Poezi nga Mihal Gjergji

Poezi nga Mihal Gjergji

 

ZOGU I FATIT

Si mund t’i iki atij lumi
Që kohë e ëndrra m’i përkundi?
Dhe muzgu tretet, s’e merr gjumi

Atje është fëmijëria ime
Një fjalë e grisur në rënkime
Një zemër-peng në përgjërime

Eh, lumi im, që rrjedh lotuar
Dhe zërin ty t’a kam besuar
Dhe plagët, ti m’i mban në duar

Shelgjishtet qajnë dhe brigjet marrin
Kurbatka ftoh këmbët dhe zjarrin
Kanistrat pleks dhe shuan mallin!

E buzë humnere, një trung i nxirë
Korbin e mban si mysafir
Mban ëndrrat lidhur me zinxhir

Të jetë ky shpend i fatit tim?
Po pse i zi, dhe pse ky çmim?
Krra-krra, ndjell mort, por jo gëzim!

Shqiponja ime s’di ku humbi
E kisha shpirt e krah, po s’mundi
Ndaj kthehem përsëri tek lumi…

 

HESHTJE VARRI

T’i ruhesh djallit a vetvetes
Që të përndjek si shpirt i keq?
Është gjysma ime, i flet tjetrës
Po tjetra nxinë e s’di pse hesht!

Më grish kujtim i një qivuri
Ndanë udhe mbetur vetmitar
U shemb si lisi, u tret burri
Dhe gjysma ime qënka tharë

Ai s’ka ardhur, më thotë nëna
E lotët derdhen në pëqi
E mira ime, feks si hëna
Siç duket s’paska perëndi!

Mbeta gur varri mes vetmisë
Ndaj pyes varret: ç’paska ngjarë?
Më thonë: ka vdekur-vdekja jote
Ndaj prit të vijë një vdekatar!

 

BALLËPËRBALLË

Kam parë dy ujqër në shtigjet me borë
Gjurmonin kaprollin në pyjet e larta
Kam parë dhe dy njerëz me armët në dorë
Me njërin ish vdekja, me tjetrin ish nata!

 

JEMI TANËT

Bollgurin e urrejtjes gatuan Ballkani
Shqipëria, si plagë, ha vetveten
një shekull pa gjumë
Burrat, më të rëndë se malet…(!)
Tek-tuk varre të vetmuar, ruajnë sinoret

Me thinja më flet perëndi e kujtesës:
Nëna t’a bën hasmin e tokës
Motra, hasmin e kokës…
Farmakun e fisit e derdhim te gjaku
Pse vallë,
një drekë morti s’ia bëmë tradhtisë?

Vendi im, dhimbja ime!
Ata, që s’më lanë të jetoj, më mësojnë të vdes
Ç’t’iu them fëmijëve,
që vijnë nga parajsa?
Besa është prerë në besë!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s