ajo në magji
pasqyrë e një Eve në kopshtin e Edenit
dhe një Adami që kthehet në vdekshmëri
e tëra në një mollë të kafshuar
tokës bërë fli
gazit të kthyer në përvuajtje,
me të vetmen buzëqeshje në fytyrë,
të një çasti që shkon si vetëtimë
dhe një paqeje që kthen në pluhur.

Kur ti më fole për dashurinë
hapat e mi ndaluan,
se e dija që portat e qiellit do hapeshin
e në to do shfaqej një Venus,
ajo ndjenjë flakëronjëse që ndez kandilin e shpirtit
dhe Hënën e rrëzon në tokë,
mbi të lashtat fëshfërima të largëta,
oshëtimës së jehonës jetë.

 

Muzgut…!

Muzgut pashë engjëllin të zbriste
ashtu sikurse zbret vetëm ai
krahë të bardhë që verbonte natën
e tis i ndritshëm qiellit errëti,
formë fosforeshente, si vetë shpirti pezull
e zjarr i rrëmbyer në gji,
që digjej kudo në sy shkrepëtimash,
e derdhur rrufe detit trazim.

Ndoshta ish magjia e jetës
që zbret nga vetë fronet perëndi
për të falur të vetmin çast
e përhumbur perëndimit të diellit,
në direkë anijesh rrethuar nga pulëbardhat
që rrethin e padukshëm përshkojnë
regëtimave tashmë në kore të mistershme
mbetur tek unë përherë një vegim.

Muzgut pashë të vetmen dritë
ndriçuar kurmit të një sirene
që flokët dallgë përhapte ujërave
e zhytej më pas pëfund thellësive,
si një pasqyrim i vetë madhështisë
të atij krahu që vishte në smerald
për të thyer koloritët ngjyra
e tërhequr pas sharmit të kuq.

Muzgut pashë vështrimin e pafajshëm
të asaj që jetën e lind
e ngre një përmendore njerëzimi
epokës që botën shndrit,
për të ndezur tjëtër dëshirë
të së nesëmes përjetësi
përulur në gjunjë altareve
e marrë të vetmin bekim.

One thought on “Cikël poetik nga Agron Shele

Leave a Reply to Nancy Ndeke Cancel reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s