Poezi nga Rudina Muharremi Beja

Poezi nga Rudina Muharremi Beja

 

NDJESHMËRI

Lëshoi një piskamë e psherëtiu thellë,
sikur deshi të thoshte ca fjalë,
por heshtjes, heshti…
muzgjeve shurdhmemece.
U mbulua me renë e ngrysët
tisit të natës që mbështjellë kishte botën,
tek mjergulla udhëtonte karrocave të lavdisë…

Vetëtimthi ngriti sytë sombreros së yjtë, hënën pa,
siç bënte përherë,
Belbëzoi një lutje të shterpë…
Me zërin shterrur, prej ditës kafshuar
mendoi:
ndjeshmëria është dhuratë e rrallë.

A thua qielli i dëgjoi fjalët që s’tha?!

 

MES PËRHUMBJES DHE SHPRESËS

Një përzierje e çuditshme mes nostalgjisë
e piva me gotën,
përgjysëm me ujin e ftohtë zbritur kreshtës së bardhë
të një mali mbushur me humnera.

Vrapoj nëpër lëndina
me erën që më shpupurit flokët
parmakut të shtëpisë
bri shkëmbit të shkretë që shquan një degë të blertë
netëve të errëta
pendesës mes përhumbjes dhe shpresës.

 

EJA

Dridhet me dridhjen deri në molisje,
e mira nënë,
thyer më dysh struket në lutje
e ty të lyp.

Gjithçka do t’ falte sikur dhe një herë,
xhamit të lagësht t’i shfaqesh sonte,
deri n’ mëngjes të përqafonte aromën tënde.

Dridhet me dridhjen kapakut mbyllur.
Është e gjatë nata pa ty.
Nyjë e mallit lidhur fytit,
Një gur në vend të zemrës.
Shfaqu sonte…
Eja me krahët e erës,
Struku ëndrrës!

Eja me krah fluturash
në frymë të furtunës,
brenda një reje
a në vetull t’ hënës.

Eja,
ngrohja zemrën tinëz nënës…
E pastaj shko
Ndriço ndër yje
E kur rrebesh i lotit të mbarojë,
me ylberë qiejtë lyej!

 

VEÇ E VETES

Muzgut që errej çapitej ngadalë,
pasqyrave të thyera.
Kërcisnin këpucët nën hapin e saj,
trupi shkundej si brymë nën qepallë…

Dëgjoi t’a thërrasin në emër…
Iu shtang fryma nën vellon e bardhë:
A thua do të humbte një ditë,
apo ata do ta braktisnin,
siç bënë me qenin,
që dhimbshëm kuiste asfaltit të ftohtë…

Kur të rritej,
veç e vetes do të ishte.
Kështu askush s’ do e braktiste…

 

MBRËMË DHE SOT

Përkundej ndenjëses së rehatshme…
Gjithçka përgjumur përreth.

Shpupuriti xixat e zjarrit flakërues
nga xham i dritares sodiste yjet,
me shpirtin kredhur në mendime
Dhe para se ëndrrave të strukej,
mërzinë e shkundte.

Mëngjesit në vijim,
dielli linte kreshtën e thepisur…
Avitur ishte tehut të çatisë,
njëmijë rreze mbi të kishte zbritur,
të ngrohta, po aq sa zjarri i mbrëmshëm

Ia mori ngrohtësinë,
vezullimi rreze,
e nisi rrugëtimin trenit të jetës,
në vagonin e një dite tjetër.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s