Poezi nga Vasil Tabaku

Poezi nga Vasil Tabaku

 

RRUGËT E DHIMBJES

…jam veshur
Me buzëqeshjen tuaj.
Ah,
Ëndërrën tuaj njerëz
Kam Brenda fjalë sime të kaltër
Dhe sytë e mi
Kërkojnë nëpër Botë
Sytë që flasin me zë shprese
Sytë e mi
Nuk janë bërë për të qarë
Me puthjen tuaj për dore
Eci nëpër rruget e dhimbjes
Si vet heshtja
Një mal i mbushur me zogjë
Ku cicërimat
Ndërtojnë qytetet e së nesërmes
Dua të fle i dashuruar
Dhe të zgjohëm nga një përqafim
Mbi virgjërinë e dhuruar
Në vend
Të një mallkimi gjith zëmrim
E dua dritën…
Jam i dashuruar me diellin
Një qiell pa mbarim
Ku shiu vdes
Dhe tej rendin stuhitë
Ndërsa me duart e mia
Ngre ngadal
Shtëpinë e psherëtimave
Ku zambakët e Hënës
Janë dashuritë e bardha
Mbi plagët e trishtimit tim
Sytë e mi
Nuk janë lumenjë lotësh
Nuk janë bërë për të qarë….
Sytë e mi
Derdhur
Si zjarre yjesh mbi duart tuaja
Janë fjalët e pathëna të dashurisë,
Janë thërrmia diejësh
Dhe grimca të arta buzëqeshjesh
Janë copëza fjalësh
Derdhur në prehër të Perëndive
Sytë e mi
Një magji përtej magjisë.
Sytë e mi
Prej diamantesh të artë
Janë ciltërsia juaj
Dashuruar
Me ëndërrat e bukura të dhimbjes
Ku zgjohen
Fëmijët e bukur të shpresës…
Sytë e mi
Nuk janë bërë për të qarë
Merrini
Dhe me ta
Ndërtoni një dashuri të re mbi Botë.

 

PËRTEJ PRITJES

Veshur me buzëqeshje
sikur mbi supe
të kishe hedhur
pelerinën e argjendtë të hënës…
Dhe Bota…
luante me luftërat
dashuritë
puthnin vdekjen
në buzët e ftohta.
Liria ishte kryefjala e ditës
ishin mbaruar fjalët
kufoma këngësh
ndërtonin qytetin e heshtjes
Vendi im
përmes plagësh
përshëndeste
dritën që zbriste nga qiejt.
Me litar rrufesh
sa i gjatë ky tranzicion
kjo pritje e thinjur shpresash
mbi krah zogjsh të uritur…
Oh tepër e gjatë
pritja përtej pritjes…

 

TË IKËSH NGA ATDHEU…

Të ikësh…
Ku të ikësh
Me një qiell dhimbje
Mbi shpinën e krrusur,
Me një brezë rrugësh
Të thurrur
Rreth mesit
Dhe një trendafil
Të vyshkur
Në cep të syve
Ku lotët
Ujitin kopështin e shpresës
Të ikësh
Për ku të ikësh
Mali im I vendlindjes
Krrusur
Nën peshën e varfërisë
Me dhimbjen
Dhëmbshtërnguar
Dhe urinë e fëmijëve
Të mbëtur peng
Në duart e ashpëra
Plot plasaritje
Nga mungesa e punës…
Të ikësh
Po ku të ikësh
Kënga ime
E shëndruar
Në vajtim të heshtur…
Pas kam lënë shtëpinë
Me ëndërra të thara
Si degë pemësh të prera
Kam lënë varret
Dhe dashurinë time të parë
Puthjen e pafajshme
Dridhjet e supeve
Dhe denesën e trishtë
Ku heshtja
Ndërton një cerdhe
Për zogjtë jetim..
Eh
Të iki
Po ku të iki
Rruga ime e fëminisë
Ku flejnë ecjet e mia
dhe vrapimet
hapat e mi prej gjethesh
dhe plagët e trendafilta
nga gurët e kalldrëmit…
Të iki
Po ku të iki
Shqipëria ime
Zonjë e madhe
Dhe fisnike…
Shqipëria ime e braktisur
Shqipëria imë e plagosur
Shqipëria ime e grabitur
Shqipëria ime e zhgënjyer
Shqipëria ime e bukur
Me vrraga lotësh
Nëpër sytë e plasaritur
Nga pritja e gjatë
Shqipëria ime e mrekullueshme
Tradhëtuar mizorisht nga politikanët…
Të iki
O Zot
Po ku të shkoj
Me këtë peshë dhimbjeje
dhe brengash pafund
Ku të ndalem
Në cilin shteg
Në cilën portë
Në cilën streh…
Ah Shqipëria ime
Po iki
Me njërën dorë
Tek gjoksi yt amësor
Dhe dorën tjetër
Tek dhimbja jote e pafund…
Po iki
Shqipëria ime Shqipëri
Ti krenaria ime
Malli im I pashuar
Magjia e ëndërrës
Dhe mrekullia e shpresës…
Ah, po iki Shqipëria ime
Më fal
Për këtë ikje
Por nuk ka rrugë tjetër
Ka vetëm ikje…
Me fal Shqipëria ime
Dashuria dhe malli im
Shpresa dhe drita ime
Më fal Shqipëri…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s