Poezi nga Rexhep Shahu

Poezi nga Rexhep Shahu

 

u ndamë

U ndamë sikur s’do shihemi kurrë
Si t’ia bëj pa ty këtë vjeshtë lëngimesh
Këtë vjeshtë dertesh si t’ia bëj pa ty
Teksa dimri troket në derë si vdekje.

 

ti je shpirt

Ti nuk je femër, as bukuri e skajshme, por je shpirt
Je magjia që më bën krenar, më bën të fluturoj
E diellit t’ia bëj me sy
E përveçme je dhe s’ngjan më askënd në botë
E madhe sa gjithë bota me zota, qiej, tokë e dete përsosen në ty.

Sendet e gjërat rreth teje qeshin, marrin jetë
S’mundet askush kur të sheh ty të mos shtanget për një çast
Të të deshirojë pastaj me gjithë fuqinë e tij, të mbetet duarthatë
Dhe i kënaqur, gojëhapur të të ndjekë me sy
I lumtur për fatin që të pa ty.

Ti je zjarri i ngrohtë që s’shihet, flaka që të përcëllon kur e prek
Zjarri që shkrumbon botën, prushi që s’shuhesh në mua
Shpirti që ecën, oh shumë më i mrekullueshëm se trupi yt i derdhur
Shpirti që fluturon mbi mua, më merr në krahë, më mbështjell në gji.

Ti je levizja, rendja, rrufeja
Që shkruan ballit tim dashurinë, në palat e rrudhave që m’thellohen
Je reja në qiell e dëbuar prej erërave, reja që nga puthja bëhet shi
Lot malli në sy.

Ti nuk je thjeshtë një grua speciale
Je fari në breg që si marinar ëndërroj e ndjek të shpëtoj
Je toka që më pret, bregu ku mbërrij
Penelopa që tjerr e thur ëndrra, shpresa e mbretëri.
Më bërë të ndjehem mbret
Ti je shpirt, shpirti im i veshur me ty
Shpirti që s’vdes.

 

Kam tjetër fat

Zoti i ndezi yjet në qiell
Të ma tregojnë udhën nëpër natë
Por unë s’kam sy të shoh dritat e zotit
Kam tjetër fat.

Tjetër fat i shkrova vetes në jetë
Telemaku t’më kërkojë e Penelopa t’më presë
Edhe në vloftë vullkan uji i detit
Pse doni ju, s’do të vdes.

S’më lënë gjethet e blirit të shkoj
Netëve në dritare fëshfërijnë për ne
Kur bënim dashuri si të çmendur
Dhe përroi këndonte për ne këngë të re.

Kam tjetër fat për veten, fat tjetër
Të shkruar me lot në gur
Zoti le të çmendet po desh atje lart
Të mos i ndezë yjet kurrë.

 

Hijet në bulevard

Njerëz s’ka askund në bulevard
Krrap-krrup, veç hapat e hijeve ecin me nxitim.

Krrap-krrup, krrap-krrup buron nga toka
Si këpucë të rënda ushtarësh mbi borë të ngrirë,
Mbi skeletet e atyre që u vranë në themelet e qytetit,
Që ai të ngrihej në këmbë e të mos shembej.

Krrap-krrup, në tëmthat e mia shkelin këpucët e hijeve
Radhët ritmike bluajnë kafkën,
Miell kockash gjendem nesër në dyqan,
Ushqim për qentë shkon trupi im.

Krrap-krrup, hapat e rëndë të hijeve,
Zhurma e shiut litar bëhet muzikë,
Qyteti dridhet nën hapat e rëndë të frikës.
Rrallë ndonjë dorë çel pak perden
Të shohë hijet që ecin rëndë e s’shihen.

Krrap-krrup nëpër shi, nëpër natë hijet nuk ndalen,
Nuk shihen askund, veç ecin rëndë në bulevard,
Veshur me natën që lahet në shi.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s