Poezi nga Anjeza Dielli

Poezi nga Anjeza Dielli

 

ODE-JA E GËZIMIT TIM
sipas Schiller-it

Gëzohu vetëdija ime e gjallë!
Luftova me ty në anët e errëta
e dola me gjymtyrët e plotë
e qiellin plot re të hekurta.

Gëzohu dëshpërimi im i thellë!
U gjendën të paprekura virtytet
në gojen e mëngjeseve
se e përtejmja duhet paranjohur
e kafazi i ngushtë i kraharorit
nuk mjafton.

Gëzohu dhimbja ime!
Kundërpesha jote ka bindje të madhe
kur forcat kanë aleate dritën
e prej lart vjen sublimja e të ulet në dorë
e kjo botë ka prirje të vetëkërcënohet
nga një vazhdim i përkulshëm.

Gëzohu uria ime e pangopur e qenies!
Humben koordinatat
e thirrja e Zotit nuk dëgjohet më si lutje,
por si rrufe e skjashme mbi tehun e mprehtë të një qielli në perëndim
e thelbi i lirisë është i butë si ngjyra e syrit.

Simetria absolute gjendet mbi kokat e dashurive tona moshatare…

 

7+2

Sa i pakohë je
tani që je i palindur ende,
me gjysëm e kusur shekulli mbi shpinë
e ravgime ndër kapilaret e zërave të marrë
që kanë ulëritur emrin tënd
e kaq pak të kanë dashur.

Sa i njomë je,
tani që nuk ke lindur ende
e ndër sqetulla që kanë aromën
e çiftëzimit të buzëve,
lëshove krejt bërthamen e pathyher të qenies,
se ti do të lindeshe jo prej brinjës së Adamit
– se ti vetë ishe Adam –
por prej sqetulles së Evës

Sa i butë je,
tani që ende nuk ke lé
e ndër kohët e hershme fjalën tënde
e ndrydhnin të panjohurit,
kurse hijen ta shkelën bashkëkohësit
e gishti yt priste gishtin e hyjnisë,
se ti e kishe parë shkrepëtimen…

Sa i lindur je,
tani që do të lindesh për të satën herë
e do të kesh mbi sup cicërimën
e një ëndrre që ndërron lëkurë
e bëhet zog
shi
cirrus
pemë
aromë
breg
ecje
flok i hallakatun nëpër erë.

Sa i lindur je sot prej mitres sime!

 

TË MUNDURIT NUK JANË TË KËQINJ

Të mundurit nuk janë të këqinj,
ata presin prej kafshatës së fundit
e shpresën e kanë te panjohurën e madhe.
Të mundurit hyjnë të parët ne anijen e Noes
e në barkun e plagës
dhe dalin të fundit prej andej,
o të vdekur ose të mundur për vdekje.

Të mundurit e kanë dritën e syve të pakët,
por në terr ajo është flakë
e dëgjimin e kanë si të një merimange
e humbasin luftrat e vogla me veten.

Të mundurit ndjejnë se jeta duhet korrigjuar
e vetëm me një ide të marrë nisen nëpër trena e vagona të gabuar,
derisa të gjitha dritaret u tregojnë të njëjtin destinacion.

Të mundurit e një hynjie kanë ndjenjën sublime
se duhet të jenë të humbur
e kështu dorëzohen para një fati që I kap si hije
e nuk i lëshon.

Të mundurit nuk janë të këqinj.
Të mundurit janë njerëz të mirë.
Të mundurit janë i ngjashmi yt
që, edhe pse e dinë se askush nuk vjen, presin…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s